Përcillet hadithi i Itbanit: “Me të vërtetë Allahu ia ka ndaluar Zjarrit të përfshijë atë që thotë La ilahe il’Allah, duke pasur për qëllim me të Fytyrën e Allahut.” [1]
Itban Ibn Maliku ka qenë ensar (radijAllahu anhu). Ai falej si imam te populli i tij, por iu dobësua shikimi dhe iu bë e vështirë të dilte. Kështu kërkoi nga Profeti (alejhi selam) që ai të vinte e të falej në një vend të shtëpisë së tij duke e kthyer atë në vendfalje. Profeti (alejhi selam) shkoi tek ai bashkë me një grup sahabësh, mes të cilëve ishin edhe Ebu Bekri me Omerin (radijAllahu anhum). Pasi u fut në shtëpi, e pyeti: “Ku dëshiron që të falem?” Ai iu përgjigj: “Falu këtu!”, duke i treguar vendin. Profeti u priu atyre, duke falur dy rekatë namaz. Pastaj u ul në sofrën që kishin përgatitur për të, e filluan të diskutojnë për një burrë që quhej Malik Ibn Duhejshin. Disa thanë se ai qe munafik, por Profeti (alejhi selam) ua ktheu: “Mos thoni kështu. A nuk dëshmon ai se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut?” Pastaj tha: “Me të vërtetë Allahu ia ka ndaluar Zjarrit atë që thotë La ilahe il’Allah, duke pasur për qëllim me të Fytyrën e Allahut.”
Ai i ndaloi të flisnin ashtu, me arsyen se ata nuk e dinin ç’kishte në zemrën e tjetrit, kur dihej se ai dëshmonte: La ilahe il’Allah. Profeti (alejhi selam) nuk e shpalli “të pastër” personin në fjalë, por solli një shprehje të përgjithshme: se “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit atë që thotë La ilahe il’Allah, duke pasur për qëllim me të Fytyrën e Allahut”. Ai ndaloi ta lëshojmë gjuhën ndaj njerëzve, pamja e jashtme e të cilëve është e mirë, e të themi se filani e bën për sy e faqe, ky tjetri është i prishur, etj, sepse në këtë mënyrë, nëse do të gjykonim sipas asaj që mendojmë, do të shkatërronim dynjanë dhe ahiretin e shumë njerëzve. Ne mund të mendojmë për shumë njerëz se janë të këqij, por nuk na lejohet ta themi këtë kur në dukje ata janë të rregullt. Në lidhje me këtë, dijetarët thonë se është e ndaluar të mendojmë keq për një besimtar, kur në paraqitje ai është i drejtë.
– “… ia ka ndaluar Zjarrit …” – Pra, e ruan nga Zjarri ose e ndalon Zjarrin që ta djegë atë person, gjithmonë n.q.s. personi është i sinqertë. Argument për këtë është vazhdimi.
– “ … duke pasur për qëllim me të Fytyrën e Allahut.” – Domethënë me këtë deklaratë duhet të synohet vetëm shikimi në Fytyrën e Allahut. Kush kërkon Fytyrën e Allahut, patjetër punon gjithçka që është në mundësinë e tij për t’ia arritur qëllimit; ai që realisht dëshiron diçka, përpiqet për arritjen e saj. Sipas kësaj që thamë, nuk kemi nevojë për thënien e Zuhriut (Allahu e mëshiroftë!), i cili, pasi ka sjellë hadithin, që gjendet në “Sahihun” e Muslimit, thotë: “Pas kësaj, bëhen detyrë disa gjëra dhe ndalohen disa të tjera, kështu që të mos mashtrohet ndokush me këtë.” Hadithi tregon qartë se kushti i pranimit të shprehjes La ilahe il’Allah është të kesh qëllim parjen e Fytyrës së Allahut. Për këtë arsye, disa selefë, në lidhje me këtë hadith, kanë thënë; “çelësi i Xhennetit është fjala La ilahe il’Allah, por atij që mban një çelës pa dhëmbë, nuk i hapet dera.
