Pejgamberi (alejhi selam) e ka ndaluar umetin e tij që të hyjnë në një vend ku ka plasur murtaja, por i ka ndaluar gjithashtu të dalin nga një vend pasi atje ka rënë murtaja. Me këto këshilla të vyera, ai na ka treguar masat më të mira që mund të merren për t’u ruajtur nga kjo sëmundje e rëndë dhe për ta kufizuar atë. Pa dyshim, hyrja në vendin e epidemisë konsiderohet si futja e vetes në bela, pikërisht kur mund të shpëtosh prej saj. Ajo konsiderohet gjithashtu si dëmtim i vetvetes dhe si shpërdorim i mirësisë së shëndetit. Këto akte bien në kundërshtim me sheriatin dhe logjikën e drejtë.
Mos’hyrja në këto zona është masë parandaluese e domosdoshme, për të cilën Allahu ka porositur në Kur’an: “Shpenzoni për Hir të Allahut dhe mos e çoni veten drejt shkatërrimit. Bëni mirë se, me të vërtetë, Allahu i do bamirësit!” (Bekare : 195) “O ju që keni besuar, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes njëri-tjetrit, dhe mos e vrisni veten tuaj. Vërtet, Allahu është i mëshirshëm me ju.” (Nisa : 29) Veprimi i kundërt është i pajustifikueshëm dhe i patolerueshëm.
Ndërsa nga ndalesa për të ikur prej vendit të epidemisë, pasi ajo është përhapur, dalin dy mësime:
- Edukimi i njeriut me besimin dhe sigurinë e plotë në Allahun, në mbështetjen e plotë tek Ai, në durimin e bukur me përcaktimin e Zotit dhe kënaqësinë me të.
- Është ajo që kanë thënë specialistët e mjekësisë: Për këdo që kërkon të ruhet nga kjo epidemi është detyrë që të largojë nga trupi i tij lagështinë e trupit, të pakësojë ushqimin dhe të kufizohet vetëm në përdorimin e një diete të thatë. Këto masa parandaluese nuk duhet të shoqërohen me asnjë ushtrim fizik apo larje me ujë të nxehtë, sepse ato ndihmojnë në zhvillimin e ndonjë mbeturine të infektuar, që ndonjëherë mbetet në trup dhe mund të përzihet me lëngjet e stomakut dhe, në këtë mënyrë, mund të shkaktojë ndërlikime të mundshme, ndërkohë që murtaja është dominuese dhe e përhapur. Gjatë kohës kur përhapet murtaja, është detyrë të bëhet pushim, të kontrollohen emocionet, të kufizohet lëvizja, në mënyrë që të ruhet fuqia dhe sistemet natyrore të imunitetit të punojnë qetësisht. Shqetësimi shpirtëror dhe paniku që vjen nga largimi prej vendit ku ka rënë murtaja, shpeshherë janë më shqetësues, prandaj kërkojnë një trajtim dhe vëmendje të veçantë. Këto lloj ndjenjash të fuqishme duhen kontrolluar dhe qetësuar, sepse çdo lëvizje në rrethana të tilla sjell pasoja të dëmshme për trupin. Duke qenë se dalja nga vendi i epidemisë kërkon lëvizje të shumta, të cilat janë të dëmshme, ndalesa e Profetit (alejhi selam) është shumë e rëndësishme dhe e drejtë. Ky është mendimi i mjekëve më të mirë të kohëve të fundit.
Prej ndalesës që Pejgamberi (alejhi selam) ka bërë për vajtjen në vendin e epidemisë, nxirren mjaft mësime, nga të cilat mund të përmendim.
- Është detyrë ruajtja dhe marrja e masave për t’iu shmangur çdo gjëje dëmtuese dhe për të qëndruar larg tyre.
- Ruajtja e shëndetit është një qëllim për të cilin janë ligjëruar të gjitha masat e mundshme, sepse ajo mundëson një jetë normale dhe të mirë.
- Është e ndaluar thithja e ajrit apo e lëndëve të dëmshme që sjellin sëmundje.
- Është e ndaluar përzierja me të sëmurë (pa masa mbrojtëse), sepse kjo shkakton përhapjen e sëmundjes. Në Sunen-in e Ebu Daudit është një hadith merfu, që thotë: “Me të vërtetë, përzierja me të sëmurët (el karfu) sjell shkatërrimin (sëmundje, vdekje).” Ibn Kutejbe thotë se el karfu quhet përzierja me të prekurit nga sëmundja infektive.
