- Mirësia e madhe e Allahut.
Kjo del nga thënia e Profetit: “…e fut Allahu në Xhennet, sido që të ketë punuar”.
- Teuhidi ka shpërblim të shumëfishtë tek Allahu.
Në pjesë thuhet: “…do të rëndojë më shumë fjala La ilahe il’Allah”.
- Teuhidi fshin edhe gjynahet.
Kjo nxirret nga pjesa: “…do të vij ty po me aq falje”. Ndoshta njeriun ndonjëherë mund ta sundojë epshi dhe të bjerë në gabime, por në adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut ai është i sinqertë. Kështu, e mira e teuhidit ia fshin atij mëkatet kur të takojë Allahun.
- Komenti i ajetit nr. 82 të sures En’am.
“Ata të cilët besojnë dhe nuk e përziejnë imanin e tyre me zullum…” Fjala “zullum” këtu nënkupton shirkun, sipas fjalës së Profetit (alejhi selam): “A nuk e keni dëgjuar thënien e burrit të mirë (Llukmanit): “Vërtet, idhujtaria është zullumi më i madh.”
- Meditimi për pesë mësimet që janë përmendur në hadithin e Ubades.
Dy mësime janë nga dy dëshmitë; i treti: Isai ishte rob i Allahut, i Dërguari i Tij, urdhri i Tij “Bëhu!” i realizuar te Merjemja, dhe shpirt prej Tij; i katërti: Xhenneti është i vërtetë; dhe i pestë: Zjarri është i vërtetë.
- Nëse bashkon hadithin e Ubades, hadithin e Itbanit dhe të tjerët, sqarohet për kuptimin e fjalës La ilahe il’Allah si dhe sqarohet për gabimin e të mashtruarve.
Pa tjetër duhet që me këtë dëshmi të synojë Fytyrën e Allahut, nëse është kështu, atëherë ajo patjetër duhet ta shtyjë për punë të mira.
- Aludimi për kushtin që përmendet në hadithin e Itbanit.
Të kërkohet me deklarimin e saj Fytyra e Allahut; dhe nuk mjafton thjesht artikulimi i saj, sepse edhe munafikët e thonin atë, por kjo nuk u bëri dobi.
- Edhe Profetët e kishin të nevojshme t’u tërhiqej vëmendja për vlerën e fjalës La ilahe il’Allah.
Kur kjo për Profetët po për të tjerët?
- Tërheqja e vëmendjes se kjo fjalë është më e rëndë se të gjitha krijesat, e megjithatë shumë prej deklaruesve të saj do t’u peshojë lehtë.
E keqja është te thënësi e jo te thënia. Ai që e deklaron atë ose nuk ka përmbushur ndonjë kusht, ose ka ndonjë prej pengesave, kështu që pesha e saj humbet në varësi të mungesës së kushtit ose të pranisë së pengesës, edhe pse në vetvete peshon më shumë se gjithë krijesat.
- Theksimi se ndodhen shtatë toka, po aq sa edhe qiej.
Në Kuran kjo nuk është përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa për shtatë qiejt është ndryshe: “Thuaj: Kush është Zoti i shtatë qiejve …” (Mu’minun : 86) Në lidhje me tokën, ka ardhur vetëm fjala e Allahut: “Allahu është Ai i Cili ka krijuar shtatë qiej dhe nga toka po aq të tilla …” (Talak : 12) Kjo nuk është thënë për të treguar ngjashmërinë e tokës me qiellin në formë, për shkak se ndryshimi ndërmjet tyre, si në formë, lartësi dhe bukuri është i dukshëm. Atëherë ngjashmëria mbetet vetëm në numër. Ndërsa në Sunet tregohet qartë se janë shtatë toka, siç përcillet në fjalën e të Dërguarit (alejhi selam): “Kush zapton një pëllëmbë tokë padrejtësisht, Ditën e Kijametit do të detyrohet të mbajë shtatë toka si ajo.” [1]
Ka pasur mendime të ndryshme në lidhje me pohimin në ajet: “…dhe nga toka po aq të tilla…”. Është thënë, për shembull, se kjo nënkupton shtatë kontinentet, por kjo nuk është e saktë, sepse kjo gjë nuk krijon asnjë lidhje me hadithin: “…do të detyrohet të mbajë shtatë toka si ajo”. Është thënë, gjithashtu, se ato janë planetët e sistemit diellor, por, me sa duket nga konteksti i argumenteve, ato janë shtresa (kate) si të qiellit. Ne mund të themi për to vetëm atë që ka ardhur në Kur’an dhe Sunet.
- Qiejt kanë banorë.
Banorët e qiejve janë melekët.
- Pohimi i cilësive të Allahut ndryshe nga esharitë. [2]
Në disa nga kopjet e librit e gjen “ndryshe nga mohuesit”, dhe kështu është më e mirë, sepse përfshin edhe të tjerë që i mohojnë cilësitë, si: mutezilët, xhehmitë, etj. Me shprehjen “duke shpresuar me të Fytyrën e Allahut”, pohohet Fytyra e Allahut (s.u.t.), pohohet “Fjala e Tij”, si edhe të folurit e Tij: “Thuaj: La ilahe il’Allah”.
- Nëse e njeh hadithin e Enesit mëson se fjala e Profetit (alejhi selam) në hadithin e Itbanit “me të vërtetë Allahu ia ka ndaluar Zjarrit atë që thotë La ilahe il’Allah duke shpresuar me të Fytyrën e Allahut”, synon largimin nga politeizmi dhe nuk është thjesht një deklaratë me gjuhë.
Kjo sepse ai që shpreson Fytyrën e Allahut nuk mund të bëjë kurrë shirk.
- Vëzhgimi në statusin e përbashkët të Isait dhe Muhamedit si robër të Allahut dhe si të Dërguar të Tij.
