Me zgjerimin e sundimit, Islamin nisën ta përqafonin edhe shumë popuj të tjerë joarabë. Kjo bëri që disa nga sahabët të frikësoheshin se mund të ndodhnin mosmarrëveshje në lidhje me leximin e Kur’anit ose mund të harrohej ndonjë pjesë e tij. Këtë problem e vuri në dukje, për herë të parë Hudhejfeh Ibn Jemani në çlirimin e Armenisë dhe Azerbajxhanit, ku ushtria përbëhej nga banorët e Shamit, të cilët e kishin mësuar Kur’anin sipas leximit të Mikdad Ibn el Esuedit dhe Ebu Derdasë, si dhe nga banorët e Irakut, të cilët e kishin mësuar Kur’anin sipas leximit të Ebu Musa el Eshariut dhe Ibn Mes’udit.
Ky ndryshim dialektor në leximin e Kur’anit krijoi njëfarë paqartësie tek masa e gjerë, të cilët nuk kishin njohuri mbi dialektet e leximit të Kur’anit. Hudhejfeja shkoi tek Uthmani dhe i propozoi që të merreshin masa për ta shmangur keqkuptimin që lindte mes atyre që nuk e dinin se lejohej të lexohej Kur’ani sipas shtatë dialekteve (kiraeteve) [1] të gjuhës arabe. Uthmani (radijAllahu anhu) mblodhi sahabët dhe pasi u konsultua, arriti në përfundimin se ishte më mirë që Kur’ani të shkruhej sipas një dialekti të vetëm dhe të gjithë muslimanët kudo që ndodheshin t’i përmbaheshin atij leximi.
Siç dihet, Kur’ani ishte në një kopje të vetme që në qeverisjen e Ebu Bekrit. Kjo kopje gjendej tek nëna e besimtarëve Hafsa, vajza e Umerit (radijAllahu anhu). Uthmani kërkoi nga Hafsa që t’ia dorëzonte këtë kopje të Kur’anit dhe më pas urdhëroi Zejd Ibn Thabitin, Abdullah Ibn Zubejrin, Seid Ibn El Asin dhe Abdurrahman Ibn Harithin, të cilët, së bashku, duhej që të shkruanin Kur’anin, duke u bazuar në kopjen e Kur’anit të Hafsës.
Ai i porositi: “Nëse ndodh të keni mospajtim rreth ndonjë ajeti, shkruajeni sipas dialektit kurejsh sepse në atë dialekt ka zbritur.” Më pas, Uthmani urdhëroi që ky Kur’an të shumëfishohej dhe të shpërndahej në të gjitha vendet, e më pas të shumëfishoheshin kopjet duke u bazuar në kopjen mëmë. Ai dërgoi një kopje të Kur’anit në Sham, një në Egjipt, një në Basra, një në Kufe, një në Mekke dhe një e mbajti në Medinë. Uthmani dha urdhër që çdo Kur’an i ndryshëm nga ky, duhej të digjej, me qëllim që të mos mbetej vend për keqkuptime. [2]
Ebu Bekër Ibn Ebu Daud es-Sixhistanij [3] transmeton nga Suejd Ibn Gafleh se ai ka thënë: “Në lidhje me sipërmarrjen e Uthmani i cili urdhëroi për djegien e mus’hafeve dhe standartizimin e versionit kurejshit të Kur’anit, Aliu më pati thënë: “Nëse nuk do ta bënte ai, do ta bëja unë.”
[1] Këto dialekte janё: 1) Dialekti i fisit Kurejsh 2) Dialekti i Jemenit 3) Dialekti i fisit Hudhejl 4) Dialekti i fisit Temim 5) Dialekti i fisit Heuazin 6) Dialekti i fisit Kinaneh 7) Dialekti i fisit Thekif
[2] Transmeton Buhariu, nr. 4 987
[3] Në el Mesahif , fq. 62 dhe Sujutij në Musned Alij, nr. 295