Kush realizon teuhidin futet në Xhennet pa llogari, pra, nuk llogaritet as për mëkatet, as për të tjera. Realizimi i teuhidit është pastrimi i tij nga shirku, dhe ai mund të realizohet vetëm nëse përmbushen tri kushte:
- Dija. Nuk mund të realizosh asgjë para se ta dish atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dije se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.” (Muhamed : 19)
- Besimi. Nëse e di diçka, por nuk e beson për mendjemadhësi, nuk e ke realizuar teuhidin. Allahu i Lartësuar tregon ç’thonin idhujtarët: “A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është diçka e çuditshme.” (Sad : 5). Pra, ata nuk besuan se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet.
- Nënshtrimi. Nëse e di dhe e beson, por nuk i nënshtrohesh, nuk e ke realizuar teuhidin. Allahu i Lartësuar thotë: “… sepse kur u thuhej atyre: ‘Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut’, ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thonin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?” (Safat : 35-36)
Nëse arrihen këto kushte dhe realizohet teuhidi, atëherë Xhenneti është i siguruar për robin, pa dhënë llogari, e nuk ka nevojë të themi insha-Allah – në dashtë Allahu -, sepse kjo është e përcaktuar në Sheriat. Për këtë arsye, dijetari e ka deklaruar në formë të prerë në titullin e temës, pa përmendur shprehjen insha-Allah. Kjo vlen, kur flasim në përgjithësi, e për sa i përket një personi të caktuar, duhet patjetër të themi insha-Allah.
“Vërtet Ibrahimi ka qenë prijës shembullor, i përulur (kanitan), me besim monoteist (hanifen), e nuk ka qenë idhujtar.” (Nahl : 120)
– “ Vërtet Ibrahimi ka qenë prijës shembullor …” – Për Ibrahimin ky ajet është një lavdërim nga ana e Allahut, sepse atij i është dhënë titulli ‘prijës’. Ai ishte njëri nga Profetët e ndershëm dhe ndër Pesë Profetët e Zgjedhur. Ai qe shembull në veprat dhe luftën e tij. Ai u përpoq me popullin e tij, duke hasur në shumë vështirësi, madje atë e hodhën edhe në zjarr, por çdo herë ai duroi. Më pas Allahu e provoi me flijimin e birit të tij të vetëm, Ismailin, i cili sapo kishte arritur moshën e pjekurisë. Në këtë moshë, ai nuk ishte as shumë i madh, i tillë që Ibrahimi të ishte ngopur me të, e as shumë i vogël, që të mos ishte krijuar ndonjë lidhje e fortë. Kësisoj, Ibrahimi ishte në kulmin e lidhjes me të birin. Por atij iu dha sukses që të kishte të bënte me një djalë bamirës dhe të bindur ndaj Allahut.
Allahu i Lartësuar thotë: “O babai im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i duruar.” (Safat : 102). Ai nuk e kundërshtoi të atin, apo të rebelohej e të arratisej, por kërkoi prej tij ta çonte në vend urdhrin e Allahut. Kjo ishte rrjedhojë e respektit të tij ndaj babait dhe bindjes ndaj Zotit. Shiko çfarë fuqie dhe mbështetje tek Allahu, në fjalën: “Dashtë Allahu, unë do të jem i duruar.” (Safat : 102). Ata të dy zbatuan urdhrin, u dorëzuan dhe iu nënshtruan Allahut. “Unë do të jem” tregon siguri, e megjithatë ai nuk u mbështet në veten e tij, por kërkoi ndihmën e Allahut, kur tha: “Dashtë Allahu”. Të dy iu dorëzuan urdhrit të Allahut dhe iu nënshtruan Atij. Ibrahimi e vuri me ballë përtokë, me qëllim që ta therte pa e shikuar fytyrën e tij, por në atë çast erdhi zgjidhja nga Allahu: “Ne i thirrëm atij: ‘O Ibrahim! Ti e përmbushe tashmë ëndrrën!’ Kështu i shpërblejmë Ne punëmirët!” (Safat : 104-105) Nuk është e saktë ajo që thonë disa, se thika na qenka rrotulluar, se qafa u bë hekur, e të ngjashme me këto.
