Muslimi sjell hadithin e Xhabir Ibn Abdullahit, i cili tregon: “Në delegacionin nga Thekifi ishte dhe një burrë i sëmurë me lebër, që kishte ardhur për t’i dhënë besën Profetit (alejhi selam). Por Pejgamberi (alejhi selam) dërgoi dikë tek ai për t’i përcjellë: Mund të largohesh, se e pranuam besën tënde!” [1]
Buhariu, në Sahih-un e tij, sjell një hadith nga Ebu Hurejra, jo me sened të plotë, se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Vrapo të largohesh nga lebra, sikurse vrapon për t’u larguar nga luani!” [2]
Në Sunen-in e Ibn Maxhes është hadithi i Ibn Abassit, se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Mos i vështroni gjatë të sëmurët me lebër!” [3]
Buhariu, në Sahih-un e tij, sjell një hadith të përcjellë nga Ebu Hurejra se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Njeriu i shëndetshëm nuk duhet t’i afrohet atij që është prekur nga një sëmundje ngjitëse!” [4]
Përcillet gjithashtu se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Të sëmurit me lebër foli një ose dy shtiza larg!” [5]
Lebra është një sëmundje ngjitëse që shkaktohet nga grumbullimi i vrerit të zi në të gjithë trupin, i cili tjetërson temperamentin dhe formën e organeve. Në fazën përfundimtare të saj, sëmundja shkakton një brejtje aq të keqe, saqë gjymtyrët e prekura nisin të këputen dhe të shpërbëhen. Lebra është quajtur edhe si “sëmundja e luanit”, për tri arsye:
- së pari, ajo zakonisht prek luanët (ose kafshët e egra);
- së dyti, ajo e rrudh fytyrën e të sëmurit, duke i dhënë një pamje si të luanit;
- lebra është aq ngjitëse dhe aq intensive, saqë e gllabëron viktimën e saj, sikurse luani.
Lebra është sëmundje infektuese dhe ai që i afrohet lebrozit shqetësohet nga duhma e rëndë e tij, njëlloj sikur të jetë me turbekuloz. Pejgamberi (alejhi selam), njeriu më i dhimbsur dhe më dashamirës ndaj popullit të tij, urdhëroi që ata të mos i afroheshin çdo lloj gjëje që mund t’u shkaktonte atyre ndonjë dëmtim për trupin a për zemrën.
Nuk ka dyshim që disa trupa janë shumë të prekshëm nga sëmundjet dhe ndikohen mjaft lehtë nga mjedisi përreth dhe, siç e thamë më lart, lebra është sëmundje ngjitëse. Ndonjëherë, vetëm frika e dikujt ndaj një sëmundjeje mund të ndihmojë që sëmundja ta prekë realisht atë person, pasi frika i përgatit organet e trupit që t’i nënshtrohen më lehtë sëmundjes. Po ashtu, kur dikush ndien erën e rëndë që çlirohet nga trupi i disa të sëmurëve, ai mund të preket nga e njëjta sëmundje që i ka kapur ata, nëse ka një shëndet të brishtë.
Tirmidhiu sjell prej Xhabir Ibn Abdullahit rrëfimin se, njëherë, Pejgamberi (alejhi selam), duke kapur për dore një burrë të sëmurë me lebër, e futi dorën e të sëmurit në enën me ushqim dhe i tha: “Ha, duke thënë Bismilah, me besim të plotë në Allahun dhe duke iu mbështetur plotësisht Atij.” Këtë episod e shënon edhe Ibn Maxhe.
Disa thonë që të tilla hadithe janë shfuqizuar nga disa hadithe të tjera. Ata sjellin, për shembull, thënien e Profetit (alejhi selam) se: “Nuk ka sëmundje ngjitëse dhe as shenja ogurzeza!” [6]
Megjithatë, ne deklarojmë se asnjëherë nuk ka kundërshti mes haditheve autentike dhe, për këtë, falënderimi i takon Allahut. Nëse vërtet ka kundërthënie të qarta, atëherë njëri hadith nuk duhet të jetë autentik. Ndodh që një përcjellës i hadithit të ketë gabuar, ndonëse mund të ketë qenë njeri i besueshëm. Por mund të ndodhë, gjithashtu, që një hadith kundërthënës ta ketë shfuqizuar tjetrin.
Nga ana tjetër, nuk ka dy hadithe autentike, të dy me kuptim të drejtpërdrejtë, të cilët ta kundërshtojnë njëri-tjetrin në çdo aspekt të tyre. Allahu nuk lejoi që i Dërguari i Tij të binte në kundërshtim me veten, prandaj çdo gjë që ka artikuluar Pejgamberi (alejhi selam) ishte e vërteta e padiskutueshme. Problemet dhe gabimet vijnë ndonjëherë prej përcjellësve të hadithit, nga pamundësia për të cekur kuptimin e plotë të disa haditheve, ose nga paaftësia për të dalluar autentikun nga hadithi i sajuar. Allahu i jep sukses atij që Ai dëshiron!
Ibn Kutejbe, në librin e tij Ihtilaful Hadith, kur flet për armiqtë e hadithit, shkruan: “Ata thonë: “Këto hadithe janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Ju deklaroni se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë që: “Nuk ka sëmundje ngjitëse dhe as shenja ogurzeza.” Është edhe një rast tjetër kur atij (alejhi selam) i është thënë: “Zgjebja në fillim prek buzët e devesë, pastaj devetë e tjera i kap lebra”. E ai është përgjigjur: “Po të parën kush e sëmuri?”
Ju, po ashtu, tregoni hadithin: “Njeriu i shëndetshëm nuk duhet t’i afrohet atij që është prekur nga një sëmundje ngjitëse!” Ose: “Vrapo të largohesh nga lebra, sikurse vrapon për t’u larguar nga luani!” Ose: “Të sëmurit me lebër foli një ose dy shtiza larg.”
Ju tregoni edhe ngjarjen me delegacionin e Thekifit, ku ishte një burrë i sëmurë me lebër, që kishte ardhur për t’i dhënë besën Profetit (alejhi selam), i cili dërgoi dikë tek ai për t’i thënë: “Mund të largohesh, se e pranuam besën tënde!” Ai ka thënë gjithashtu: “Oguri i zi ndodhet në tri gjëra: te gruaja, kafsha dhe te shtëpia.” E pra, a nuk kemi të bëjmë me kundërthënie? Si e shpjegoni ju këtë?”
Ebu Muhamedi (Ibn Kutejbe), më pas, shpjegon: “Ne themi se nuk ka kundërshti, pasi çdo pohim e ka domethënien në kontekstin e vet. Kur hadithi vendoset në kontekstin e tij, atëherë kundërshtitë zhduken.
[1] Muslimi, nr. 2231.
[2] Buhariu, vëll. 10, 132.
[3] Ibn Maxhe, nr. 3543; Ahmedi, nr. 2072, me sened të fortë.
[4] Buhariu, vëll. 10, 206; Muslimi, nr. 2221.
[5] Abdullahi, djali i imam Ahmedit, vëll. 1, 78, prej Aliut. Por në sened-in e tij merr pjesë Feraxh ibn Fadale, i cili konsiderohet si i dobët. E ka shënuar edhe El Hejthemi në El Mexhmea, vëll. 5, 101.
[6] Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi.