Nga Ibn Mesudi përcillet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush vdes duke lutur dikë tjetër përveç Allahut, hyn në Zjarr.” [1]
– “… duke lutur dikë tjetër përveç Allahut …”. Domethënë i bën Allahut rival, sido që të jetë lutja e tij, lutje adhurimi apo lutje kërkimi, sepse vetë lutjet ndahet në dy lloje:
- Lutjet e adhurimit, si: namazi, agjërimi, haxhi, etj., të cilat i përkasin adhurimeve. Kur njeriu falet ose agjëron, e ka lutur Zotin e tij me gjendjen e tij që ta falë dhe ta shpëtojë nga ndëshkimi e t’i japë prej mirësive të Tij. Kjo qëndron në thelbin e namazit, por ai përmban edhe lutje kërkimi. Për këtë lloj lutjeje tregon fjala e Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem…” (Gafir : 60). Këtu, lutja është quajtur adhurim. Ky adhurim është shirk nëse bëhet për dikë tjetër veç Allahut. Kur dikush ia kushton një lloj adhurimit dikujt tjetër veç Allahut, ka rënë në kufër që të nxjerr nga feja, për shembull, kur bën ruku ose sexhde për ndonjë person, duke e madhëruar atë, siç madhëron Allahun. Kush e bën këtë është idhujtar. Për këtë arsye, Profeti (alejhi selam) ka ndaluar përkuljen e trupit përpara në shenjë nderimi, në takime. Kur u pyet nëse një burrë që takon vëllain e tij, duhet ta përkulë trupin për të apo jo, tha: “Jo.” [2] Ndryshe veprojnë disa injorantë, të cilët kur të përshëndesin, përkulen. Është detyrë për çdo besimtar që ta ndalojë këtë ves, sepse kështu njerëzit madhërojnë njëri-tjetrin, duke cenuar fenë.
- Lutja e kërkimit, e cila nuk është në të gjitha rastet shirk, por ka shtjellim. Nëse një krijesë ka mundësi reale ta plotësojë kërkesën që i bëhet, nuk është shirk, si për shembull kur i kërkon ujë për të pirë dikujt që ka mundësi të të japë. I Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Kur dikush ju fton, përgjigjuni atij.” [3] Allahu thotë: “Kur të afërmit, jetimët dhe të varfërit ndodhen aty në kohën e ndarjes (së pasurisë), jepuni edhe atyre nga pasuria…” (Nisa : 8). Ndërsa të lusësh krijesën për diçka që mund të ta japë vetëm Allahu, është shirk që të nxjerr nga feja, për shembull nëse i lutemi dikujt që të sjellë shi, duke besuar se ai është i fuqishëm për ta bërë këtë, etj.
– “… Kush vdes duke lutur dikë tjetër përveç Allahut …” nënkuptohet shirku me lutjen e adhurimit, kurse shirku me lutjen e kërkimit është sipas sqarimit të lartpërmendur. Për fat të keq, në disa vende islame, ka nga ata që besojnë se një person që është varrosur dhe i ka mbetur vetëm kufoma, ose edhe kufomën e ka kalbur toka, bën dobi ose dëm, besojnë se mund ta bëjë një grua shterpë që të lindë fëmijë. Ky besim – Allahu na ruajtë – është shirk i madh, që të nxjerr nga feja, dhe është më i keq sesa vepra e pirjes së alkoolit, imoralitetit apo homoseksualitetit, sepse është vepër kufri, e jo vetëm vepër mëkati.
– “… hyn në Zjarr” – Domethënë, hyn në të përgjithmonë, edhe pse shprehja nuk tregon për këtë, sepse fjala ‘hyn’ nuk e përcakton kohën e qëndrimit. Gjithashtu Allahu thotë: “Nuk ka dyshim se kushdo që i vë shok Allahut, Allahu ia ka bërë haram (të ndaluar) Xhennetin, dhe vendbanimi i tij do të jetë Zjarri; dhe për zullumqarët nuk do të ketë asnjë ndihmues.” (Maide : 72). Nëse i bëhet haram Xhenneti, kjo do të thotë se ai do të jetë i përhershëm në Zjarr. Atëherë, është detyrë të frikësohemi nga politeizmi, përderisa ndëshkimi i tij është ky. Politeisti ka humbur ahiretin, sepse do të jetë i përhershëm në Zjarr. Po kështu, ai ka humbur edhe dynjanë, sepse nuk përfiton asgjë prej saj, ndërkohë që i është paraqitur e vërteta dhe i ka ardhur këshilluesi. Allahu thotë: “A nuk ju dhamë Ne jetë mjaft të gjatë, saqë kushdo që donte të merrte këshillim, mund ta merrte atë?! Madje juve ju erdhi edhe paralajmëruesi…” (Fatir : 37).
“Dhe nga mesi i njerëzve është edhe ai, i cili adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm): nëse i bie ndonjë e mirë, kënaqet me të, por nëse e godet ndonjë sprovë, kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (kthehet në mosbesim), duke i humbur kështu të dyja, edhe këtë botë edhe botën tjetër. Kjo është humbje e qartë. Ai në vend të Allahut lut atë që nuk mund t’i sjellë as dëm e as dobi. Pikërisht kjo është humbja pa mbarim. Ai i lutet atij, dëmi i të cilit është më afër se përfitimi i tij; sa ndihmëtarë i keq dhe sa shok i keq është ai!” (Haxh : 11-13).
