Kapitulli i Pastërtisë – Tema 29
(Nr. 53) Na ka treguar Jahja Ibn Muin, këtij i ka treguar Veki’i, nga Zekerija Ibn Ebi Zaide, ky nga Mus’ab Ibn Shejbe, ai nga Talki Ibn Habibi, ky nga Ibn Zubejri, e ky nga Aishja, e cila ka thënë: “I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) ka thënë: “Dhjetë gjëra janë prej fitres (Islamit); shkurtimi i mustaqeve, lëshuarja e mjekrës, misvaku, futja e ujit në hundë (pastrimi i hundës me ujë), prerja e thonjve, larja (pastrimi) i nyjeve të gishtërinjve (vendet ku mblidhet papastërtia), rruarja (shkulja) e qimeve ndër sqetulla, rruarja e qimeve që dalin në vendet e turpshme dhe larja e organit me ujë pas kryerjes së nevojës”. (Hadith i mirë – Albani)
Zekerijau thotë se Mus’abi ka thënë: “E kam harruar të dhjetën, por, më duket se ka qenë “madmada” futja e ujit në gojë”.
(Nr. 54) Na ka treguar Musa Ibn Ismaili dhe Davud Ibn Shebibi, të cilëve u ka treguar Hammadi, nga Ali Ibn Zejdi, ky nga Seleme Ibn Muhammed Ibn Ammar Ibn Jasiri, i cili ka thënë: Ka thënë Musa, ky nga babai i vet, gjithashtu ka thënë Davudi nga Ammar Ibn Jasiri se vërtet i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) ka thënë: “Vërtet prej fitres është të futurit e ujit në gojë dhe në hundë (pastrimi i tyre me ujë) dhe i përmendi të tjerat, por nuk e theksoi lëshimin e mjekrës, kurse shtoi sunnetimin dhe të stërpikurit me ujë, gjithashtu nuk e përmendi të pastruarit e organit me ujë pas kryerjes së nevojës”. (Hadith i mirë – Albani)
Ebu Davudi ka thënë: Ky hadith është transmetuar edhe nga Ibn Abbasi, i cili i ka theksuar pesë gjëra që të gjitha kishin të bëjnë me kokën, por në mesin e tyre e thekson fërkuarjen, kurse nuk e thekson lëshimin e mjekrës”.
Ebu Davudi ka thënë ngjashëm kështu është transmetuar hadithi i Hammadit, i cili atë e transmeton nga Talki Ibn Habibi, ai nga Muxhahidi si dhe nga Bekër Ibn Abdullah El-Muzeniu, por në fjalën e tyre nuk përmendet lëshimi i mjekrës.
Në hadithin, të cilin e transmeton Muhammed Ibn Abdullah Ibn Ebi Merjemi, nga Ebi Seleme, e ky nga Ebi Hurejra, e ai nga Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) në të theksohet lëshimi i mjekrës. Ngjashëm ashtu transmetohet edhe nga Ibrahim En-Neheiu në të cilin theksohet lëshimi i mjekrës dhe sunnetimi.
(Sunen Ebu Davud)