Ebu Hureja (radijAllahu anhu) tregon: “Ndërkohë që ne ishim ulur me të Dërguarin (alejhi selam), erdhi një burrë dhe tha: “U shkatërrova, o i Dërguari i Allahut!”- “Pse u shkatërrove?” – i tha ai. Ai u përgjigj: “Kam kryer marrëdhënie intime me gruan time në Ramazan”. Profeti (alejhi selam) i tha: “A ke pasuri të lirosh një rob?” Ai tha: “Jo!” – “A mundesh të agjërosh dy muaj pa ndërprerje?” – e pyeti. – “Jo!” – i tha sahabi. Profeti (alejhi selam) e pyeti: “A ke me se të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” – “Jo” – u përgjigj ai.
Profeti priti njëfarë kohe dhe pastaj i sollën një kosh me hurma arabie (rreh 30 kg – sh.p). Profeti (alejhi selam) i tha: “Merri këto dhe jepi sadaka! Ai tha: “T’ua jap atyre që janë më të varfër se ne?! Pasha Allahun, nuk ka shtëpi në Medine më nevojtare për to sesa ne!” Profeti (alejhi selam) qeshi derisa iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Shko dhe ushqe me to familjen tënde!”. [1]
Dobi dhe rregulla
E para: Kush kryen marrëdhënie intime gjatë ditës së Ramazanit pa arsye, siç janë: udhëtimi, harresa apo detyrim me forcë, ka kundërshtuar Allahun e Madhëruar, ka bërë gjynah. Ai duhet të pendohet dhe njëkohësisht duhet ta vazhdojë agjërimin e asaj dite. Gjithashtu, agjërimi i asaj dite quhet i prishur, prandaj është e detyrueshme shlyerja e tij. [2]
E dyta: Për shlyerjen (kefare-n) respektohet kjo radhë: së pari, fillohet me lirimin e robit. Nëse nuk ka mundësi, agjëron dy muaj pa ndërprerë, e nëse nuk mundesh, ushqen gjashtëdhjetë të varfër.
E treta: Nga hadithi përfitohet se burrit i lejohet të tregojë gjëra që ndodhin mes tij dhe gruas, nëse është e nevojshme. [3]
E katërta: Nëse njeriu bën ndonjë gjynah dhe pyet për gjykimin e tij apo çfarë detyrimi ka, kjo nuk konsiderohet shfaqje e gjynahut. [4]
E pesta: Sjellja e butë me ata që mëson, përfitimi i zemrave në fe, pendimi për mëkatin e bërë dhe ndjenja e frikës nga Allahu i Lartësuar. [5]
E gjashta: Lejohet t’i jepet ushqimi i shlyerjes një familjeje. [6]
E shtata: Interesimi që tregonin shokët e Muhamedit (alejhi selam) për pastrimin e nefsit, për të shpëtuar nga shkaqet e dënimit. [7]
E teta: Personi që ka detyrë shlyerjen i lejohet të hajë prej ushqimit të kefare-s (shlyerjes) nëse nuk ka ç’të japë, gjithashtu një personi të tillë i lejohet që këtë masë ushqimi t’ia japë sadaka dhe familjes së tij. [8]
E nënta: Burri ka detyrë të shpenzojë për familjen edhe kur nuk ka ç’të shpenzojë. Buhariu – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë! – ka titulluar një nënkapitull në librin e tij: “Shpenzimi i të varfërit për familjen”. [9]
E dhjeta: Kjo shlyerje e rëndë është për atë që e prish agjërimin me marrëdhënie intime, jo për ata që e prishin me të ngrënë e të pirë. Sipas kësaj që u përmend, jepet edhe fetvaja nga dijetarët. [10]
E njëmbëdhjeta: Gëzimi i prijësit me kryerjen e nevojave të vartësve, qofshin ato që kanë lidhje me këtë botë dhe me botën tjetër. [11]
E dymbëdhjeta: Njeriut i lejohet që të ankohet për hallin që ka tek dikush që ka mundësi ta ndihmojë, nëse kjo nuk tregon pakënaqësi me caktimin e Zotit.