“Të humburit janë ata që do të humbin vetveten dhe familjet e tyre në Ditën e Kijametit. A nuk është kjo tamam humbja e qartë?!” (Zumer : 15). Kanë humbur veten e tyre, sepse nuk kanë përfituar asgjë prej saj. Kanë humbur familjen e tyre, sepse, nëse familja janë besimtarë, do të jenë në Xhennet, dhe kështu nuk do të kënaqen me ta në ahiret. E nëse familja do të jenë në Zjarr, nuk do të kënaqen gjithashtu, sepse sa herë që futet një grup në Zjarr, mallkon të tjerët që kanë hyrë para tij. Shirku është shumë i fshehtë, aq sa ndoshta njeriu nuk e kupton ndryshe, vetëm pas një shqyrtimi të hollësishëm. Për këtë arsye disa selefë thoshin: “Nuk jam përpjekur për diçka tjetër, siç jam përpjekur për sinqeritetin.”
Çështja e shirkut nuk është e lehtë, por e vështirë, megjithëse Allahu ia lehtëson sinqeritetin njeriut, duke ia vendosur atë në qendër të vëmendjes dhe duke e bërë të synojë me punën e tij shpërblimin e Allahut të Madhëruar dhe jo lavdërimin e njerëzve ose sharjen e tyre. Njerëzit kurrë nuk mund t’i bëjnë atij dobi, edhe nëse dalin të gjithë për t’i përcjellë xhenazen. Ajo që të bën dobi është vetëm puna jote. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Të vdekurin e ndjekin tri gjëra: dy kthehen pas dhe njëra mbetet. Atë e ndjekin familja, pasuria dhe puna e tij. Pas i kthehet familja dhe pasuria, ndërsa puna e tij i mbetet.” [4]
Po kështu, është e rëndësishme për njeriun, të mos kënaqet që njerëzit pranojnë fjalën e tij, por vetëm kur mendon se ajo është e vërteta dhe duhet pranuar. Ai nuk duhet të mërzitet kur njerëzit e refuzojnë fjalën e tij, por duhet të mërzitet kur ajo është e vërteta dhe nuk duhet refuzuar, sepse kështu realizohet sinqeriteti. Sinqeriteti është shumë i vështirë, dhe vetëm kur njeriu është drejtuar tek Allahu me besnikëri të pastër për në rrugën e drejtë, Ai e ndihmon dhe ia lehtëson atë.
Nga Xhabiri përcillet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush e takon Allahun, duke mos i shoqëruar Atij asgjë, do të futet në Xhennet, dhe kush e takon Allahun, duke i shoqëruar Atij dikë tjetër, hyn në Zjarr.” [5]
– “ Kush e takon Allahun, duke mos i shoqëruar Atij asgjë, do të futet në Xhennet…” – Kjo futje në Xhennet nuk e mohon ndëshkimin sipas mëkateve, nëse ka pasur të tilla, siç tregojnë për këtë argumentet e kërcënimit, dhe kjo nëse nuk e fal Allahu, sepse ai është nën mëshirën e Tij.
– “… duke mos i shoqëruar Atij asgjë …” – Çfarëdolloj shoqërimi që i bëhet Allahut, qoftë edhe me më të nderuarën krijesë, Pejgamberin (alejhi selam), do të futet në Zjarr. E ç’mund të thuhet atëherë për atë që e konsideron Pejgamberin (alejhi selam) më të madh sesa Allahu, duke iu drejtuar atij kur është në vështirësi në vend që t’i drejtohet Allahut. Ka edhe nga ata që i drejtohen ndokujt që është nën gradën e Pejgamberit (alejhi selam), ashtu siç ka prej atyre që nuk duan t’ia dinë kur betohen në Allahun, se a betohen për një të vërtetë apo një gënjeshtër, e që kur betohen në kombësinë e vet thonë vetëm të vërtetën.
Për këtë arsye dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me atë që nuk do t’ia dijë kur betohet në Allahun, e që kur betohet në fenë e vet, ose në diçka tjetër që e madhëron, thotë vetëm të vërtetën, se një personi të tillë i kërkohet të betohet në Allah apo në ato gjëra që i madhëron? Më e sakta është se atyre duhet t’u kërkohet të betohen në Allahun, edhe nëse gënjejnë, sepse të paktën kjo nuk i shtyn ata drejt shirkut. Megjithatë, është thënë se mund ta vësh të betohet jo në Allah, sepse qëllimi është zbardhja e të vërtetës, e si rrjedhim nëse një person i tillë është gënjeshtar, ai nuk mundet të betohet. Por në fakt ky mendim nuk është i saktë sepse kur ka të drejtë, ai betohet në atë që e madhëron veç Allahut, duke rënë kështu në shirk.
Çështje për diskutim: A do të thotë hadithi se ai që futet në Zjarr për shkak se ka bërë shirk, do të qëndrojë në të përgjithmonë?
Kjo varet sipas shirkut. Nëse është shirk i vogël, atëherë ai nuk do të mbetet përherë në Zjarr, e nëse është i madh, do të mbetet përgjithmonë atje, siç tregojnë argumentet. Nëse dy hadithet: “Kush vdes duke lutur dikë tjetër përveç Allahut, do të futet në Zjarr” dhe: “Kush e takon Allahun, duke i shoqëruar Atij dikë tjetër, do të futet në Zjarr”, i referohen shirkut të madh, atëherë mund të themi se kush e takon Allahun pa bërë shirk të madh, do të futet në Xhennet. Ky do të jetë përfundimi i tij, edhe nëse ndëshkohet përpara me zjarr, sipas asaj që meriton. Nga ana tjetër, kush e takon Allahun, duke i bërë Atij shirk të madh, do të futet përgjithmonë në Zjarr. Megjithatë, ne nuk kemi nevojë për këtë shtjellim.
[1] Transmeton Buhariu.
[2] Ahmedi dhe Tirmidhiu. Sipas Albanit hadithi është i mirë.
[3] Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu, Hakimi dhe Bejhakiu. Sipas Albanit hadithi është i vërtetë.
[4] Buhariu.
[5] Muslimi.