Njerëzimi, pas Ademit (alejhi selam) jetoi për shekuj me radhë si një umet (popull) i pandarë, dhe i udhëzuar. Më pas, filluan polemikat dhe kundërshtimet mes tyre. Djajtë e shfrytëzuan këtë gjendje duke mbjellë lloj-lloj të këqijash në mesin e njerëzve, e këtë e bënin me mënyra të shumta e të ndryshme. Kur vdiqën disa njerëz nga populli i Nuhut, të njohur si njerëz të mirë (të devotshëm), pjesa tjetër u pikëllua shumë për vdekjen e tyre. Shejtani u erdhi e i urdhëroi t’i pikturojnë e t’i bëjnë skulpturë portretet e tyre me qëllim që të ngushëllohen dhe të kujtojnë kohët që kishin kaluar me ta. Kjo ishte zanafilla e së keqes.
Kur u shua brezi që i kishte portretizuar (njerëzit e mirë) për qëllimin e lartpërmendur, brezat e tjerë që erdhën më pas, e përzien dijen e tyre me gjëra të kota. Shejtani duke i nxitur u tha: “Këtyre statujave që mbajnë emrat e Ueddit, Suvait, Jeguthit, Jaukës dhe Nesrit, të parët tuaj u luteshin, u kërkonin ndërmjetësim (tek Zoti), përmes tyre kërkonin shiun dhe largonin sëmundjet.” Ai (shejtani) vazhdoi t’i nxiste derisa njerëzit filluan t’i adhuronin këto statuja, edhe pse u këshilluan nga njerëzit e dijshëm për të mos vepruar në këtë mënyrë.
Buhariu në Saihun e tij me nr 4920 përcjell nga Ibn Abassi se për fjalën e Allahut që thotë: “Dhe thanë: Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin (Nuh 21-23), ka thënë: “Këto ishin emra të disa burrave të mirë nga populli i Nuhut. Kur ndërruan jetë, shejtani u erdhi dhe u tha: Vendosni disa idhuj në kuvendet e tyre ku ata rrinin dhe emërtojini me emrat e tyre. Në fakt kështu vepruan por nuk i adhuruan. Dhe në kohën kur brezi u ndërrua dhe dija u rrënua, ata filluan t’i adhuronin.”
Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Shumë prej Selefëve kanë thënë: Kur ata ndërruan jetë, njerëzit filluan të qëndronin pandërprerë tek varret e tyre, më pas vendosën portretet e tyre. Pas një kohe të gjatë, filluan t’i adhuronin. Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Brezat e parë i portretizuan figurat e tyre që t’i merrnin si shembull dhe të kujtonin veprat e tyre të mira, që të përpiqeshin (në adhurime) siç përpiqeshin ata dhe të adhuronin Allahun tek varret e tyre. Por më pas erdhën breza të tjerë që nuk e kuptuan qëllimin e tyre dhe shejtani i cyti duke u thënë: Të parët tuaj i adhuronin këto portrete dhe i madhëronin.” Për më tepër shih Fet’hul Mexhid (1/281,282).
Më pas, Allahu dërgoi në mesin e tyre Nuhun (alejhis selam), të cilin e njihnin për njëri të sinqertë, besnik dhe me moral të mirë. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!” (A’raf: 59) Ai i ftoi drejt të mirave të dynjasë dhe Ahiretit (botës tjetër) dhe u tha: “O populli im! Në të vërtetë, unë jam për ju një paralajmërues i qartë: që të adhuroni Allahun, t’i frikësoheni Atij e të më bindeni mua, me qëllim që Ai të falë disa nga gjynahet tuaja dhe t’ju lërë (të jetoni) deri në një afat të caktuar.” (Nuh: 2-4)
Kur Nuhu nisi t’i ftonte që të adhuronin vetëm Allahun, e t’ua pastronte mendimet e kota që ndiqnin, si dhe t’i frikësonte me dënimin e Zotit në dynja dhe ahiret, ata u përgjigjën: “Ne të shohim ty në humbje të qartë”. (A’raf: 60) “Shohim, që ty të vijnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare. Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne, madje ju konsiderojmë gënjeshtarë”. (Hud: 27) Ata kërkuan dëbimin e besimtarëve që qëndronin me të, për shkak se e ndjenin veten mendjemëdhenj dhe për shkak të mospërfilljes që kishin ndaj të vërtetës dhe njerëzve.