Profetit (alejhi selam) i zbriti fjala e Allahut: “Publiko haptaz atë për të cilën urdhërohesh dhe largohu nga idhujtarët.” (El-Hixhr : 94)
Një ditë, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) hipi në kodrën Safa, gjeti majën më të lartë të saj dhe thirri: Ja sabaha! “O njerëz, rreziku i agimit!” Kjo shprehje ishte si thirrje që paralajmëronte sulmin e ndonjë ushtrie (që zakonisht sulmon në agim) ose kur kishte ndonjë çështje me rëndësi të madhe. Pastaj filloi t’u thërriste barqeve Kurejshe me emër:“O Beni Fihr! O Beni Adij! O fisi filan! O fisi filan! O Beni Abdi Menaf! O Beni Abdil Muttalib! “Kush thërret kështu?”, – pyesnin ata. “Është Muhamedi!”, – thanë. Atëherë, njerëzit nxituan për tek ai. Madje, edhe ai që nuk kishte mundësi të shkonte vetë atje, çonte ndonjë njeri të vetin që të shikonte se çfarë kishte ndodhur.
Pasi u tubuan njerëzit, Profeti (alejhi selam) pyeti: “Si mendoni ju, nëse unë ju njoftoj se ka ardhur një kalorësi armike në luginën poshtë kësaj kodre t’ju sulmojë, a do të më besonit?” “Po! Tek ti nuk kemi provuar kurrë ndonjë gënjeshtër.”, – iu përgjigjën ata. “Tek ti kemi provuar gjithmonë të vërtetën.” “Vërtet, – vijoi Profeti (alejhi selam), unë po ju paralajmëroj se jeni para një dënimi të fortë. Shembulli im me ju i ngjan shembullit të një burri, që sheh armikun dhe kërkon ndonjë vend të lartë për njerëzit e vet, që të mos i sulmojë armiku dhe pastaj thërret: “Ja sabaha! (O njerëz! Rreziku i agimit!)” Pastaj i ftoi që të pohojnë dëshminë: “La ilahe il-lAllah Muhamedur-resulullah. (Nuk ka zot tjetër (që e meriton të adhurohet me të drejtë), përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut.)”.
U tregoi, gjithashtu se me këtë fjalë arrihet sundimi në këtë botë dhe shpëtimi në Botën Tjetër. Më pas i paralajmëroi ata për dënimin e Allahut, nëse do të vazhdonin idhujtarinë e tyre e nuk do t’i besonin asaj që Profeti (alejhi selam) kishte sjellë nga Zoti i tij dhe se ai, megjithëse i Dërguar, nuk mund t’i shpëtonte nga dënimi dhe nuk kishte asgjë në dorë për ta tek Allahu. Këtë paralajmërim e bëri të përgjithshëm dhe të posaçëm.
Dhe tha:“O Kurejshë! Besoni, t’u shpëtojë Allahu nga dënimi i Tij dhe shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri, sepse unë nuk mund t’ju bëj as dëm dhe as dobi! Unë nuk kam asgjë në dorë për ju tek Allahu. O bijtë e Ka’b ibn Luejit! Shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri, sepse unë nuk mund t’ju bëj juve as dëm dhe as dobi. O bijtë e Murre ibn Ka’bit! Shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri, sepse unë nuk mund t’ju bëj ju as dëm dhe as dobi. O bijtë e Kusajit! Shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri, sepse unë nuk mund t’ju bëj as dëm dhe as dobi. O bijtë e Abdu Shemsit! Shpëtojeni veten tuaj nga zjarri. O bijtë e Abdul Menafit! Shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri, sepse unë nuk mund t’ju bëj juve as dëm dhe as dobi. O bijtë e Hashimit! Shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri!
O bijtë e Abdul Mutalibit! Shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri, sepse unë nuk mund t’ju bëj juve as dëm dhe as dobi! Unë nuk kam asgjë në dorë për ju tek Allahu. Kërkomëni prej pasurisë sime sa të doni, ndërsa për shpëtimin tuaj (tek Allahu) unë nuk kam asgjë në dorë. O Abas, biri i Abdul Mutalibit! Unë nuk kam asgjë në dorë për ty tek Allahu. Oj Safije, bija e Abdul Mutalibit, halla e të Dërguarit të Allahut! Unë nuk kam asgjë në dorë për ty tek Allahu. Oj Fatime, bija e Muhamedit, të Dërguarit të Allahut! Kërkomë mua nga pasuria ime çfarë të duash, por shpëtoje veten tënde nga zjarri i Xhehenemit! Unë nuk kam asgjë në dorë për ty tek Allahu. Ju jeni farefisi im, keni të drejtat tuaja dhe unë do t’i zbatoj ato.”
