Umeri (radijAllahu anhu) ndoqi të njëjtën linjë qeverisëse, sikurse ajo e Ebu Bekrit. Ai u ngjit në minber, falënderoi dhe lavdëroi Allahun (Xheleshanuhu), e pastaj tha: “… O njerëz! Ju gëzoni disa të drejta, të cilat gjithnjë mund t’i kërkoni. Nëse ndonjëri prej jush vjen tek unë me ndonjë ankesë, ai do të largohet i kënaqur.
Gjithashtu, ju keni të drejtë të më ndaloni nga keqpërdorimi i pasurisë së Shtetit. Ju keni të drejtë të kërkoni nga unë që t’i mbroj kufijtë dhe mos t’ju kanos ndaj rrezikut. Po ashtu, është e drejta juaj, që në rast se largoheni nga shtëpitë tuaja në shërbim të Islamit dhe muslimanëve, të kujdesem për familjet tuaja, ashtu siç kujdeset babai juaj, kur nuk jeni të pranishëm. O njerëz! Bindjuni Zotit tuaj dhe adhurojeni Atë!
Nëse vëreni diçka të gabuar tek unë, më këshilloni, e nëse ju kërkoj ndihmë, më ndihmoni! Më ndihmoni që të urdhëroj për vepra të mira dhe të ndaloj nga të këqijat. Mos ma kurseni këshillën në lidhje me përmbushjen e obligimeve, të cilat Allahu m’i ka ngarkuar …” [1]
Gjithashtu, transmetohet të ketë thënë:
“O njerëz! Unë do t’i lutem Allahut, ndërsa ju thoni “Amin!”:
- O Zot! Unë jam i ashpër, prandaj më bëj që të jem i butë me ata që të binden Ty, të cilët i përmbahen së vërtetës, janë të sinqertë dhe punojnë për jetën pas vdekjes!
- O Zot, më bëj të ashpër kundër armiqve të Tu!
- O Zot! Më bëj bujar, pa e tejkaluar në shpenzime, pa hipokrizi dhe pa mburrje!
- O Zot! Më bëj që të kërkoj me këto vepra arritjen e kënaqësisë Tënde dhe shpërblimin në botën tjetër!
- O Zot! Më mundëso të jem modest e i përulur dhe të jem i butë me muslimanët!” [2]
Në këtë ligjërim vërehet qartë rruga që Umeri do të ndiqte gjatë qeverisjes së tij. Ky ligjërim i tij ishte i ngjashëm me atë të Ebu Bekrit (radijAllahu anhu).
Gjatë udhëheqjes së tij dolën në pah frytet e mirëqeverisjes, nëpërmjet politikave tepër efikase që ai ndërmori. Ai ngriti një sistem të rregullt administrativ dhe financiar. Planifikoi çlirimin e tokave të reja, ndërmori hapa të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë dhe zejtarisë. Për sa i përket bujqësisë, ai nxiti shfrytëzimin e tokave të reja, duke i bërë pronarë të tyre njerëzit që i gjallëronin me të mbjella. Ndërsa zejtarinë e stimuloi së tepërmi, sidomos në Medinë, duke sjellë mjeshtra dhe zejtarë nga vendet e tjera.
Umeri nuk e konceptonte detyrën shtetërore si mënyrë për t’u pasuruar për vete, dhe as nuk e shihte si mjet për të fituar famë dhe pushtet, por e konsideronte si amanet, për të cilin do të jepte llogari para Zotit. Shpesh e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi we selem) të ketë thënë: “Nuk ka besim tek njeriu që nuk ka amanet dhe nuk ka fe, tek njeriu që nuk i përmbush marrëveshjet.” [3]
Umeri nuk ia lejonte vetes të merrte nga arka e shtetit më shumë se sa i jepej çdo muhaxhiri tjetër. Në ligjërimet e tij, në letrat dhe mesazhet që ua dërgonte guverantorëve dhe komandantëve të ushtrive vërehet qartë ndjenja e thellë e përgjegjësisë, kjo e shoqëruar me mbështetje dhe besim të fortë në Allahun e Madhëruar.
Si ilustrim të këtij fakti do të sjellim më poshtë dy fragmente nga jeta e Umerit gjatë qeverisjes:
Umeri e kishte praktikë të dilte personalisht rrugëve të Mediës, për të parë me sytë e tij gjendjen e njerëzve. Tregohet se një herë kaloi pranë një shtëpie dhe dëgjoi një grua që po i bërtiste vajzës së saj, duke i thënë: “Shtoi ujë qumështit (që është për t’u shitur)!” Vajza thoshte: “Nuk i shtoj ujë se Umeri na ka ndaluar t’i shtojmë ujë qumështit që shesim.”
