Ebu Selemeh Ibn Abdurrahmani tregon: “Një ditë, kur përkujtuam me njëri-tjetrin natën e Kadrit, unë shkova tek Ebu Said El Khudriu (radijAllahu anhu), të cilin e kisha shok, dhe i thashë: ‘A shkojmë tek palmat!’ Ai doli i veshur me një pelerinë. Unë e pyeta se a e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut të fliste për natën e Kadrit. Ai u përgjigj me po dhe pastaj tha: ‘Ne bëmë itikaf me të Dërguarin e Allahut, duke qëndruar me të në xhami dhjetëditëshin e mesëm të Ramazanit, dhe dolëm në mëngjesin e ditës së njëzetë.
I Dërguari i Allahut mbajti fjalim dhe tha: ‘Mua m’u tregua nata e Kadrit, mirëpo e harrova atë – ose ‘m’u hoq nga mendja’, – prandaj kërkojeni atë në çdo natë teke të dhjetëditëshit të fundit. Gjithashtu, m’u tregua se bëja sexhde në uje e në baltë, prandaj ai që bëri itikaf me të Dërguarin e Allahut le të kthehet.’
Ne u kthyem në xhami e nuk pamë asnjë pupë reje në qiell, por pastaj u vrenjt dhe ra shi aq sa rodhi çatia e xhamisë, e cila ishte ndërtuar me degë palmash. Kur po kryhej namazi, pashë të Dërguarin e Allahut të binte në sexhde në ujë e në baltë, dhe pas namazit pashë në ballin e tij shenjat e baltës.” [1]
Në një transmetim tjetër të Ebu Saidit, ai thotë: “Qëndruam në itikaf me të Dërguarin e Allahut dhjetëditëshin e mesëm të Ramazanit dhe në mëngjesin e njëzetë i zhvendosëm gjërat tona personale. I Dërguari i Allahut erdhi dhe na tha: “Kush ka qenë në itikaf, le të kthehet tek vendi i itikafit të tij, sepse mbrëmë unë pashë në ëndërr veten time duke rënë në sexhde në ujë e baltë.”
Kur i Dërguari i Allahut u kthye tek vendi i tij i itikafit, tha: “Gjithashtu, pashë që qielli u vrenjt dhe ra shi.” Pasha Atë të Cilin e dërgoi Muhamedin me të vërtetën, qielli u vrenjt në fund të asaj dite dhe ra shi. Xhamia ka qenë e mbuluar vetëm me degë palmash dhe unë pashë në hundën e tij gjurmët e ujit dhe të baltës.” [2]
Në një transmetim tjetër, Ebu Saidi thotë: “I Dërguari i Allahut qëndronte në xhami në dhjetëditëshin e mesëm të muajit Ramazan. Kur vinte mbrëmja, pasi kishin kaluar njëzet netë dhe po vinte e njëzetenjëta, kthehej ne banesën e tij. Gjithashtu, edhe ata që kishin qëndruar me të ktheheshin në banesat e tyre.
Në një prej muajve të ramazanit, në itikafin e tij, kur po afronte nata që do të largohej për në banesë, u mbajti fjalim njerëzve dhe, ndër të tjera, tha: “Unë pata qëndruar në itikaf gjatë këtyre ditëve, por vendosa që të bëj itikaf në dhjetëditëshin e fundit, prandaj kush ka qenë në itikaf me mua, le të qëndrojë në vendin e tij. Mua m’u tregua kjo natë, por më pas e harrova. Kërkojeni atë në dhjetëshen e fundit dhe kërkojeni në çdo natë teke. Gjithashtu, unё pashё tё bija nё sexhde nё ujё e nё baltё.”
Atë natë, qielli u mbush me re dhe ra shi. Në vendin e sexhdes ku falej i Dёrguari i Allahut kishte gjerbuar ujë, dhe kjo ndodhi natën e njëzetenjëtë. Sytë e mi panë të Dërguarin e Allahut kur mbaruam namazin e sabahut. Fytyra e tij qe lagur e qe bërë me baltë.” [3]
Dobitë dhe dispozitat
E para: Ecja ne kërkim të dijes dhe shfrytëzimi i vendit dhe kohës së përshtatme për të pyetur dijetarët.
