- Njohja e kategorive të njerëzve në varësi të teuhidit.
Argument është thënia e Profetit (alejhi selam): “… do të futen në Xhennet pa llogari dha pa dënim”. E më pas ka thënë: “Janë ata të cilët nuk kërkojnë rukje, nuk kërkojnë që të mjekohen me hekur të nxehtë, nuk parandiejnë fatin e keq për shkak të shenjave ogurzeza, por vetëm Zotit të tyre i mbështeten.”
- Kuptimi i realizimit të teuhidit.
Në fillim të temës thamë se ky realizim është pastrimi nga shirku.
- Lavdërimi që i bën Allahu Ibrahimit duke e theksuar se ai nuk ishte idhujtar.
Kjo është e qartë në ajetin e Kuranit: “Vërtet Ibrahimi ka qenë prijës shembullor, i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë idhujtar.” (Nahl : 120). Nuk ka dyshim se ky ajet është sjellë për lavdërimin e Ibrahimit (alejhi selam). Përderisa shkaku i lavdërimit është se ai nuk qe idhujtar, kjo tregon se çdokush që nuk është idhujtar, meriton të lavdërohet nga Allahut.
- Lavdërimi i Tij për më të mirët e evliave (besimtarët e devotshëm), për shkak të ruajtjes së tyre nga idhujtaria.
Allahu thotë: “… ata që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre.” Ky lavdërim ndodhet në kontekstin e disa ajeteve të cilat Allahu i ka filluar kështu: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre; ata që besojnë në Ajetet e Zotit të tyre (në Kur’an); ata që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre dhe ata që japin (sadaka e mirësi) me zemrat e tyre gjithë frikë e përkushtim (nëse do t’u pranohet bamirësia apo jo nga Zoti i tyre), ata janë të sigurt në kthimin e vet te Zoti i tyre (për llogari). Pikërisht këta janë që garojnë për vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” (Mu’minun : 57-61). Pra, këta janë evlijatë, janë më të mirët. Autori e përmend këtë jo për të treguar më të mirët e evlijave, por të tregojë që evlijatë janë më të mirët. Këtu nënkuptohen evlijatë, të cilët janë më të mirët e njerëzve.
- Mospraktikimi i kurimit me rukje dhe hekur të nxehtë është pjesë e realizimit të teuhidit.
Argument për këtë është thënia e Profetit (alejhi selam): “Janë ata të cilët nuk kërkojnë rukje, nuk kërkojnë të mjekohen me hekur të nxehtë …” Edhe qëllimi i autorit është për atë që i kërkon vetë këto metoda.
- Mbështetja në Allahun i përmbledh këto cilësi.
Domethënë: moskërkimin e rukjes, moskërkimin e mjekimit me hekur të nxehtë dhe heqjen dorë nga besëtytnitë. Shkak i këtyre është mbështetja e fortë tek Allahu.
- Nga hadithi del në pah edhe dija e thellë e sahabëve, sepse ata e dinin që shtatëdhjetëmijë vetët këtë shpërblim e arritën veçse përmes punës.
Kjo për faktin se ata u zhytën në diskutimin se kujt i përkiste ky shpërblim i madh, duke përmendur kategori të shumta njerëzish.
- Përkushtimi i sahabëve për arritjen e së mirës.
Ata diskutonin mënyrat e arritjes së të mirës, me qëllim që të mësonin se cilat ishin ato dhe t’i zbatonin.
- Vlera e këtij umeti në sasi dhe cilësi.
Për sa i përket numrit; Profeti (alejhi selam) pa një turmë të madhe njerëzish, më të madhe se turma që ishte me Musain (alejhi selam). Ndërsa dallimi në cilësi është se me ta ishte kategoria e njerëzve që nuk kërkojnë rukje, nuk kërkojnë të mjekohen me hekur të nxehtë, nuk ndikohen nga shenjat ogurzeza, por mbështeten te Zoti i tyre.
- Vlera e pasuesve të Musait (alejhi selam).
Argument për këtë është thënia e Profetit (alejhi selam): “Kur pashë një turmë të madhe njerëzish, mendova se ishin populli im, por më thanë se ishte Musai me popullin e vet.”
- Profetit (alejhi selam) i janë paraqitur popujt e mëparshëm.
Paraqitja e tyre para tij ka dy dobi: së pari, për t’i larguar mërzinë Profetit (alejhi selam), pasi ai pa një Profet me të cilin ishte vetëm një person, një Profet me të cilin ishin dy burra dhe një Profet pa asnjë pasues. Ai (alejhi selam) e largoi mërzinë me anë të kësaj duke thënë: “Unë nuk jam i pari Profet.” (El-Ahkaf : 9). Së dyti, sqarimi i vlerës së Profetit (alejhi selam) dhe nderimi i tij, duke pasur ndjekësit më të shumtë dhe më të mirë.
- Çdo popull do të ringjallet bashkë me Profetin e vet.
Kjo del nga fragmenti: “…një Profet tjetër me një person, një Profet tjetër me dy burra…”. Po të mos ishte çdo i Dërguar i dallueshëm nga i Dërguari tjetër, atëherë do të përziheshin me njëri-tjetrin dhe ndjekësit e tyre nuk do të njiheshin. Për këtë tregon edhe ajeti: “Atëherë të gjithë popujt do t’i shohësh të gjunjëzuar, çdo popull do të thirret në Librin i tij …” (Xhathijeh : 28), që tregon gjithashtu se çdo popull në Ditën e Gjykimit do të jetë më vete.
- Ata që i janë përgjigjur Profetëve kanë qenë të paktë.
Kjo është e qartë në pjesën: “…një Profet me një person, një Profet me dy burra dhe një Profet pa asnjë.”