E trembëdhjeta: Nëse ka kryer marrëdhënie intime në një ditë të Ramazanit, dy herë ose më shumë, dhe nuk ka bërë shlyerjen e këtij gjynahu, ai bën vetëm një shlyerje, dhe për këtë nuk ka mospajtim mes dijetarëve. [12]
E katërmbëdhjeta: Nëse kryen marrëdhënie intime në dy ditë të Ramazanit apo më shumë, muslimani ka detyrë të bëjë shlyerje për çdo ditë të Ramazanit. [13]
E pesëmbëdhjeta: Nëse muslimani kryen marrëdhënie intime kur është duke agjëruar për të zëvendësuar (kaza) ditët që ka prishur në Ramazan, atij i prishet agjërimi dhe ka detyrë të agjëroj atë ditë më vonë, dhe nuk e ka detyrë shlyerjen, sepse shlyerja bëhet vetëm për shkak të shkeljes së shenjtërisë së Ramazanit, sipas mendimit më të saktë, ndërsa agjërimi kaza nuk e ka një shenjtëri të tillë. [14]
E gjashtëmbëdhjeta: Kushdo që e gjen agimi duke kryer marrëdhënie intime dhe e shkëput kontaktin menjëherë, nuk ka detyrë asgjë. Nëse vazhdon kontaktin me gruan, ai është mëkatar, prandaj duhet të pendohet dhe ka detyrë shlyerjen, por këtë ditë duhet të vazhdojë të ruhet nga gjërat që e prishin agjërimin. [15]
E shtatëmbëdhjeta: Kush e prish agjërimin duke ngrënë ose pirë për të kryer marrëdhënie intime, ai është mëkatar, për shkak të prishjes së agjërimit pa arsye dhe mashtrimit në fe. Ndaj tij nuk bie detyrimi i shlyerjes. [16]
E tetëmbëdhjeta: Mësojmë për tolerancën dhe lehtësinë që karakterizojnë legjislacionin e kësaj feje (Sheriatin). Toleranca dhe lehtësia shfaqen qartë në rastin e këtij burri, i cili bëri këtë mëkat kaq të madh në Ramazan. Ai shkon i frikësuar tek Profeti (alejhi selam), dhe thotë: “U shkatërrova!”. Në një variant tjetër thuhet: “Mendoj se jam shkatërruar!”. Kjo tregonte që ai ishte penduar, dhe Allahu ia pranoi pendimin. Profeti (alejhi selam) i dha hurmat e arabisë për ta shlyer atë mëkat, ndërsa ai ia dha familjes së vet, ngaqë ishin shumë të varfër. Për këtë arsye qeshi i Dërguari (alejhi selam). [17]
E nëntëmbëdhjeta: Nëse njeriu nuk e di se është ditë Ramazani dhe kryen marrëdhënie intime, mendimi më i saktë është se ai nuk e ka detyrë shlyerjen. [18]
E njëzeta: Nëse kryen marrëdhënie intime me harresë, agjërimin e ka të saktë dhe nuk ka detyrë as shlyerjen dhe as agjërimin kaza. [19]
[1] Shënon Buhariu (1834) Muslimi (1111).
[2] Fetava erkan el Islam i Ibn Uthejminit (474) dhe Sherhu el mumtië (6\401). Shumica e dijetarëve janë të mendimit që ai duhet ta zëvendësojë atë ditë, shih: Mufhim (3\172. Rreth kësaj zëvendësimit (kazasë) së kësaj dite ka sjell një hadith Ebu Daudi (2287), Maliku (1\297) dhe Darelkutni (2\190). Ku thuhet se Pejgamberi e urdhëroi atë ta agjërojë kaza atë ditë, por ky transmetim ka probleme. Edhe transmetimi tjetër që gjendet tek Ebi Daudi (2393), në të cilën përmendet se duhet ta agjëroj kaza atë ditë, është shadh (i pasaktë, jonormativ), sepse katër transmetus kanë kundërshtuar dyzet trasmetues të tjerë, shih Tehdhib sunen të Ibn Kajimit (7\18-19). Mendimi i dytë është se ai nuk e agjëron kaza. Këtë mendim e ka përkrahur Shejh el Islam Ibn Tejmije, duke thënë: “Po ta kishte urdhëruar për diçka të tillë, nuk do ta kishin lënë pa transmetuar gjithë këta transmetues. Kjo është një dispozitë që duhej sqaruar, që do të thotë se përderisa nuk e ka urdhëruar për ta bërë kaza, kjo tregon që zëvedësimi (kazaja) i kësaj dite nuk i pranohet “. Marrë nga Hakikatu es-sijam (25- 26).
