Nxënësit e tij.
Prej Ibn Kajjimit (Allahu e mëshiroftë!), derisa ai ndërroi jetë, kanë mësuar mjaft dijetarë bujëmëdhenj. Njëri prej tyre qe imam Hafidh Zejnuddin Ebu Ferexh Abdurrahman Ibn Ahmed Ibn Rexheb el Bagdadiu – e më pas ed Dimeshki – el Hanbeli. Ky qe dijetar asket, me parime të shëndosha dhe i besueshëm, autor i disa librave të dobishëm në fushën e hadithit, jurisprudencës dhe historisë. Ai qëndroi pas Ibn Kajjimit derisa ky i fundit vdiq, ndërsa vetë Hafidh Ibn Rexhebi ndërroi jetë në vitin 795h.
Nxënës i tij ishte edhe Hafidh Imaduddin Ismail Ibn Omer Ibn Kethiri. Ai lindi dhe e kaloi rininë në Damask, duke mësuar prej dijetarëve të shquar të tij. Më shumë rëndësi u dha teksteve të hadithit dhe zinxhirit të transmetimit (sened-it) të tyre. Ai shkroi shumë libra. Ndër më madhështorët është libri i njohur ‘Tefsir’ (komentim Kurani). I tillë është edhe libri “El Bidajeh ue en Nihajeh” (‘Fillimi dhe Mbarimi’). Imam Dhehebiu, në “Muxhemul Muhtes” e ka cilësuar atë si imam, myfti, dijetar i shquar hadithi, dijetar fikh-u, me dituri të gjerë dhe komentator Kurani. Ibn Kethiri vdiq në vitin 774h, Allahu e mëshiroftë!
Nxënës i tij ishte edhe shejhu, imami, hafizi dhe shtylla e dijetarëve të hadithit, Shemsudin Ebu Abdullah Muhamed Ibn Ahmed Ibn Abdul-Hadi Ibn Abdul-Hamid Ibn Abdul-Hadi Ibn Jusuf Ibn Muhamed Ibn Kudame el Makdisi el Xhemaili el Salihi, i cili i dha rëndësi hadithit dhe llojeve të tij, njohjes së transmetuesve të hadithit dhe roblematikave në to. Ai studioi fikh-un, dha fetva dhe mësim. Ka shkruar, mbledhur dhe botuar shumë libra. Ai dha kontributin e tij në shumë fusha të dijes. Dhehebiu thotë për të: “Për Zotin, sa herë që jam ulur me të, kam përfituar prej tij.” Ibn Abdil Hadi (Ibn Kudame el Makdisi) vdiq në vitin 744h.
Dijetar tjetër, nxënës i Ibn Kajjimit, ishte edhe Shemsuddin Ebu Abdullah Muhamed Ibn Abdul-Kadir Ibn Muhjiddin Othman Ibn Abdurrahman el Nabulsi. Ai mësoi tek Abdullah Ibn Muhamed Ibn Jusufi, Hafidh el Alai, shejh Ibrahimi, e shumë të tjerë. Kur shkoi në Damask, atje qëndroi pas Ibn Kajjimit dhe mësoi prej tij. Lexoi para tij shumicën e librave që kishte shkruar. Vdiq në vitin 767 h. Nxënës tjetër ishte edhe i biri, Ibrahimi. Atë e ka përmendur edhe Dhehebiu në “Muxhemul Muhtes” me fjalët: “…Mësoi tek i ati, mësoi gramatikën arabe dhe punoi e kontriboi shumë me diturinë.”
Ndërsa Ibn Kethiri thotë: “Ishte i veçantë në gramatikën arabe dhe jurisprudencë, sipas rrugës së të atit.” Vdiq në vitin 767 h. Po kështu ishte edhe djali tjetër i tij Sherefuddin Abdullahi, i cili dha mësim në Sadrije, në vend të të atit. Prej tij pati shumë dobi. Ai dha mësime të vyera mbi vlerën e diturisë dhe të dijetarëve.
Thëniet e dijetarëve për të.
Çdokush që ka folur dhe ka shkruar për biografinë e tij, i ka bërë përshkrime që tregojnë pozitën e tij të epërme, gradën e tij të lartë dhe horizontin e tij të gjerë.
