Pejgamberi (alejhi selam) e ka përdorur djegien, ose kauterizimin, për qëllime mjekësore. Pavarësisht nga kjo, ai i ka lavdëruar ata që nuk e zgjedhin kauterizimin si metodë, ndërsa shmangien e saj e ka përmendur bashkë me veprat e mira të largimit nga besëtytnitë dhe të mbështetjes tërësore tek Allahu i Madhëruar. Shembuj të tillë ka plot. Rruga e Profetit (alejhi selam) ka qenë gjithmonë mjaft e butë dhe kush e kupton atë siç duhet është e pamundur që të ketë dyshimin se hadithet autentike bien në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Disa njerëz deklarojnë se urdhri për t’u larguar me nxitim prej lebrozit shërben si parandalim i epidemisë që përhapet nëpërmjet pleksjes me të sëmurin ose nëpërmjet nuhatjes së erës së rëndë që ai lëshon, kur flitet për qëndrime të tejzgjatura pranë tij. Ndërsa nga vizitat e shkurtra, të cilat kanë synim të mirë, nuk ka ndonjë të keqe, pasi nuk ka gjasa që të infektohesh prej kontakteve të shpejta. Pejgamberi (alejhi selam) ndaloi qëndrimet e gjata me të sëmurët, me qëllim që të ruhet shëndeti i njerëzve, dhe lejoi kontaktet e shkurtra, të cilat nuk sjellin ndonjë problem. Atëherë, ç’kundërthënie paska këtu?
Një palë tjetër thotë që personi me lebër pranë të cilit u ul dhe hëngri Pejgamberi (alejhi selam) ndoshta vuante nga një formë e lehtë e kësaj sëmundjeje. Ka disa shfaqje të lebrës, të cilat ndryshojnë në varësi të shkallës së infektimit dhe rëndesës së tyre. Kësisoj, nëse përzihesh me njerëz që vuajnë nga një lebër e lehtë, që nuk ka përparuar, ka mundësi që të mos prekesh prej saj. Nëse sëmundja nuk ka fuqi të zhvillohet në trupin e të sëmurit, atëherë ajo është akoma më e pafuqishme për të sulmuar një trup tjetër të shëndetshëm.
Sipas një tjetër shpjegimi, përpara Islamit, njerëzit besonin se sëmundjet përhapen vetvetiu, pa e lidhur këtë çështje fund e krye me fuqinë dhe vullnetin e Allahut. Kështu, Pejgamberi (alejhi selam) e hodhi poshtë këtë besim të tyre dhe hëngri bashkë me një lebroz, për të dëshmuar se Allahu është i Vetmi që e shkakton sëmundjen dhe i Vetmi që sjell shërimin e saj.
Nga ana tjetër, Pejgamberi (alejhi selam) i ndaloi muslimanët që të afrohen me të sëmurët, për t’i mësuar ata se Allahu i ka krijuar sëmundjet të tilla që ato të kenë një efekt të caktuar te njerëzit. Ndalesa i vërteton këto efekte, ndërsa veprimi i tij na mësoi se ato (efektet e sëmundjes) kontrollohen krejtësisht prej Allahut të Madhëruar.
Në këtë mënyrë, në qoftë se Ai nuk dëshiron, këto efekte nuk kanë asnjë fuqi vepruese, dhe nëse Ai dëshiron, ato do të shkaktojnë atë dëmtim që Ai ka dashur dhe ka përcaktuar. Disa njerëz thonë se këto hadithe mund të jenë shfuqizuar nga hadithe të tjera dhe, për aq kohë sa ne nuk e dimë se cili hadith ka shfuqizuar tjetrin, nuk lejohet ta diskutojmë më tej këtë çështje.
Në përfundim, të tjerë thonë se disa nga këto hadithe janë autentikë dhe disa të tjerë janë të dyshimtë. Kështu, për shembull, hadithi: “Nuk ka sëmundje ngjitëse dhe as shenja ogurzeza”, është përfolur për saktësinë e tij. Sipas këtyre, Ebu Hurejra fillimisht e rrëfente këtë hadith, por më vonë nuk e përcillte më. Kur e pyesnin: “Po ti ke thënë kështu e kështu?!”, ai nuk e pranonte një gjë të tillë. Për këtë, Ebu Seleme ka thënë: “Nuk e di, a harroi Ebu Hurejra apo kemi të bëjmë me shfuqizim hadithi?”
Ndërsa rrëfimi i Xhabirit, ku tregohet se Pejgamberi (alejhi selam) hëngri së bashku me një lebroz, është hadith i pasaktë. Tirmidhiu e ka quajtur hadith garib, pra, nuk ka thënë që është i saktë dhe as hasen. Për këtë çështje, El Shuba dhe të tjerë kanë tërhequr vëmendjen, duke thënë: “Ruhuni nga hadithet garib!” Gjithashtu, duhet ditur se Tirmidhiu ka thënë: “Ka dëshmi më të sakta që thonë se në atë mënyrë ka vepruar Omeri [e jo Pejgamberi (alejhi selam)].” Gjithsesi, për këtë çështje kemi folur më gjerë në librin tonë El Miftah. Allahu i jep sukses atij që dëshiron!