Aishja (radijAllahu anha) tregon: “Pejgamberi (alejhi selam) nuk falte më tepër se njëmbëdhjetë rekatë namaz nate, as në ramazan dhe as në muajt e tjerë. Ai falte katër rekatë, – mos e pyet sa mirë e sa gjatë, – më pas falte sërish katër rekatë, – mos e pyet sa mirë e sa gjatë, – pastaj falte tre rekatë. I thashë njëherë: O i Dërguari Allahut, a fle gjumë para se të falësh vitrin?” – “O Aishe, sytë e mi flenë, por zemra ime nuk fle!” – m’u përgjigj ai”. [1]
Në një variant tjetër po tek Buhariu dhe Muslimi shënohet: “I Dërguari (alejhi selam) falte gjatë natës trembëdhjetë rekatë, tek të cilët përfshihej vitri dhe dy rekatët e sabahut.” [2]
Musruki (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “E pyeta Aishen (r.) për namazin e të Dërguarit (alejhi selam) gjatë natës. Ajo tha: “Falte shtatë, nëntë ose njëmbëdhjetë rekatë, përveç dy rekatëve të sabahut”. [3]
Ibn Abassi (radijAllahu anhu) thotë: “I Dërguari (alejhi selam) falte gjatë natës trembëdhjetë rekatë namaz”. [4]
Abdurrahman Ibn Hurmuz E’arexhi ka thënë: “Njerëzit që kam gjetur, që kur i mbaj mend, i mallkonin qafirat në lutje gjatë namazit të taravive në ramazan. Kënduesi që u printe njerëzve në namaz lexonte suren Bekare në tetë rekatë. Po ta lexonte për dymbëdhjetë rekatë, njerëzit mendonin se e kishte falur namazin shkurt”. [5]
Dobi dhe rregulla
E para: Namazi i Profetit (alejhi selam) gjatë natës në ramazan ishte i njëjtë me atë në muajt e tjerë. [6]
E dyta: Një veçori e profetëve është se atyre iu flinin sytë, por jo zemrat, prandaj ëndrrat e profetëve ishin të vërteta. [7]
E treta: Dijetarët janë në ixhma (një mendje) se namazi i natës në Ramazan dhe jashtë tij është i gradës sunet. Masa e tij nuk është e përcaktuar, prandaj sipas dëshirës, dikush zgjat qëndrimin në këmbë dhe shkurton numrin e rekatëve, e dikush tjetër shkurton qëndrimin në këmbë dhe shton rekatët. [8]
E katërta: Tradita e Pejgamberit në faljen e namazit të natës, në Ramazan dhe jashtë tij, ishte qëndrimi i gjatë në këmbë, në ruku dhe sexhde, duke mos falur më tepër se njëmbëdhjetë rekatë. Kjo është më mirë se të falesh shkurt e të shtosh numrin e rekatëve. [9]
E pesta: Kishte raste kur Profeti (alejhi selam) falte më tepër se njëmbëdhjetë rekatë, pra falte trembëdhjetë rekatë. Ndoshta falte edhe më pak, si shtatë ose nëntë rekatë, bazuar në hadithe të tjera. Ndërsa Aishja (radijAllahu anha) tregon se si vepronte më së shumti Profeti (alejhi selam), që praktika e tij e rregullt ishte të mos i kalonte njëmbëdhjetë rekatë . [10]
E gjashta: Profeti (alejhi selam) jepte selam pas dy rekatëve. Ndërsa falja e katër rekatëve – ose më shumë – me një selam bie ndesh me traditën e vazhdueshme të tij. Bazë për këtë është fjala e Aishes (radijAllahu anha) kur përshkruan namazin e Profetit (alejhi selam) gjatë natës: “Ai jepte selam pas dy rekatëve dhe përfundonte me një rekat tek”. [11]
Gjithashtu, Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Namazi i natës është dy e nga dy.” [12] Këtu nuk bën fjalë për namazin e vitrit, sepse muslimani mund ta falë vitrin tre ose pesë rekatë, duke u ulur për teshehud veçse në fund të tyre, siç përcillet në hadithin e Aishes (radijAllahu anha), e cila thotë: “I Dërguari i Allahut falte gjatë natës trembëdhjetë rekatë, nga të cilët pesë i kishte vitër. Në vitër ai ulej për teshehud veçse në fund”. [13]
E shtata: Sahabët dhe tabi’inët – Allahu qoftë i kanaqur prej tyre! – e zgjasnin namazin e teravive. Kjo ishte tradita e tyre në Medinë, siç dëshmon tabi’ini i nderuar Adurrahman Ibn Hurmuz – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë!
