I pari që shkroi në përmbledhjen e haditheve të sakta është El Buhariu, Ebu Abdilah Muhamed Ibn Ismail. Pas tij vjen Muslimi, Ebul Hasen Muslim Ibn El Haxhaxh el Nejsaburi. Muslimi edhe pse ka marrë hadithe nga Buhariu, në sahihun e tij nuk ka përmendur asnjë transmetim nga Buhariu. Megjithatë ai ka grumbulluar në të një numër të madh hadithesh aq sa askush nuk i ka arritur në atë numër. Madje disa e kanë parapëlqyer edhe mbi sahihun e Buhariut. Kjo për disa arsye:
- Muslimi ka mbledhur së bashku rrugët e transmetimit të hadithit që sjell dhe nuk i ka të shpërndara nëpër sahihun e tij. Pra është shumë e thjeshtë të shohësh të gjitha rrugët e një hadithi të sjellë nga Muslimi në librin e tij. Ndërsa Buhariu i ka të shpërndarë ato në kapituj të ndryshëm gjë që e bën të vështirë grumbullimin e rrugëve të tyre. [1]
- Sjellja e haditheve me kontekstin më të bukur të mundshëm.
- Përpikmëria në sjelljen e teksteve ashtu si janë sjellë në origjinë, pa i sjellë të copëzuara nëpër kapituj të ndryshëm, sikurse ka vepruar Buhariu. Gjithashtu Muslimi nuk i sjell hadithet me kuptim por, rigorozisht me tekstin e saktë. [2]
- Shumë nga dijetarët e Marokut parapëlqejnë Sahihun e Muslimit për këtë arsye dhe për të tjera si p.sh fakti që në sahihun e Muslimit nuk është sjellë as edhe një hadith i vetëm jo i saktë. Pas hytbes hapëse të librit çdo gjë e sjellë në të është sahih e saktë”. [3]
- El mual-lak janë hadithet të cilave nuk u përmendet një apo dy transmetues nga fillimi i isnadit (zinxhirit të transmetimit). Në sahihun e Muslimit mual-lakatet janë shumë të pakta në krahasim me të Buhariut që janë të shumta.” [4] Prandaj El Hafidhu Ebu Alij El Nejsaburi ka thënë: Nuk ka nën kupën e qiellit libër më të saktë se sahihu i Muslimit.”
Çdo kush që vështron me vëmende në sahihun e Muslimit dhe vëren esanidet e sjella në të, renditjen e tyre, kontekstin ku janë sjellë, metodologjinë e tij të karakterizuar nga një cilësi e lartë dhe e pashembullt përpikmërie, tregon se ai ka frikë të madhe dhe synon për të sjellë më të sigurtën e mundshme prej transmetimeve.
Ai ka sjellë rrugët më të shkurtra dhe të sigurta, i ka përmbledhur ato që janë aq të shpërndara në barqet e librave. Kjo tregon dijen e tij të gjerë në referencat e hadithit. Të gjitha këto veçori të mrekullueshme të fshehura në librin e tij sahih e bëjnë atë një imam të madh të cilit nuk mund t’i afrohet askush prej dijetarëve të mëvonshëm, madje edhe bashkëkohësit e ngjashëm me të janë të pakët. Pa dyshim, kjo është bujaria dhe mirësia e Allahut të cilën ai ia jep kujt dëshiron. [5]
Ibn Shekij ka thënë: “E Kam dëgjuar Muslimin të thotë: “Këtë libër Musned (sahihun tim) ia kam paraqitur Ebi Zurates dhe për çdo hadith për të cilin më tregoi ndonjë difekt (il-letun) dhe sebep për tu hequr e kam hequr. Dhe për çdo hadith për të cilin e gjykoi si sahih që nuk ka defekt e kam futur në të. Nëse dijetarët e hadithit do të shkruanin hadith për dyqind vjet, rreth këtij musnedi do të vërtiteshin.” [6]
Ahmed Ibn Mesleme ka thënë: “Kam qenë me Muslimin gjatë shkrimit të sahihut për 15 vjet dhe ai i plotësoi 12.000 hadithe. [7]
Muhamed Ibn Mesarxhesij ka thënë: “E kam dëgjuar Muslimin të thotë: “E Kam përzgjedhur sahihun tim prej më shumë se 300.000 hadithesh të dëgjuara me veshët e mij.” [8]
Umer Ibn Ahmed el Zahd ka thënë: “E kam dëgjuar një nga transmetuesit tanë të besueshëm që të thotë: “Kam parë në ëndërr Ebu Alij el Zeguzij duke ecur në rrugët e El Hajrate duke qarë dhe në dorën e tij kishte një pjesë nga libri i sahihut të Muslimit. Unë i thashë: Çfarë bëri Zoti me ty? Ai thoshte: “Shpëtova me këtë, dhe tregoi atë pjesë të librit të sahihut të Muslimit.” [9]
[1] Parathënia e ibnu Salahut
[2] Parathënia e ibnu Salahut; Shih Tehdhib el tehdhib”
[3] Shih: Parathënia e ibnu Salahut fq. 14
[4] Parathënia e ibnu Salahut
[5] Tehdhib el esma ue el-lugat 2/91
[6] Sijaru ea’lam el nubela 12/568
[7] Sijaru ea’lam el nubela 12/568
[8] Historia e Bagdadit
[9] Historia e Bagdadit vëll 13/101