Enes Ibn Malik (radijAllahu anhu) thotë: Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet rrizku (furnizimi), le t’i respektojë e t’u bëjë mirë prindërve dhe le të ruaj lidhjet farefisnore.” [1] Shënon: Ahmedi. Hadithi është i mirë.
[1] Nga ky hadith përfitohet se rrespektimi i prindërve dhe i lidhjeve farefisnore është shkak për shtyrjen e afatit të jetës dhe për shtimin e rrizkut, por argumentet tregojnë që exheli (afati i jetës) dhe rrizku janë përcaktuar, si psh; fjala e Allahut; “Kur t’u vijë exheli (afati i përcaktuar për ta), ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë moment dhe as nuk mund ta përshpejtojnë..” (el A’raf : 34), atëherë si bëhet bashkimi mes këtyre argumenteve?
Përgjigja është se kjo shtyrje në afatin e jetes dhe ky shtim i rrizkut, mbi atë që ka qenë paracaktuar, është reale, siç përmendet në hadith. Por këtu duhet të njohim dy çështje:
– E para: Ajo që e din Allahu i Lartësuar lidhur me afatin e jetës dhe sasinë e rrizkut nuk mund të ndryshojë, pikërisht për këtë bën fjalë ajeti i sures el A’raf: “Kur t’u vijë exheli (afati i përcaktuar për ta), ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë moment dhe as nuk mund ta përshpejtojnë”.
– E dyta: Ajo që Allahu e ka shkruajtur dhe ua ka mësuar melaikeve, mund të ndryshojë në varësi të shkaqeve. Kështu, psh; Allahu i urdhëron melaiket të shkruajnë për robin një afat jete, ose një sasi rrizku të caktuar, por me kusht që nëse respekton lidhjet farefisnore t’i shtyhet afati jetës dhe t’i shtohet rrizku, ndërkohë që Allahu e ka ditur se do t’i respektojë lidhjet farefisnore apo jo, pra ajo që din Allahu i Lartësuar lidhur me këto gjëra as nuk shtyhet dhe as nuk përshpejtohet, as nuk shtohet dhe as nuk pakësohet, por ai që pëson ndryshime është paracaktimi që ka të bëjë me dijen e melekut.
Ibn Tejjmije ka thënë: “Lidhur me paracaktimin i rrizkut janë dy gjëra:
– E para: Ajo që e ka ditur Allahu i Lartësuar lidhur me sasinë e rrizkut nuk mund të ndryshojë.
– E dyta: Ajo që Allahu e ka shkruajtur dhe ua ka mësuar melaikeve, mund të shtohet dhe të pakësohet në varësi të shkaqeve. Kështu, Allahu i urdhëron melaiket që të shkruajnë për robin një sasi rrizku, por nëse rrespekton lidhjen farefisnore, Ai ia shton, siç tregon hadithi i saktë se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kush dëshiron t’i shtohet rrisku dhe t’i shtyhet afati i jetës le të respektojë lidhjet farefisnore”. Gjithashtu edhe jeta e Daudit ishte paracaktuar dyzet vite, por Allahu ia shtyu edhe gjashtëdhjetë vite dhe si rrjedhojë u bë njëqind vite.”
Gjithashtu ai ka thënë: “Exheli (afati i jetës) është dy llojesh :
– I pari, exheli i pakushtëzuar, i pavarur nga ndonjë kusht apo nga ndodhja e ndonjë shkaku. Këtë e din Allahu i Lartësuar. (Ai ndodh ashtu siç është paracaktuar në dijen e Allahut, pa pësuar ndryshim.)
– I dyti, exheli i kushtëzuar nga ndonjë kusht ose ndodhja e ndonjë shkaku. (Ky ka të bëjë me atë që Allahu ka urdhëruar melaiket për ta shkruajtur dhe ky është exheli i paracaktuar që pëson ndryshim.) Me këtë shkoqitje qartësohet kuptimi i thënies së Muhamedit (alejhi selam): “Kush dëshiron t’i shtohet rrisku dhe t’i shtyhet afati e jetës le të respektojë lidhjet farefisnore”.
Allahu e ka urdhëruar melekun t’i shkruaj një afat të caktuar jete dhe ka thënë; “nëse respekton lidhjet farefisnore do t’ia shtyjë kaq edhe aq”. Meleku nuk e din se do të shtyhet apo jo, por Allahu e din se si do të përfundojë çështja e afatit të jetës së robit të Tij. Kështu, afati i jetës, që ka ditur Allahu, kur i vjen robit as nuk përshpejtohet dhe as nuk vonohet.
Disa dijetarë kanë thënë se kjo nënkupton bereqetin, mirësinë që Allahu i jep në jetë dhe në rrisk atij që ruan ledhjet farefisnore. Gjithashtu, nënkupton edhe ruajtjen e shëndetit, suksesin për t’i bërë ibadet Allahut, suksesin për shfrytëzimin e kohës, lumturinë, prehjen dhe gëzimin. Komenti i parë është më i saktë, por zgjatja e jetës dhe shtimi i rrizkut i përmban ato që përmenden në mendimin e dytë. Kështu, të gjitha këto janë mirësi që vijnë si rrjedhojë e rrespektimit të prindërve dhe të lidhjeve farefisnore.
[Marrë nga Fet’hul Bari dhe Mexhmul Fetava.]