Xhaferr Ibn Xhebri rrëfen: “Njëherë, hipa bashkë me Ebu Besra El-Gifarin, një shok i Pejgamberit (alejhi selam), në një anije nga qyteti i Fustatit (në Egjipt), në muajin e Ramazanit. Sapo hipi dhe u nis anija, ende pa i kaluar shtëpitë, ai kërkoi që t’i shtrohej sofra e ushqimit. Pasi u shtrua sofra, më ftoi për të ngrënë, por unë i thashë: “A nuk i sheh shtëpitë?!” Ebu Besra tha: “Si kështu, po i largohesh sunnetit të të Dërguarit të Allahut (alejhi selam)?!” Xhaferri tregon më pas se Ebu Basre hëngri. [1]
Përcillet nga Muhamed Ibn Kabi se ka thënë: “I shkova Enes Ibn Malikut në Ramazan, kur donte të udhëtonte, ndërsa kafshën e kishte të përgatitur për udhëtim. Ndërkohë që veshi rrobat e udhëtimit, kërkoi t’i jepej ushqim dhe hëngri. Unë i thashë: “Sunnet është ky veprim?” Ai tha: “Po, sunnet është”, – dhe i hipi kafshës”. [2]
Dobi dhe rregulla
E para: Nga suneti i Pejgamberit është dhe mosagjërimi në udhëtim. Nga i Dërguari (alejhi selam) është përcjellë se ai edhe ka agjëruar në udhëtim, edhe nuk ka agjëruar. Një gjë e tillë është përcjellë edhe për sahabët në disa udhëtime me të Dërguarin (alejhi selam).
E dyta: Këto hadithe tregojnë se kush fillon udhëtimin, i lejohet që ta prishi agjërimin, edhe nëse nuk e ka kaluar qytetin ose fshatin, prej të cilit nis udhëtimin. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kur nisnin udhëtimin sahabët, e prishnin agjërimin, pa marrë parasysh kalimin e shtëpive të vendbanimit. Ata thoshin se kjo qe tradita e Pejgamberit (alejhi selam).” [3]
E treta: Nga hadithet përfitohet se, kushdo që gdhin agjërues dhe më pas niset për udhëtim, i lejohet që ta prishë agjërimin gjatë ditës, ndryshe nga ata që e ndalojnë një gjë të tillë. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nga këto dëshmi del fare qartë se kushdo që niset për udhëtim gjatë ditës së Ramazanit, ka të drejtë ta prishë agjërimin”. [4]
[1] Shënon Ebu Daudi (2412), Amedi (6\398), Darimiu (1713), Taberani në El-Kebir (2\279-280) me numër (2169- 2170). Shukani thotë: Transmetusit e tij janë të saktë, Nejlu eutarë (4\311). Shih Tuhfetu El Afedhi (3\430). Albani e vlerëson të saktë në librin Irvaë (4\163) me numër (928).
[2] Shënon Tirmidhiu dhe thotë: Hadithi është hasen (799-800). Shënon edhe Dijau në El Muhtarë (2602), Darekutni (2\187), Bejhakiu (4\247). Albani e vlerson të saktë në lrvaë (4\64) dhe në Sahih Termidhi.
[3] Zadu el-Mead (2\56). Kjo është një çështje për të cilën ka mosmarrëveshje. Nga Imam Ahmedi përcillet se e prish agjërimin mbasi të kesh dalë nga shtëpitë, kurse Is’hak Ibn Rahavejhi thotë: “Që momentin kur vendos këmbën në mjetin e udhëtimit udhëtarit i lejohet të prishë agjërimin, siç veproi Enesi (radijAllahu anhu). Shih: El Mugni (4\345-348) dhe Fet’h Bari (4\180-182).
[4] Zadu el-Mead (2\57). Shih dhe Tehdhib es-Sunen (7\39). Kështu thotë edhe Sha’biu, Ahmedi, Is’haku, Daudi, dhe Ibn Mundhiri, ndryshe nga mendimi i tre imamëve dhe i Euzait të cilët janë të mendimit se kushdo që gdhin agjërues dhe do të udhëtojë nuk i lejohet ta prishi agjërimin e asaj dite. Shih: Muhtesar sunen Et-Tirmidhi (3\291).