- Profeti të cilit nuk i besoi askush, do të vijë i vetëm.
Kjo del nga thënia e tij: “… një Profet pa asnjë.”
- Frytet e kësaj dijeje, që janë mosmashtrimi me shumicën dhe mosnënçmimi i pakicës.
Shumica mund të jetë në humbje. Allahu thotë: “Nëse u bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut.” (En’am : 116). Kur njeriu mashtrohet me shumicën, duke menduar se ajo nuk thyhet, se është gjithmonë e fituar, kjo është shkak për zhgënjim. Nëse ne do të shikojmë shumicën e njerëzve në tokë, do të vërejmë se ata janë të humbur, ndaj nuk duhet të na gënjejë kjo gjë. Nuk duhet të themi se të gjithë njerëzit janë të tillë, prandaj s’mund të veçohemi prej tyre. Po kështu, kur ke shumë pasues në të drejtën, mos u mashtro.
Kjo fjalë e autorit ka dy interpretime. Së pari, të mos mashtrohemi me shumicën e të shkatërruarve, e që, si rrjedhim, të mos shkatërrohemi bashkë me ta. Së dyti, të mos mashtrohemi me shumicën e të shpëtuarve e të tundohemi, e as të mos e nënçmojmë pakicën, se ajo mund të jetë më e mirë se shumica.
- Lejohet të bëhet rukje kur sëmuremi nga syri i keq dhe helmi.
E argumentuar me thënien e Profetit (alejhi selam): “Rukja lejohet vetëm për mësyshin ose pickimin (e ndonjë kafshe helmuese).”
- Dija e thellë e selefëve, që del nga fjala: “… ka vepruar mirë ai që është bazuar tek ajo që ka dëgjuar, por …”. U bë e qartë se hadithi i parë nuk e kundërshton të dytin.
Hadithi i parë nuk kundërshton të dytin sepse thënia: “Rukja lejohet vetëm për mësyshin ose pickimin” nuk e kundërshton hadithin e dytë. Njëri është për kërkimin e rukjes, kurse tjetri është për llojin e rukjes.
Nëse një personi i vjen dikush për t’i bërë rukje dhe ai nuk e ndalon, kjo nuk bie ndesh me fjalën: “Janë ata të cilët nuk kërkojnë rukje …”. Në lidhje me këtë veprim ka tri gradë:
- Të kërkosh që të të bëjnë rukje. Në këtë rast humb përsosmëria.
- Të mos e ndalosh atë që të bën rukje. Në këtë rast nuk humb përsosmëria, sepse nuk kërkohet vetë që të bëhet rukja.
- Të ndalosh atë që të bën rukje. Kjo është në kundërshtim me Sunetin. I Dërguari (alejhi selam) nuk e ndaloi Aishen t’i bënte rukje. Edhe sahabët nuk kanë ndaluar asnjë që t’u bënte rukje, sepse kjo nuk ndikon në mbështetjen tek Allahu.
- Selefët i shmangeshin lavdërimit për diçka që nuk e kishin.
Kjo është nxjerrë nga dialogu: “Kush e pa yllin që u shkëput mbrëmë?” I thashë: “Unë. Por nuk isha duke u falur, sepse më kafshoi një kafshë helmuese.” Përderisa e kishte parë yllin që ishte shkëputur, do të thoshte se kishte qenë zgjuar dhe ai që është zgjuar, ose është duke u falur, ose ka ndonjë punë tjetër, ose diçka e ka penguar nga gjumi.
- Thënia: “Ti je prej tyre” është një nga shenjat që tregon për vërtetësinë e profetësisë së të Dërguarit (alejhi selam).
Ukashe Ibn Mihsani nuk ra në kufër derisa vdiq si musliman. Ky është një argument që tregon për profetësinë e të Dërguarit (alejhi selam), nëse pranojmë se shprehja në hadith është lajmërim dhe nuk është lutje. Nëse do të themi se shprehja është lutje, përsëri mund të jetë shenjë e profetësisë, për faktin se Allahu iu përgjigj lutjes së të Dërguarit (alejhi selam). Megjithatë, përgjigjja e lutjes nuk është e posaçme vetëm për Profetët, se Allahu mund t’u përgjigjet lutjeve edhe të atyre që nuk janë Profetë. Atëherë kjo mund të jetë një shenjë tipike e profetësisë, vetëm nëse e konsiderojmë thjesht si një shprehje lajmëruese.
- Vlera e Ukashes.
Ai do të futet në Xhennet pa llogari dhe ndëshkim. Po a e dëshmojmë ne këtë për Ukashen? Mund të themi se e dëshmojmë, përderisa i Dërguari (alejhi selam) e ka dëshmuar këtë.
- Përdorimi i shprehjeve të tërthorta.
Argument për këtë është thënia e Profetit (alejhi selam): “Ta kaloi Ukashja.” Fjalët me dy kuptime të japin mundësinë të ruhesh nga gënjeshtra, sipas kësaj thënieje të Pejgamberit (alejhi selam). Kjo, në të vërtetë, nuk ishte pengesa për mosplotësimin e kërkesës së personit të dytë. Pengesa e vërtetë ishte ajo që përmendëm më lart gjatë shpjegimit: ose për shkak se ishte munafik, dhe i Dërguari (alejhi selam) nuk deshi të bënte që njerëz si ata të futeshin në Xhennet pa llogari dhe pa ndëshkim, ose nga droja se mos hapej porta e kështu ta kërkonte këtë privilegj dikush që nuk e meritonte.
- Morali i lartë i Profetit (alejhi selam).
Ai ia “mbylli derën” personit të dytë, pa lënë të nënkuptohej diçka e keqe a e urryer.