E ëma i tha: “Shtoji ujë qumështit, se Umeri s’është këtu, ai nuk të shikon!” Vajza tha: “Nëse Umeri nuk më shikon, Allahu më shikon! A t’i bindemi haptazi dhe ta kundërshtojmë në fshehtësi?!” Umeri shkoi në shtëpi dhe i tha njërit prej djemve të tij, Asimit: “Eja se të kam gjetur një nuse të mirë për t’u martuar. Të kam gjetur një vajzë që i frikësohet Zotit.” [4]
Një herë tjetër, Umeri së bashku me shërbëtorin e tij; Eslemin, kishin dalë për inspektim në rrethinat e Medinës, për të parë gjendjen e njerëzve. Umeri vuri re një shtëpi të vjetër. Kur u afrua, aty pa një grua me një tufë fëmijësh, të cilët qanin dhe kërkonin për të ngrënë. Ajo kishte vënë në zjarr një tenxhere, e cila nxirrte avull. Umeri u afrua dhe pasi i përshëndeti e pyeti: “Përse qajnë këta fëmijë?” Ajo iu përgjigj: “Prej urisë.”
Umeri e pyeti sërish: “Çfarë ka në atë tenxhere?” Ajo ia ktheu: “Ka ujë të nxehtë, e unë e trazoj herë pas here që fëmijët të mendojnë se po gatuhet ushqim në të, derisa t’i zërë gjumi. I ati i tyre ka vdekur dhe askush nuk kujtohet për ta. Zoti e gjykoftë Umerin!” Ajo nuk e dinte se njeriu me të cilin po bisedonte ishte vetë Umeri. Ai u rrënqeth nga ato fjalë dhe iu përgjigj: “E nga ta dijë Umeri që ju jeni në këtë gjendje?!” Gruaja tha: “Ka marrë përsipër administrimin e punëve tona dhe nuk di gjë për ne?!! Nëse nuk di gjë për ne, përse e mban atë detyrë?”
Umeri nisi të qante, ndërsa Eslemi u mat ta qortonte atë grua, por Umeri e ndaloi të fliste. Më pas, nxitoi për në shtëpi, mori një thes me miell dhe disa ushqime të tjera dhe i tha shërbëtorit të tij: “Ma ngarko këtë thes në shpinë!” Eslemi i tha: “E mbaj unë thesin, o prijësi i besimtarëve!” Ai iu përgjigj: “Ma ngarko këtë thes në shpinë, se ti nuk do ta mbash barrën time Ditën e Gjykimit!” Me thesin mbi shpinë nxitoi për tek shtëpia e gruas me shumë fëmijë. Kërkoi një enë dhe nisi t’ua përgatiste darkën me duart e tij. E vuri ushqimin në tenxhere dhe filloi t’i frynte zjarrit, në mënyrë që gjella të bëhej sa më shpejt.
Ai ishte Prijësi i Besimtarëve, i përgëzuari me Xhennet, ai, për të cilin Profeti (salAllahu alejhi we selem) kishte thënë: “Sikur të kishte profet pas meje, ai do ishte Umer Ibn Khatabi…” Ai mund të urdhëronte kë të donte, por deshi t’ju shërbejë personalisht këtyre njerëzve në nevojë, me qëllim që t’i kënaqte e të mos ankoheshin për të Ditën e Gjykimit. Eslemi tregon: “Pasi u bë gjella dhe fëmijët nisën të hanin të gëzuar, vetëm në atë moment Umeri u qetësua dhe trishtimi iu largua nga fytyra.” Gruaja pyeti Eslemin: Cili është ky njeri? Allahu e bekoftë! Ai iu përgjigj: “Ai është Umer Ibn Hattabi, Prijësi i Besimtarëve.” [5]
[1] Hytben e Umerit e ka përcjellë Ebu Jusufi në librin el Haraxh, fq. 117.
[2] Marrë nga libri El Akdul ferid 4/65, të Ibn AbduRabuh el Andalusij.
[3] Transmeton Ahmedi në el Musned 3/135. Hadithin e ka saktësuar Albani në Sahihul Xhami, nr. 7 179.
[4] Transmeton Ibn Xheuzi në Menakibu Umer fq 84, Ibn Sa’di në Tabakate 5/331, Axhurri në Ahbaru Umer, fq 48.
[5] Transmeton Ibn Xheuzij në et-Tebsirah, fq. 427. Gjithashtu, Muhibudin Taberiu në Rijadu en-nedrah, 2/390.