Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që bëjnë tavaf, që rrinë aty në itikaf dhe që falen duke bërë ruku e sexhde!” (El-Bekare: 125) “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim (bëni itikaf) në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu ua shpjegon njerëzve urdhëresat, që ata të ruhen nga të këqijat” (El-Bekare: 187)
Abdullahi, i biri i Umerit (radijAllahu anhum) ka thënë: “I Dërguari (alejhi selam) qëndronte në itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit”. [1] Aishja (radijAllahu anha) thotë se i Dërguari (alejhi selam) qëndronte në itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Ai e bënte një gjë të tillë çdo vit, derisa Allahu i Lartmadhëruar i mori shpirtin. Pas Profetit (alejhi selam), qëndronin në itikaf gratë e tij. [2]
Dobi dhe rregulla
E para: Itikafi ka qenë i ligjshëm edhe për popujt para nesh.
E dyta: Itikafi është i ligjshëm. Ai është sunnet i fortë. Ai është prej adhurimeve të mëdha që të afron tek Allahu i Lartësuar, prandaj Profeti (alejhi selam) e vazhdoi rregullisht. Zuhriu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa çudi për muslimanët, si e lanë itikafin! Ndërsa Profeti nuk e la asnjëherë, qysh kur hyri në Medinë, por e vazhdoi çdo vit, në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, gjersa ia mori shpirtin Allahu i Lartësuar”. [3]
Ndërsa Ata’u El-Hurasani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Më herët thoshin: Ai që qëndron në itikaf është si robi i cili është ndalur i përulur para Zotit të tij dhe thotë: ‘O Zot, nuk do të largohem, derisa Ti të më falësh! O Zot, nuk do të largohem, derisa Ti të më falësh!” [4]
E treta: Itikafi mund të bëhet veçse nëpër xhami, edhe nëse ato janë xhami ku nuk falet xhumaja. Atë nuk e prish dalja për faljen e xhumasë, madje, edhe nëse del herët për të falur xhumanë, lejohet.
E katërta: Atyre që nuk e kanë detyrë xhumanë u lejohet të qëndrojnë në itikaf në xhamitë ku nuk falet namaz me xhemat, siç janë: xhamitë e braktisura, xhamitë e tregjeve, xhamitë që janë ndërtuar në ferma etj. [5]
E pesta: I Dërguari (alejhi selam) qëndonte në itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Kështu vepruan edhe gratë e tij (radijAllahu anhuma). Një nga synimet e qëndrimit të Profetit (alejhi selam) në itikaf ishte kërkimi i Natës së Kadrit.
E gjashta: Nuk lejohet përqafimi, përkëdhelja e prekja me trup e bashkëshortes kur je duke qëndruar në itikaf. Nëse kryen marrëdhënie intime, prishet itikafi, por nuk ka shlyerje dhe as kaza. Nga Ibn Abassi përcillet: “Nëse ai që qëndon në itikaf kryen marrëdhënie intime, i prishet itikafi, por mund ta fillojë përsëri”. [6]
E shtata: Nëse kryen marrëdhënie intime me bashkëshorten prej harresës, itikafi nuk prishet, ashtu sikurse nuk prishet agjërimi prej harresës. [7]
[1] Shënon Buhariu (1921) dhe Muslimi (1171).
[2] Shënon Buhariu (1922) dhe Muslimi (1172).
[3] Sherh Ibn Betal ala El Buhari (4\181).
[4] Referimi i mëparshëm (4\182).
[5] Shih Sherhu elmumtië (6\509).
[6] E shënon Ibn Ebi Shejbe (2\338) dhe e vlerson të saktë Albani në Irva, duke theksuar se hadithi përmbush kushtet e Buhariut e të Muslimit (4\148).
[7] Shih Istidhkarë (3\404).