– “… i përulur (kanitan) …” – Adhurues i Allahut në vazhdimësi, në të gjitha gjendjet. Ai ka qenë i bindur ndaj Allahut dhe i përqendruar në bindjen e tij. I tillë ishte edhe i biri, Ismaili (alejhi selam). Ai e përmendte Allahun në çdo moment: kur ngrihej, kur ulej, kur flinte, kur hante, para se të kryente nevojat vetjake, pra, ka qenë i nënshtruar gjatë ditës dhe gjatë natës.
– “… me besim monoteist (hanifen) …” – Domethënë i distancuar prej shirkut, larg çdo gjëje që kundërshton bindjen ndaj Zotit. Kështu ai zotëronte dy elementët: pohimin e së vërtetës dhe mohimin e shirkut.
– “… nuk ka qenë nga idhujtarët.” – Kjo shprehje përforcon faktin e përhershmërisë së tij në monoteizëm. Ibrahimi (alejhi selam) ka qenë i siguruar nga rënia në shirk, edhe pse populli i tij ka qenë politeist. Pra, mosrënien në shirk Allahu e ka përshkruar me fjalën “hanifen” dhe me shprehjen: “Nuk ka qenë nga idhujtarët”. Argument tjetër është se Allahu e bëri atë prijës, dhe Allahu kurrë nuk bën prijës atë që nuk përmbush teuhidin.
Kushdo që mediton për karakterin e Ibrahimit (alejhi selam) do të shohë se ai ka pasur gradën më të lartë të durimit, si dhe në shkallën më të lartë të sigurisë, pasi ndaj këtyre provave të mëdha, mund të durojë vetëm ai që është i sigurt për shpërblimin. Ai që ka dyshime ose heziton nuk mund të durojë, sepse egoja mund ta braktisë diçka vetëm për diçka tjetër që është më e dashur se e para. Egoja mund të dëshirojë diçka vetëm pasi mendon se është e dobishme ose është e sigurt për dobinë e saj, dhe nëse kjo gjë është e dyshimtë, ajo nuk përpiqet më për të.
Qëllimi që Allahu e përmend dikë për mirë, nuk është vetëm që kjo të arrijë te ne, por edhe për të na treguar dy çështje të rëndësishme:
- Dashurinë ndaj personit që përmendet për mirë, e nëse përmendet dikë për keq, ne duhet ta urrejmë atë. Ne e duam Ibrahimin (alejhi selam), sepse ai kishte virtyte të larta, sepse ishte i nënshtruar ndaj Allahut dhe nuk ishte idhujtar. Nga ana tjetër, ne e urrejmë popullin e tij, sepse ata ishin të humbur. I duam melekët edhe pse nuk janë prej llojit tonë, sepse janë të bindur ndaj Allahut, dhe i urrejmë shejtanët, sepse ata janë kundërshtarë të Allahut, armiq tanët dhe të Allahut; ne i urrejmë edhe ndjekësit e shejtanëve, sepse ata janë kundërshtarë të Allahut dhe tanët gjithashtu.
- Ta marrim atë si shembull në këto cilësi për të cilat Allahu e ka lavdëruar, sepse ato janë të lakmueshme për secilin prej nesh. Ne meritojmë të lavdërohemi sipas shkallës që i përafrohemi atij në këto virtyte. Zoti thotë: “Vërtet që në ndodhitë e tyre ka mësim për njerëzit me mend.” (Jusuf, 111); “Me të vërtetë që ka qenë një shembull i shkëlqyer për ju tek Ibrahimi dhe ata me të.” (Mumtehine, 4); “Me të vërtetë që tek ata pati shembull të shkëlqyer për ju, që ta ndiqni.” (Mumtehine, 6).
Kjo është çështje e rëndësishme, sepse njeriut ndonjëherë i ikën nga mendja qëllimi i parë, që është dashuria për atë që Allahu e ka lavdëruar. Por kjo nuk duhet të ndodhë, sepse dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut është një nga hallkat më të forta të besimit.