Kështu, Hafidh Ibn Rexhebi, për të, thotë: “Ishte i shquar në komentimin e Kuranit, i pakonkurrueshëm në të; po ashtu edhe në bazat e fesë (akide). Të gjithë i referoheshin atij në këto dy fusha. Ishte i zoti e i pashoq në fushën e hadithit, në zbërthimin dhe analizën e tij. E njihte mirë jurisprudencën islame dhe bazat e saj. Ishte shumë i aftë në gjuhën arabe. Kishte njohuri të gjera në kelam (teologji), në idetë, thëniet, aludimet e mistershme dhe hollësirat e sufive (mistikëve).
Ishte adhurues i madh dhe prej atyre që faleshin natën. E zgjaste namazin aq sa mundej. Ishte përkujtues i Allahut, i përmalluar ndaj Tij, që e donte Atë dhe pendohej para Tij. Tregohej nevojtarë për Allahun dhe i nënshtruar plotësisht ndaj Tij. I përulur ndaj Zotit dhe i përkushtuar në adhurim. Nuk kam parë njeri si ai në këtë aspekt. Nuk kam parë njeri më të ditur se ai. Nuk kam parë njeri më të ditur për kuptimet e Kuranit, të Sunetit dhe për çështjet e besimit. Nuk ishte i pagabueshëm, porse në gradën e atij nuk kam njohur tjetër.”
Hafidh Dhehebiu thotë: “Ai i dha rëndësi hadithit, teksteve të tij dhe studioi disi edhe transmetuesit e hadithit. Punoi në fushën e fikh-ut, ku kishte aftësi t’i shqyrtonte mirë çështjet dhe të dilte me përfundime të shëndosha. Ishte njohës i mirë i gramatikës arabe, e gjithashtu kishte njohuri të thella në bazat e besimit dhe të jurisprudencës. Spikati në mësimdhënie dhe në përhapjen e diturisë.”
Hafidh Ibn Kethiri thotë: “U shqua në fusha të ndryshme të diturisë, por më tepër në fushën e komentimit të Kuranit, në hadith dhe në bazat e besimit dhe të jurisprudencës. E shoqëroi Ibn Tejmijen që kur u kthye nga Egjipti, në vitin 712h, e derisa ai vdiq. Prej tij përfitoi dituri të madhe, duke mos harruar edhe atë që kishte mësuar më parë. U bë i veçantë në shumë fusha të diturisë. E megjithëkëtë përpiqej fort në kërkimin e diturisë, ditën dhe natën, dhe ishte shumë i kushtuar pas lutjes dhe ibadetit të Allahut. Lexonte bukur dhe kishte moral të lartë. Ishte i dashur. Nuk kishte smirë për asnjë dhe nuk shqetësonte njeri. Nuk mbante inat me askënd. Në këtë botë, në kohën tonë, nuk njoh njeri më adhurues se ai.”
Ibn Nasir ed Dimeshki thotë: “Kishte njohuri në shumë fusha, veçanërisht në komentimin e Kuranit dhe në bazat e jurisprudencës. E njihte mirë tekstin dhe nëntekstin. Për të, tregon Ebu Bekër Ibn Muhibi: “Pyeta profesorin tonë, El Mizin: ‘A është Ibn Kajimi në gradën e Ibn Huzejmes?’ Ai u përgjigj: “Për kohën e sotme, ai është si Ibn Huzejme në kohën e vet.”
Kadiu Burhanuddin el Zeri ka thënë: “Nuk ka nën kupën e qiellit njeri më të ditur se ai. Dha mësim në shkollën Sadrije dhe ishte imam në Xheuzijeh. Me dorën e tij ka shkruar aq shumë, sa nuk llogaritet. Ka shkruar me dorën e tij shumë libra, në fusha të ndryshme. Kishte shumë dashuri për kërkimin, shkrimin, leximin, përhapjen dhe përpilimin e diturisë. Kishte dashuri edhe për pajisjen me libra. Zotëronte aq shumë libra, sa askush tjetër nuk i kishte.”
Hafidh Ibn Haxher e përshkruan kështu: “Ishte mendjeshkathët dhe me zemër të guximshme, me dituri të gjerë, i njihte mirë divergjencat, po ashtu edhe mendimet e të parëve.” Ndërsa Sheukani ka thënë: “Ishte i kapur pas argumenteve të sakta, i dhënë pas punës me to. Nuk i merrte për bazë arsyetimet që bien ndesh me argumentin fetar. Deklaronte të vërtetën, dhe nuk i bënte lajka askujt.”