E teta: Lejohet mallkimi dhe lutja kundra qafirëve në duanë e kunutit, në namazin e teravive, qoftë ndaj atyre me të cilët kemi pakt sigurie, qoftë ndaj atyre që nuk kemi të tillë pakt, sepse ata e meritojnë për shkak të kufrit të tyre. Megjithatë, kjo nuk është e detyrueshme. Tradita e Pejgamberit në këtë çështje është t’i lutemi Allahut kundra kafirëve me të cilët jemi në gjendje lufte, t’i shkatërrojë e t’i ndëshkojë, ndërsa për ata me të cilët kemi marrëdhënie paqësore apo që shpresohet hyrja e tyre në islam t’i lutemi Allahut që t’i udhëzojë e t’i drejtojë. [14]
E nënta: Gjatë Ramazanit, sahabët dhe tabiinët në Medinë, lutjen që bënin kundra qafirëve në kunut e bazonin në duanë e kunutit të Profetit (alejhi selam) në rastet e fatkeqësive për vrasjen e kënduesve të Kur’anit nga fiset Riel, Dhekuan, Beni Lahjanë dhe Usajetu. [15] Banorët e Medinës e bënin një gjë të tillë nga gjysma e Ramazanit deri në fund të tij. [16]
E dhjeta: Lutja kundra qafirëve që bëhet ditën e xhuma, në pjesën e dytë të hutbes, bazohet në veprën e sahabëve dhe tabi’inëve të mëdhenj, në Medine, të cilët i mallkonin qafirat kur bënin duanë e kunutit. Hafidh Ibn Abdulberri (Allahu e mëshiroftë!), mbas konfirmimit të këtij përfundimi, thotë: “A’rexhi ka patur mundësinë të arrijë një numër të konsiderueshëm sahabësh dhe tabi’inësh të mëdhenj. Prandaj, kjo do të thotë se kështu veprohej në Medinë”. [17]
[1] Buhriu ( 1096) dhe Muslimi (738).
[2] Ky është varianti që përcjell Buhariu (1089), por i ngjashëm me të është dhe tek Muslimi ( 738).
[3] Ky është varianti i Buhariut (1088).
[4] Shënon Buhariu (1087) dhe Muslimi (764).
[5] Shënon Maliku (1\151), Abdurrezaku (7734) dhe Bejhakiu (2\497) me isnad të saktë. Abdurrahman ibn Hurmuz, i cili ka qenë prej tabiinëve të mëdhenj, tregon në rrëfimin e tij sesi vepronin banorët e Medines në kohën e Tij. Shih jetëshkrimin e tij në Sijer a’lam ennubela (5\69).
[6] Istidhkarë (2\98).
[7] Istidhkarë (2\101) Sherhu Nevevij (6\21).
[8] Istidhkarë (2\102) Temhid (21\70).
[9] Shih mexhmuë fetava Shejh Islam (23\69-72).
[10] Shih fetvanë (9353) të Komisionit të përhershëm të fetvave. Fet’hu ElBari i Ibn Haxher (3\20), Sherh Nevevij (6\18) dhe Subul selam (2\13).
[11] Sahih Muslim (736).
[12] Shënon Buhariu (946) dhe Muslimi (749) nga Ibn Umeri (radijAllahu anhu). Shejh Ibn Baz (Allahu e mëshiroftë!) ka nxjerr një vërejtje ku kritikon ata imamë xhamiash që falin katër rekate taravi të njëpasnjëshme me një selam, më datë 19\9\1414h. Këtë praktikë e ka kritikuar edhe Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) në librin Fikhu el Ibadatë (203-205).
[13] Shënon Muslimi (737).
[14] Shih librin Istidhkarë (2\73). Buhariu në kapitullin e lutjeve, në temën me numër (58), dhe në kapitullin ‘el xhihadi ue sijer’, në temën me numër (98), vendos si nënkapitull temën: “Lutje kundër idhujtarëve për shpartallim dhe tronditje”. Me këtë temë ai ka përmendur hadithe që dëshmojnë për diçka të tillë. Gjithashtu Buhariu në kapitullin e ‘lutjeve’ ka vendosur në librin e tij një nënkapitull tjetër (59) me temë: “Lutja për të mirën e paqësorëve prej tyre”. Ndërsa në kapitullin e xhihadit, ka vendosur nënkapitullin (100) me temë: “Lutja për idhujtarët që të udhëzohen, si një mënyrë për të fituar zemrat e tyre”. Për më shumë, unë kam sjellë fjalët e dijetarëve rreth kësaj çështjeje në një studim të shkurtër në librin “el Mufid fi hutabi xhumati uel iid (3\279-294).
[15] – Istidhkarë (2\73).
[16] [Ebu Daudi dhe Bejhakiu kanë sjellë dy transmetime, njëri nga Haseni dhe tjetri nga Ibn Sirini se Ubeji bente lutje kunuti veçse në gjysmën e dytë të ramazanit, por këto dy transmetimi jane të dobëta. Në një transmetim të saktë që gjendet tek Ibn Huzejme përmendet se në gjysmën e dytë të ramazanit, në kohën e Umerit, bënin lutje që Allahu t’i shkatërronte qafirat, transmetim ky i përmendur në mësimin e tetë. Euzaiu, siç shënon Bejhakiu, ka treguar se në përgjithësi bëhej kunutë nga fillimi i ramazanit deri në fund të tij, me përjashtim të banorëve të Medinës të cilët bënin lutje kunuti veçse në gjysmën e fundit të ramazanit. Bejhakiu sqaron se hadithi i Enesit ku tregohet se Pejgamberi bënte lutje kunuti nga gjysma e ramazanit deri në fund të tij është i dobët. Në një hadith të saktë të cilin e shënon Ebu Daudi, tregohet se Pejgamberi e bënte lutjen e kunutit të vitrit para rukuje. Nga shqyrtimi i hollësishëm i transmetimeve në këtë temë del se Pejgamberi nuk e bënte rregullisht lutjen e kunutit të vitrit, kështu që është mirë të lihet ndonjëherë]
[17] Referimi i mëparshëm (2\75).