Pasi i tha këto fjalë, njerëzit zbritën që andej dhe u shpërndanë. Nuk thuhet nëse e kundërshtuan apo e përkrahën atë që dëgjuan. Eshtë kumtuar se vetëm Ebu Lehebi ia ktheu me të keq Profetit (alejhi selam):“Shkatërrimi rëntë mbi ty tërë ditën! A për këtë na paske mbledhur?!” Atëherë, zbriti ajeti: “Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi! Dhe ai i shkatërruar është.” (Mesed : 1)
Kurejshët e tjerë duket se u befasuan e u habitën nga ky paralajmërim i papritur dhe nuk mundën të zgjidhnin ç’qëndrim do të mbanin për këtë. Mirëpo, pasi u kthyen në shtëpitë e tyre, pasi u qetësuan e pasi u çliruan nga habia, u bënë mëndjemëdhenj dhe e morën me të tallur këtë thirrje e këtë paralajmërim. Kështu, kur i Dërguari i Allahut (alejhi selam) kalonte përpara ndonjërit prej tyre, ata talleshin me të:“Ky është ai, që Allahu e ka dërguar Profet?! A është ky biri i Ebu Kebshes?! A këtij i flitet nga qielli?!” etj. Ebu Kebshe quhej njëri prej gjyshërve të Profetit (alejhi selam) nga e ëma, i cili e pati kundërshtuar fenë e Kurejshëve dhe pati përqafuar krishterimin.
Kur Profeti (alejhi selam) e kundërshtoi fenë e tyre, thoshin se kishte bërë si Ebu Kebshja. Kështu i thoshin për ta nënçmuar, për ta fyer dhe për ta poshtëruar. Profeti (alejhi selam) vazhdoi Thirrjen për në Islam, madje filloi ta bënte hapur atë nëpër grupimet dhe kuvendet e tyre. Ai ua kumtonte atyre librin e Allahut dhe i thërriste, siç kishin thërritur edhe të dërguarit e mëparshëm: “O popull! Adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër (që e meriton të adhurohet), përveç Tij…” (El-Mu’minun: 32)
Profeti (alejhi selam) filloi ta adhuronte Allahun para syve të tyre. Kështu, ai falej ditën hapur, në prani të njerëzve në oborrin e Qabes. Thirrja e tij u pranua disi dhe një numër njerëzish hynë në fenë e Allahut njëri pas tjetrit. Por midis familjeve të atyre që e kishin pranuar Islamin dhe të atyre që nuk e kishin pranuar atë, lindi njëfarë zemërimi dhe ftohjeje.
Kurejshët diskutonin si të bënin që haxhinjtë të mos e dëgjonin Thirrjen islame, sepse iu duk shumë e keqe ajo që panë dhe u revoltuan. Kishin mbetur edhe pak ditë nga Haxhi. Ata i shqetësonte çështja e haxhinjve. Prandaj disa prej tyre u grumbulluan te Uelid ibn Mugire, i cili ishte i moshuar dhe i nderuar ndër ta. Ai u tha: “O Kurejshë! Erdhi koha e Haxhit. Do të vijnë delegatët e arabëve te ju. Ata kanë dëgjuar për atë që ka shpalluar shoku juaj (Muhamedi), prandaj bashkohuni me një vendim të vetëm: Mos e kundërshtoni njëri-tjetrin e mos e përgënjeshtoni njëri-tjetrin!”
– Na thuaj mendimin tënd, që të themi edhe ne – ashtu, – iu kthyen ata.
– Jo, – tha ai. Thoni ju mendimin tuaj! Ju dëgjoj unë.
– Ne themi se ai (Muhamedi) është falltar.
– Nuk është falltar, – ua ktheu plaku. Ne i kemi parë falltarët, por ai nuk i ka dredhat e tyre dhe fjalët e tij nuk kanë rimën e fjalëve të tyre.
– Ai është i çmendur, – thanë ata pas kësaj.
– Muhamedi nuk është i çmendur, – iu përgjigj ai. Ne i kemi parë të çmendurit dhe i njohim ata. Atij nuk i merret fryma dhe nuk u ngjan njerëzve të xhindosur.
– Është poet, atëherë, – thanë ata.
– Nuk është poet, – tha plaku. Ne e njohim poezinë.
– Atëherë, është magjistar, – thanë përsëri ata.
– Nuk është magjistar. Ne i kemi parë magjistarët dhe magjitë e tyre, por ai as nuk fryn dhe as nuk lidh nyja.
– Atëherë, ç’të themi për të?
– Për Zotin, vërtetë fjala e tij është e ëmbël, e bukur, gjithëpërfshirëse, një pemë me degët plot fruta, – foli plaku. Ju nuk mund të thoni asgjë si ai, sepse fjala juaj do të dukej e pavlerë. Më e përshtatshmja është të thoni: “Ai është magjistar dhe fjala e tij është magji. Me fjalët e tij, ai ndan njeriun nga babai i vet; ndan vëllanë nga vëllai; ndan gruan nga burri; ndan njeriun nga të afërmit e vet.”
Me këto fjalë, Kurejshët u shpërndanë dhe nisën të uleshin anash rrugëve dhe midis njerëzve që vinin për Haxh. Nuk kalonte andej njeri, pa u paralajmëruar dhe pa e kujtuar për punën e Profetit (alejhi selam). Kështu, njerëzit e njohën atë para se ta shihnin dhe ta dëgjonin.
Erdhën ditët e Haxhit dhe Profeti (alejhi selam) doli atje ku grumbulloheshin haxhinjtë e ku kishin vendqëndrimet e tyre dhe i thirri në Islam: “O njerëz! Thoni la ilahe il-lAllah (Nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut), që të shpëtoni!”
Ebu Lehebi shkonte pas Profetit (alejhi selam) për ta përgënjeshtruar dhe për t’i bërë keq atij. Arabët e njohën që nga ai Haxh punën e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) dhe emri i tij u përhap në të gjitha vendet arabe.