Kjo në dy aspekte: së pari, duke bashkuar në secilin prej tyre ndërmjet profetësisë dhe robërinë ndaj Zotit; së dyti, duke bashkuar ndërmjet të dy burrave. Qartësohet se Isai ishte si Muhamedi, domethënë rob dhe Pejgamber. Ai nuk ishte as Zot e as bir i Zotit. Dijetari përdor fjalën “vëzhgim”, sepse kjo çështje ka nevojë për vëzhgim e meditim.
- Njohja e veçimit të Isait si i krijuar me fjalën e Allahut “Bëhu!”.
Pra, Isai është ndryshe nga Muhamedi (alejhi selam) për sa i përket mënyrës së krijimit. Ai është krijuar me fjalën “Bëhu!”, ndërsa Muhamedi (alejhi selam) është krijuar nga fara e babait të tij.
- Njohja e Isait si shpirt i krijuar prej Zotit.
Shpirt që i ka ardhur nga ana e Allahut dhe jo një pjesë e Allahut. Shpirti i tij është një ndër shumë shpirtrat që ka krijuar Allahu.
- Njohja e vlerës së besimit në Xhennetin dhe Xhehenemin.
Kjo merret nga pjesa e hadithit: “…se Xhenneti është i vërtetë, Zjarri është i vërtetë”. Ky besim është një nga faktorët e futjes në Xhennet.
- Njohja e domethënies së shprehjes: “si do që të ketë punuar”.
Në këtë rast, njeriu do të hyjë në Xhennet me ato vepra të mira që ka bërë, edhe sikur të jenë pak, ose me ato punë të këqija që ka, edhe sikur të jenë shumë. Kjo ndodh, me kusht që të mos jenë vepra që mohojnë teuhidin dhe detyrojnë futjen në Zjarr. Gjithashtu, mjafton të ketë kryer vepra, nuk nënkuptohet detyrimisht vepra të mira të plota, siç mëtojnë mutezilët dhe havarixhët. Këtu nuk janë përmendur shtyllat e Islamit, sepse me lënien e disave prej tyre njeriu bën kufër, ndërsa me lënien të tjerave nuk bëhet kafir. E sakta është se bën kufër vetëm me lënien e dy dëshmive dhe me lënien e namazit, edhe pse është përcjellë nga Imam Ahmedi se njeriu bën kufër me lënien e çdo shtylle të Islamit.
- Njohja e faktit se peshorja e veprave do të ketë dy anë peshimi.
Autori këtë e ka nxjerrë nga thënia: “sikur shtatë qiejt dhe banorët e tyre, përveç Meje, si dhe shtatë tokat të jenë në një anë të peshores, dhe fjala La ilahe il’Allah në anën tjetër të saj…”. Me sa duket, përmbajtja e hadithit është ilustruar me një shembull, që do të thotë se fjala La ilahe il’Allah është më e rëndë se çdo gjë. Në hadith nuk përmendet drejtpërdrejt se kjo peshore është në botën tjetër. Siç duket, autori (Allahu e mëshiroftë!) ka bërë një kalim logjik nga kjo peshore tek ajo e ahiretit.
- Njohja e argumentit ku përmendet Fytyra e Allahut (s.u.t.).
Fytyra është prej cilësive khaberije dhatije [3], të cilat, për sa i përket njeriut shënojnë pjesët dhe gjymtyrët e tij trupore, kurse ne lidhje me Zotin nuk mund të themi që ato janë pjesë, pasi kur flasim për atributet e Allahut ne duhet të mënjanojmë përdorimin e shprehjeve të tilla si pjesë, gjymtyrë apo përbërje.
[1] Muslimi.
[2] Esharitë janë një grup i humbur që kanë devijime në shumicën e çështjeve të besimit. Një nga devijimet e tyre është mohimi i cilësive të Allahut, përveç shtatë prej tyre.
[3] Cilësitë e Allahut të Lartësuar ndahen në cilësi dhatije dhe cilësi fi’lije. Cilësitë dhatije janë atributet, vetitë e domosdoshme dhe të përhershme të qenies së Allahut të Lartësuar, ndërsa cilësitë fi’lije janë veprimet e Allahut të Lartësuar të cilat varen nga vullneti i Tij, pasi Ai vepron ç’të dëshirojë dhe kur të dëshirojë. Duke marrë parasysh argumentet e njohjes dhe pohimit, si dhe kuptimin që shënojnë ato klasifikohen ndryshe: në cilësi ma’nevije dhe cilësi khaberije. Cilësitë ma’nevije janë ato që pohohen nga argumentet fetare dhe nga argumentet logjike, pra përveç teksteve fetare për to dëshmon edhe arsyeja logjike, ndërsa cilësitë khaberije janë ato që pohohen nga argumentet fetare, cilësi këto të cilat nëse nuk do të përmendeshin në tekstet fetare, njeriu nuk do të arrinte t’i kapte me logjikën e tij.
Si shembull, për cilësitë ma’nevije përmendim: Jetën, Dijen, Fuqinë, Vullnetin, Dëgjimin, Shikimin etj., kurse si shembull për cilësitë khaberije përmendim: Fytyrën, dy Duart etj. Cilësia khaberie, për sa i përket njeriut shënon një gjymtyrë dhe pjesë trupore, kurse për sa i përket Allahut, ajo shënon një atribut të qenies së Tij të cilin nuk lejohet ta quajmë pjesë a gjymtyrë sikurse për njeriun, sepse Allahu i Lartësuar nuk krahasohet me krijesat. Kështu, kur flasim për atributet khaberije të Allahut të Lartësuar duhet të mënjanojmë shprehje të tilla si pjesë trupi, gjymtyrë apo përbërje trupore.