Shejhu i Islamit Ibn Tejmije ka thënë: “Dëshiruesi i diçkaje duhet patjetër të realizojë kushtet për arritjen e saj; në këtë rast, nëse i realizon ato (bën veprat dhe plotëson kushtet), atij i ndalohet Zjarri plotësisht. Nëse ai vjen me vepra të mira e të plota, edhe Zjarri i ndalohet plotësisht, por nëse veprat janë me mangësi, edhe dëshira është e mangët, kështu që edhe ndalimi i Zjarrit për të nuk ka për të qenë i plotë. Gjithsesi, teuhidi i tij do ta mbrojë nga qëndrimi i përhershëm në Zjarr. Nga ana tjetër, nëse dikush që bën imoralitet, pi alkool apo vjedh, e pastaj thotë: ‘Dëshmoj se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe, përmes kësaj fjale, dëshiroj Fytyrën e Tij’, ai është pretendues i rremë, pasi Profeti (alejhi selam) ka thënë: ‘Gjatë kohës kur imorali bën imoralitet, nuk është besimtar’, e mos llogarit pastaj dëshirën për Fytyrën e Allahut.”
Hadithi është njëkohësisht kundërpërgjigje ndaj murxhiave, havarixhëve dhe mutezilëve. Murxhitë thonë se mjafton për të hyrë në Xhennet thënia La ilahe il’Allah, qoftë edhe pa dëshiruar Fytyrën e Allahut. Ndërsa havarixhët dhe mutezilët thonë se vepruesi i gjynaheve të mëdha do të jetë i përhershëm në Zjarr, kur nga konteksti i hadithit del qartë se ai që bën këto gjynahe e meriton dënimin, por nuk do të ndëshkohet përjetësisht.
Ebu Seid el Hudriu përcjell nga Profeti (alejhi selam) se: “Musai tha: ‘O Zot, më mëso mua diçka, me të cilën të të përmend Ty dhe të lutem me të.’ Allahu i tha: ‘O Musa, thuaj La ilahe il’Allah.’ Ai tha: ‘O Zot, të gjithë robërit e Tu e thonë këtë!’ Allahu i tha: ‘O Musa, sikur shtatë qiejt dhe banorët e tyre, përveç Meje, si dhe shtatë tokat të jenë në një anë të peshores, dhe fjala La ilahe il’Allah në anën tjetër të saj, më shumë do të rëndojë fjala La ilahe il’Allah.”[2]
Musai (alejhis selam) kërkoi diçka me anë të së cilës arrihen dy gjëra: dhikri (përmendja) i Allahut dhe lutja, ndërsa Allahu iu përgjigj me fjalët: “Thuaj: La ilahe il’Allah”. Kjo shprehje është përkujtim i Zotit, që përmban edhe lutje, sepse ai që bën dhikër synon të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe Xhennetin e Tij.
Ibn Abassi ka argumentuar se, në këto vargje, përkujtimi i Zotit ka kuptimin “lutje”: Kur robi Ty të përkujton, i mjafton Ai të Cilin synon.
– “… të gjithë robërit e Tu e thonë këtë …” – Nuk do të thotë se fjala La ilahe il’Allah është pa vlerë, sepse Musai (alejhi selam) e njihte madhështinë e saj, por ai kërkonte diçka që të ishte e posaçme për të, sepse kjo tregon gradën dhe pozitën e një njeriu. Allahu i sqaron Musait se çfarëdo që t’i jepte, nuk do të ishte më e vlefshme se ajo deklaratë. Ajo është më e madhe dhe më e rëndë sesa qiejt dhe toka. Kjo tregon vlerën dhe madhështinë e fjalës La ilahe il’Allah, por, gjithmonë, duke përmbushur kushtet e saj. Nëse dikush e thotë thjesht me gjuhë, (sa njerëz e thonë atë!) ajo për ta është pa peshë, si pupël, sepse nuk e ka thënë në atë formë që të plotësohen me të kushtet e saj dhe mohohen pengesat.
