Lindja e Profetit (alejhi selam)
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) lindi te njerëzit e fisit Benu Hashim, në Mekke. Ishte mëngjesi i ditës së hënë, dita e nëntë (thuhet edhe dita e dymbëdhjetë) e muajit Rabiul Ewel, në vitin e ngjarjes së Elefantit. Data 9 është më e saktë, ndërsa data 12 është më e dëgjuar. Data e dytë bie më 22 prill të vitit 571 të erës sonë. Ishte Shifaja, bija e Amrit, e ëma e AbdurrRrahman Ibn Aufit ajo që e priti foshnjën. Kur u lind Profeti (alejhi selam), prej së ëmës doli një dritë, prej së cilës shndritën edhe pallatet e Shamit.
Pastaj i dërguan fjalë gjyshit të Muhamedit (alejhi selam), Abdul Muttalibit për t’i dhënë sihariqin e lindjes së Muhamedit (alejhi selam). Abdul Muttalibi erdhi menjëherë shumë i gëzuar, e mori foshnjën, e futi në Qabe, e falënderoi Allahun, iu lut Allahut dhe ia vuri foshnjës emrin Muhamed (i Lavdëruar), sepse shpresonte që ai të ishte i lavdëruari midis njerëzve. Pastaj theri kurban për lindjen e tij, në ditën e shtatë të lindjes e bëri synet dhe sipas zakonit të arabëve, shtroi një darkë për të. Kujdestarja e foshnjës ka qenë Ummu Ejmen Bereketu el Habeshije, robëresha tek i ati, Abdullahu. Ajo jetoi derisa u bë myslimane. Emigroi në Medine dhe vdiq pesë muaj ose gjashtë muaj pas të Dërguarit të Allahut (alejhi selam).
Qumështi i gjirit për Profetin (alejhi selam)
E para grua që i ka dhënë gji Muhamedit (alejhi selam), pas nënës së tij është Thuuejbja, robëresha e Ebu Lehebit, e cila mbante ende qumësht prej birit të saj, Masruhit. Thuuejbja i pati dhënë gji më parë edhe Hamzait, birit të Abdul Muttalibit, e pas Muhamedit (alejhi selam), edhe Ebu Selemes, birit të Abdul Esed El Mahzumiut. Pra, këta të tre (Hamzai, Muhamedi dhe Ebu Seleme) ishin vëllezër qumështi, sepse kishin pirë qumësht nga e njëjta grua. Kur mori vesh për lindjen e Muhamedit (alejhi selam), Ebu Lehebi, nga gëzimi për lindjen e Muhamedit (alejhi selam), e liroi këtë robëreshë. Mirëpo kur Muhamedi filloi t’i ftonte njerëzit për në Islam, Ebu Lehebi u bë nga armiqtë e tij më të egër.
Muhamedi në fisin Benu Sa’d
Arabët e kishin traditë që për fëmijët e porsalindur të kërkonin në zonat malore grua që t’i jepte gji. Ata vepronin kështu për t’i larguar foshnjat nga sëmundjet e qyteteve, për t’i forcuar fizikisht dhe për ta mësuar gjuhën arabe të pastër që në djep. Disa gra nga fisi Benu Sa’d bin Bekr bin Hauazin vinin për të kërkuar foshnja gjiri. Të gjithave ua paraqitën profetin Muhamed (alejhi selam), por ato nuk pranuan ta merrnin sepse ishte jetim.
Njëra nga gratë, meqënëse nuk gjeti të tjerë, mori Profetin (alejhi selam). Ajo qe Halimja, bija e Ebu Dhuejbit. Ajo pati aq mirësi prej tij, sa e patën zili të tjerat. Emri i vërtetë i Ebu Dhuejbit, babait të Halimes, ishte Abdullah Ibn el Harith. Emri i të shoqit të Halimes ishte Harith, biri i Abdul Uzzas. Që të dy ishin nga fisi Sa’d Benu Bekër Benu Hauazin. Kurse fëmijët e Harith Ibn Abdul Uzzas dhe vëllezërit e qumështit të Profetit Muhamed (alejhi selam) qenë: Abdullahu, Unejsja dhe Xhedameja, e cila quhej edhe Shimae, por më shumë njihej me pseudonimin sesa me emrin. Ajo kujdesej për të Dërguarin e Allahut (alejhi selam).
Begatitë në shtëpinë ku i jepej gji Profetit (alejhi selam)
Gjatë kohës që Profeti (alejhi selam) qëndroi në atë shtëpi, erdhën shumë mirësi për njerëzit e saj. Kur Halimja erdhi në Mekke, qe kohë thatësire. Ajo kishte një gomaricë. Gomarica ishte kafsha më e ngadaltë e karvanit ngaqë ishte shumë e dobët dhe e rraskapitur. Kishte edhe një deve që nuk i jepte asnjë pikë qumësht. Halimja kishte një djalë të vogël, i cili tërë natën nuk pushonte së qari e së bërtituri sepse kishte uri dhe nuk i linte prindërit të flinin. Por kur erdhi Halimja me Profetin (alejhi selam) dhe e vuri në prehër, i erdhi gjiri e iu shtua qumështi; foshnja piu dhe u ngop. Piu edhe djali i saj i vogël, derisa u ngop dhe fjetën gjumë. I shoqi shkoi te deveja dhe pa se ajo kishte tërë atë qumësht. E moli, pinë të dy sa u ngopën, fjetën dhe kaluan një natë shumë të mirë.
Halimja me të shoqin dolën për të shkuar te stepat e Beni Sa’dit. Ajo i hipi gomaricës dhe e mori me vete edhe Profetin. Gomarica ecte aq shpejt sa ia kaloi karvanit dhe asnjë nga gomerët nuk mund ta arrinte dot. Halimja me të shoqin arritën në vendin ku banonte fisi Beni Sa’d. Ishte një nga vendet më të thata. Për habi, panë se delet e tyre vinin në mbrëmje të ngopura, me gjinj plot qumësht. I milnin delet dhe pinin qumësht me bollëk, në një kohë kur bagëtitë e të tjerëve nuk jepnin asnjë pikë qumësht. Kështu, Halimja me të shoqin panë shumë mirësi prej Allahut gjatë kohës që Muhamedi (alejhi selam) qëndroi tek ata. Pasi u plotësuan dy vjet, Halimja ia ndërpreu gjirin. Tashmë ai ishte zhvilluar dhe forcuar fizikisht.