[3] Fet’hu el bari i Ibn Haxherit (4\173).
[4] Sherh Ibn Mulkin alaelumdeti (5\215).
[5] El Feth (4\173).
[6] Rferimi i më parshëm (4\174).
[7] Bulug elmeram me shpjegimin e Fajrabit (1\426).
[8] Blug el meram me shpjegimin e Fajrabit (1\426).
[9] Shih Buhari (5\2053). Shih: Shrh Ibn Mulkin ala elumdeti (5\254).
[10] Në kundërshtim me Hanefitë dhe Malikitë të cilët thonë se edhe ai që ha e pi duhet të bëj kefare-n. Shih: El Mufhim (3\173). Mendimi tjetër është që nuk është detyrë shlyerja e rëndë për ngrënien dhe pirjen, dhe ky është mendimi i shafive dhe hanbelive, bazuar në kuptimin e drejtpërdrejtë të tekstit të hadithit të mësipër në të cilin kjo kefare e rëndë është caktuar për prishjen e ditës së ramazanit me marrëdhënie intime, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, nuk përmendet gjë në të për gjërat e tjera që prishin agjërimin. Por edhe duke marrë parasyshë faktin tjetër që, parimisht, njeriu nuk ka detyrë të shlyej për veprimet e tij, përveç nëse ka ndonjë argument të qartë që veprimi duhet të shlyhet. Shih: Fetvatë e Lexhnes (93930).
[11] Bulug me shpjegim të Fejrabit (1\426).
[12] Mexhmuë (6\349) dhe Eshbah ue nedhair li Sujuti (127).
[13] Mugni (4\386) dhe el Mexhmu (6\386). Ky është qëndrimi i lexhne daime (komisionit të përhershëm të dijetarëve). Ndërsa Ibn Xhibrini (Allahu e mëshiroftë!) ka dhënë fetva se nëse muslimani kryen marrëdhënie intime në dy ditë të ramazanit dhe nuk ka bërë shlyerje për asnjërën ditë, ai e ka detyrë të bëjë vetëm një shlyerje për të dyja ditët “Fetava sijam (70).
[14] Shih: El Um (2\100), Tefsirin e Kurtubiut (2\284) dhe el Mugni. Ibn Kudame e sjell këtë mendim nga shumica e dijetarëve përveç Katades (4\378). Kështu ka dhënë fetva edhe komisioni i përhershëm i fetvave (13475).
[15] Shih: EL Mexhmu (6\316) dhe Rroudatu talibin (2\365). Në Mugni (4\379) dhe Keshaful Kinaë (2\325) sillet mendimi tjetër që thotë se, edhe nëse e shkëput kontaktin menjëherë, prishet agjërimi, sepse shkëputja e kontaktit është kënaqësi. Bejhakiu sjell në Sunen (4\219) se Ibn Umeri (r.a.) ka thënë “Nëse thirret ezani ndërkohë që burri është duke kryer marrëdhënie me të shoqen, kjo gjë nuk ka pse ta ndalojë nga agjërimi. Nëse do të agjërojë, ai duhet të çohet dhe të marrë gusl, e pas kësaj plotëson ditën e agjërimit”. Kjo është e sakta, në dashtë Allahu i Lartësuar.
[16] Shih Mexhmu fetava të Ibn Tejmijes (25\260) dhe el-ëlam el-muvaki’in (3\247).
[17] Shih: Munhat elBari (4\379) dhe Fet’hulbari (4\171).
[18] Ky është mendimi që ka zgjedhur Ibn Tejmie në Fetava (25\228), por edhe Ibn Ibrahim në fetvatë e tij (4\195).
[19] Shih: El Umm (2\99), Istidhkarë (10\111), Mufhim (3\169) dhe Sherh Ibn Mulekin ala elumdeti (5\217).