E dyta: Nxënësi të mundohet që të kërkojë prej dijetarit një vend të qetë e të rehatshëm, me qëllim që të arrijë të marrë përgjigjen e duhur për problemin që ka.
E treta: Personi që është duke falur namaz nuk duhet të fshijë gjërat që i ngjiten në fytyrë e në ballin e tij, vetëm nëse diçka e tillë e mundon shumë ose i heq përqëndrimin ndaj namazit. [4] Gjithashtu, lejohet bërja e sexhdes mbi baltë e në ujë.
E katërta: Muhamedi (salAllahu alejhi we selem) ishte qenie humane, dhe si i tillë edhe mund të harronte, përveç kur urdhërohej të komunikonte diçka, sepse në këtë rast e ruante Allahu prej harresёs. Ëndrrat e profetëve janë të vërteta dhe realizohen ashtu sikurse janë parë prej tyre.
E pesta: Në ëndrrën e Profetit (alejhi selam) mbi natën e Kadrit, mundet që ai ta ketë ditur atë ose të ketë parë shenjat e saj. Në Sahihun e Buhariut transmetohet nga Ebu Said se Xhibrili e njoftoi të Dërguarin e Allahut se nata e Kadrit është në dhjetëshen e fundit të netëve të Ramazanit. [5]
E gjashta: Dijetari, nëse ka pasur njohuri mbi diçka dhe më pas e ka harruar, mundet që t’u tregojë shokëve dhe nxënësve të tij për harresën e ta pranojë atë. [6]
E shtata: Në hadith ka argument për pëlqimin e itikafit në Ramazan. Dhjetëditëshi i mesit të muajit është më i vlefshëm se dhjetëditëshi i parë, ndërsa dhjetëditëshi i fundit është më i vlefshëm se dhjetëditëshi i mesit.
E teta: Prijësi e ka të ligjshme tu mbajë fjalim njerëzve tu sqarojë çështjet e rëndësishme për ta.
E nënta: Kujdesi dhe përpjekja e plotë e Profetit për t’i mësuar popullit të tij atë që ishte e dobishme për ta dhe, gjithashtu, kujdesi dhe përpjekja e shokëve të tij në kërkimin e natës së Kadrit.
E dhjeta: Vlera e itikafit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit dhe klasifikimi i kësaj vepre si sunnet i fortë, për shkak se i Dërguari i Allahut e ka kryer atë vazhdimisht.
E njëmbëdhjeta: Nata e Kadrit kërkohet në dhjetënetëshin e fundit, sidomos në netët teke të tyre. Më e shpresuara e këtyre netëve teke është nata e njëzetenjëtë.
E dymbëdhjeta: Duhet që ta vendosim mirë ballin dhe hundën në tokë gjatë sexhdes, ashtu si ka vepruar i Dërguari i Allahut.
E trembëdhjeta: Ky hadith tregon se si ishin muslimanët në kohën e të Dërguarit të Allahut: me pak gjëra të kësaj bote e me një jetesë mjaft të thjeshtë, saqë xhamia ishte e mbuluar me degët e palmës dhe se shiu binte mbi ta gjatë kohës që ishin në namaz.
E katërmbëdhjeta: Vlera e natës së njëzetenjëtë, e cila supozohet të jetë nata e Kadrit, kështu që nuk duhet që muslimani ta neglizhojë adhurimin në këtë natë.
[1] Buhariu 1912 dhe Muslimi 1167.
[2] Ky transmetim eshte i Muslimit, Buhari 1935.
[3] Buhariu 1914.
[4] Buhariu përcjell prej Humejdit se prej sunnetit është edhe mosfshirja e ballit në namaz. Neveviu mbi këto fjalë ka shtuar: kështu kanë thënë dijetarët se është e pëlqyeshme të mos e fshijë ballin në namaz (shpjegimi i muslimit 8/61). Ibn Mulakin ne shpjegimin e Umdes ka thënë: kjo gjë është unanimitet tek dijetarët (5/423).
[5] Buhariu 780.
[6] Ibn Mulakin në shpjegimin e Umdes 5/424.