Përfitimet nga ajeti
Së pari, babai i Ibrahimit ka vdekur në kufër. Mendimi më i drejtë, që ne e besojmë, është se ai quhej Azer, siç thotë Allahu: “Dhe kujto kur Ibrahimi i tha babait të tij, Azerit: ‘A i merr idhujt për zota?’” (En’am : 74). Po kështu, Allahu thotë: “Edhe lutja e Ibrahimit për faljen e babait të vet ishte vetëm për shkak të premtimit që ai ia bëri atij (babait)” (Teube : 114), sepse Ibrahimi i tha të atit: “Do t’i kërkoj falje Zotit tim për ty, se vërtet Ai është i Mëshirshëm me mua.” (Merjem : 47) “… por kur iu qartësua mirë atij se ai ishte armik i Allahut, (Ibrahimi) u largua prej tij. Vërtet Ibrahimi i lutej Allahut me nënshtrim dhe shumë i duruar.” (Teube : 114). Po kështu, në suren “Ibrahim” thuhet: “O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën kur do të jepet llogaria.” (Ibrahim : 41), mirëpo më pas u largua prej tij (prej babait). Ndërsa Nuhu, ka thënë: “Zoti im! Më fal mua, prindërit e mi, atë që hyn në shtëpinë time si besimtar dhe të gjithë besimtarët e besimtaret.” (Nuh : 28). Kjo tregon se dy prindërit e Nuhut kanë qenë besimtarë.
Së dyti, Imam Ahmedi ka thënë: “Tri gjëra nuk kanë zinxhirë përcjelljeje: betejat, luftërat e ashpra dhe tefsiri. Këto, në të shumtën e rasteve përmenden pa zinxhirë transmetimi, prandaj komentuesit e Kuranit përmendin historinë e Ademit lidhur me ajetin: ‘Por kur Ai u dhuroi atyre një fëmijë të mirë …’ (Araf : 190), e megjithatë pak prej tyre nënvizojnë faktin se tregimi në fjalë është i trilluar [1].” Rregulli është se askush nuk di për popujt e mëparshëm, vetëm se nëpërmjet Shpalljes hyjnore. Allahu thotë: “A nuk ju ka ardhur juve (o njerëz) lajmi i atyre para jush: i popullit të Nuhut, Adit e Themudit dhe i të tjerëve më vonë? Askush nuk i njeh ata veç Allahut.” (Ibrahim, 9)
“Dhe ata të cilët Zotin e tyre nuk e shoqërojnë me asgjë.” (Mu’minun : 59)
Këtij ajeti i ka paraprirë një tjetër, “Me të vërtet, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre …” (Mu’minun : 57), por autori ka përmendur vetëm ajetin që dëshmon për temën në fjalë.
– “… nga frika e Zotit të tyre …” – do të thotë nga frika e tyre prej Tij, duke qenë të vetëdijshëm. Ndërsa “dridhen”, do të thotë që janë të frikësuar nga ndëshkimi i Tij, nëse e kundërshtojnë Atë. Mëkatet, sipas kuptimit të përgjithshëm janë shirk, sepse ato rrjedhin si pasojë e dëshirës që kundërshton Sheriatin. Allahu thotë: “A e ke vënë re atë njeri që dëshirat e veta i mori për Zot?” (Xhathijah : 23). E për sa i përket kuptimit të veçantë, dijetarët i ndajnë mëkatet në dy lloje: idhujtari dhe gjynahe.
– “… nuk shoqërojnë asgjë.” – Kjo shprehje ka të bëjë me shirkun, sipas kuptimit gjithëpërfshirës, pasi teuhidi mund të realizohet vetëm duke iu larguar shirkut. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të bëhet asnjë mëkat, sepse të gjithë bijtë e Ademit gabojnë. Ata nuk janë të siguruar nga rënia në mëkat, por kur gabojnë, pendohen dhe nuk vazhdojnë me to, siç thotë Allahu: “Dhe ata të cilët kur bëjnë vepra të turpshme, ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun e i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush mund t’i falë gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk vazhdojnë me gabimet që kanë bërë, kur e dinë.” (Ali Imran : 135)
[1] Komenti i këtij ajeti, me të cilin është emërtuar njëra nga temat e librit, do të bëhet më pas.