- Ruajtja e trupit dhe e shpirtit nga sëmundjet ngjitëse, por edhe nga besëtytnitë, të cilat dëmtojnë vetëm ata njerëz që u besojnë atyre.
Me fjalë të tjera, Pejgamberi (alejhi selam), kur na ndaloi që të hyjmë në vendin e epidemisë, në të vërtetë na udhëzoi për masat që duhet të marrim për t’u ruajtur nga çdo gjë e dëmshme dhe për t’i prerë rrugën çdo shkaku që sjell shkatërrim. Ndërsa ndalesa për të mos dalë prej atij vendi pas përhapjes së epidemisë në të, është një udhëzim për të kultivuar mbështetjen dhe besimin e plotë në Allah, pranimin, dorëzimin dhe lënien e çështjeve me kënaqësi në dorën e Zotit. I pari është një edukim për t’u ruajtur nga çdo gjë e dëmshme, ndërsa i dyti është mësim për të pranuar me kënaqësi caktimin e Zotit, duke e lënë çështjen në dorën e Tij.
Një hadith i saktë thotë se Omer Ibn Hattabi u nis drejt Shamit dhe, gjatë rrugës, pikërisht në Sarg, [1] u takua me Ebu Ubejde Ibn Xherrah dhe shpurën e tij. Ata e njoftuan se në Sham kishte rënë një epidemi. Atëherë, njerëzit (ushtria muslimane) ranë në kundërshtim: a të hynin atje apo jo? Omeri i tha Ibn Abassit: “Më thirr muhaxhirët (të shpërngulurit) më të vjetër!” Ibn Abassi tregon e thotë: “Unë i ftova dhe ai u këshillua me ta rreth epidemisë që kishte goditur Shamin dhe mundësisë për të hyrë në të. Ata patën mendime të ndryshme. Disa thoshin: “Ne jemi nisur me një qëllim, dhe nuk e shohim me vend që të kthehemi pas.” Të tjerët thoshin: “Me vete ke një pjesë të madhe të sahabëve të Profetit (alejhi selam), dhe nuk e shohim me vend që të futesh në atë vend, ku ka rënë një epidemi.” Pasi i dëgjoi, Omeri u tha të largoheshin dhe urdhëroi që t’i paraqiteshin ensarët (pritësit e të shpërngulurve), dhe unë (thotë Ibn Abassi) i ftova ata. Pasi ai u kërkoi mendim për çështjen, edhe këta patën të njëjtat mendime si muhaxhirët. Pasi edhe këta u larguan, Omeri kërkoi që të hynin pleqësia dhe të urtët e kurejshëve, pra ata që pranuan Islamin pas çlirimit të Mekkës. Unë i ftova ata dhe, pasi u kërkua mendimi i tyre, ata, unanimisht e pa asnjë kundërshtim, dhanë mendimin që të ktheheshin menjëherë pas dhe të mos i afroheshin asaj epidemie. Si rrjedhojë, Omeri njoftoi njerëzit se në mëngjes do të niste udhëtimi i kthimit. Ebu Ubejde Ibn Xherrah iu drejtua Omerit dhe i tha: “O Prijësi i besimtarëve! A po ikën (duke dashur të shpëtosh) nga caktimi i Allahut?!” Omeri iu përgjigj: “Ah, sikur ta thoshte dikush tjetër këtë fjalë, o Ebu Ubejde! Po, ne po ikim nga kaderi i Allahut, për të shkuar po në kaderin e Allahut të Lartësuar! Përfytyro sikur ke deve që dëshiron t’i kullotësh dhe para teje ke dy lugina: një të gjelbëruar dhe një tjetër të thatë dhe të shkretë. Nëse i kullot në luginën e gjelbëruar, a nuk do të ishte kjo një zgjedhje e jotja me kaderin e Allahut? Po nëse i kullot në luginën e shkretë, a nuk do të ishte edhe kjo po zgjedhje e jotja me kaderin e Allahut të Lartësuar?” Ndërkohë, afrohet Abdurrahman Ibn Auf, i cili sapo kishte ardhur në kampin e muslimanëve, dhe thotë: – Unë kam dije rreth kësaj çështjeje, sepse e kam dëgjuar Profetin (alejhi selam) të thotë: “Nëse epidemia përhapet diku dhe ju jeni në atë vend, mos u largoni prej andej për t’i shpëtuar sëmundjes. Por nëse dëgjoni se epidemia është përhapur në një vend, atëherë mos u futni aty!” [2]
[1] Sarg – është një fshat në rrethinat e Shamit, në kufi me Hixhazin.
[2] Buhariu, në kapitullin Mjekësia; Muslimi, me numër 2219.