– “… përveç Meje.” – Allahu (s.u.t.) e ka përjashtuar Veten e Tij, sepse fjala “La ilahe il’Allah” është lavdërim që i bëhet Atij, dhe Ai që lavdërohet është më madhështor se vetë lavdërimi.
Tani kemi prekur një çështje, që duhet të jetë e qartë: ekzistenca e Allahut në qiell nuk është si ajo e melekëve. Ekzistenca e melekëve në qiell lidhet me nevojën; ata banojnë në qiell pasi kanë nevojë për të. Nga ana tjetër, Allahu (s.u.t.) nuk ka nevojë për qiellin, përkundrazi, qielli e të tjera krijesa kanë nevojë për Allahun. Kështu që askush të mos mendojë se qielli e mban Allahun, se e mbulon apo se e përfshin Atë. Për melekët, qielli ku qëndrojnë është vendi i tyre mbajtës, ndërsa qiejt e tjerë mbi ta, janë si strehë mbi ta. Për sa i përket Allahut, qiejt janë thjesht një anë [3], sepse Allahu (s.u.t.) është i lartësuar mbi Arshin e Tij dhe asnjë nga krijesat e Tij nuk e mban Atë.
Tirmidhiu përcjell nga Enesi (radijAllahu anhu) – duke e quajtur hadithin hasen – se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) të thotë: “Allahu i Lartësuar thotë: ‘O biri i Ademit! Nëse më vjen Mua me pothuajse sa toka me gjynahe, pastaj më takon duke mos më shoqëruar asgjë, Unë do të vij tek ty po me aq falje.’”
– “… Allahu i Lartësuar thotë: ‘O biri i Ademit! …” – Ky është një hadith kudsij.
– “… me pothuajse sa toka …” – Pra që i përafrohet në masë, peshë ose vëllim.
– “… me gjynahe …” – Edhe nëse janë të vogla, siç thotë Allahu (s.u.t.): “Nuk është kështu si thoni ju! Ata që bëjnë vepra të këqija dhe mbulohen nga fajet e veta…” (Bekare : 81)
– “… më takon duke mos më shoqëruar asgjë ...” – Fjala “asgjë” përfshin gjithçka, pra, as shirk të vogël, as të madh. Ky është një kushtëzim i madh, edhe pse njeriu e nënvlerëson, duke mos e pranuar se është idhujtar. Ai nuk e di se dashuria e dynjasë që e largon nga bindja ndaj Allahut është pjesë e shirkut. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ka dështuar robi i dinarit (arit), ka dështuar robi i argjendit, ka dështuar robi i veshjes së bukur, ka dështuar robi i shtresës së butë…”. [4] Profeti (alejhi selam) atë që shqetësimin e tij ka këtë, e ka quajtur rob të tij.
– “… do të vij ty po me aq falje.” – Pra, e mira e teuhidit është madhështore. Ajo i fshin gjynahet e mëdha, nëse njeriu e takon Allahun duke mos i shoqëruar Atij asgjë.
Përshtatja e hadithit me temën në fjalë është në faktin se këtu shfaqet vlera e teuhidit dhe tregohet se ai është shkak për fshirjen e mëkateve. Hadithi është në përputhje me fjalën e shejhut: “… dhe gjynahet që ai fshin”, në titullin e temës që ai ka vendosur.
[1] Buhariu dhe Muslimi.
[2] Ibn Hibani dhe Hakimi. Por sipas Albanit hadithi është i dobët.
[3] Në raport me Allahun qiejt dhe çka nën to janë në anën e poshtme, ndërsa Allahu është në lartësi.
[4] Shejhu në fakt ka thënë ajet, por ndoshta ka pasur për qëllim sure.