Kapitulli i Pastërtisë – Tema 18
(Nr. 31) Na ka treguar Muslim Ibn Ibrahimi dhe Musa Ibn Ismaili të cilët kanë thënë: Na ka treguar Ebani, këta thonë se na ka treguar Jahjau, nga Abdullah Ibn Ebi Katade, e ky nga babai i vet, i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem): “Nëse ndonjëri prej jush e kryen nevojën e vogël, mos ta prekë organin (penisin) me dorën e djathtë. Nëse shkon në nevojtore mos ta pastrojë (anusin) me dorën e djathtë. Nëse pi (diçka), mos ta pijë përnjëherë (por me ndërprerje)”. (Hadith i saktë – Albani)
(Nr. 32) Na ka treguar Muhammed Ibn Adem Ibn Sulejman El-Missisiu, i cili thotë na ka treguar Ibn Ebi Zaide, ka thënë më ka treguar Ebu Ejub – El-Efrikiu, nga Asimi, ky nga El-Mussejjeb Ibn Rafi’i dhe Ma’bedi nga Harithi Ibn Veh’be El-Huzaiu, i cili ka thënë më ka thënë Hafseja, bashkëshortja e Pejgamberit (salAllahu alejhi we selem): “Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) dorën e djathtë e përdorte për ushqim, për pije dhe për rrobat (veshmbathje), kurse të majtën e përdorte për gjëra të tjera”. (Hadith i saktë – Albani)
(Nr. 33) Na ka treguar Ebu Teube Er-Rebi Ibn Nafi’i, i cili ka thënë më ka thënë Isa Ibn Junus, nga Ibn Ebi Arube, ai nga Ebi Ma’sheri, ky nga Ibrahimi, e ky nga Aishja, e cila ka thënë: “Dora e djathtë e të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi we selem) ishte për pastrimin dhe ushqimin e tij, kurse dora e majtë e tij ishte për në nevojtore dhe për gjëra të tjera që janë të ndyra”. (Hadith i saktë – Albani)
(Nr. 34) Na ka treguar Muhammed Ibn Hatim Ibn Buzejgi, këtij i ka treguar Abdulvehab Ibn Atai, nga Seidi, ky nga Ebi Ma’sher, ai nga Ibrahimi, ky nga El-Esvedi, e ky nga Aishja, kjo nga Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem), (një hadith tjetër) me kuptim të ngjashëm (që u theksua më sipër). (Hadith i saktë – Albani)
(Sunen Ebu Davud)