Lidhja me shejhun e tij, Imam Buhariun.
Kur Imam El-Buhari mbëriti në Nejsabur, në mësimet e tij ishte i vazhdueshëm Ebu Hatim dhe Ebu Zur’ate, ndërsa Muslimi nuk prezantonte. Por nga fundi Muslimi u bë i përhershëm në mexhliset e tij. El-Hatibi ka thënë: “Me të vërtetë Muslimi ndoqi gjurmët e Buhariut dhe përfitoi shumë nga dija e tij. Nëse nuk do të ishte Buhariu, Muslimi nuk do të shkonte e vinte në kërkimin e dijes.”
Ahmed Ibn Hamdun El-Kisar ka thënë: “E kam parë Muslim Ibn El-Haxhaxh që kur takoi Buhariun e puthi në ballë dhe i tha: “Më ler të të puth në ballë o profesor i profesorëve, o zotëria i të gjithë muhadithëve, o doktori dhe kuruesi më i mirë i sëmundjeve (ilel) të hadithit. Pastaj e pyeti rreth defektit të hadithit të ashtuquajtur, hadithi i faljes së mexhlisit. Imam Buhariu ia shpjegoi defektin dhe kur mbaroi, Muslimi tha: “Ty nuk të urren veçse hasedçiu. Dëshmoj se në këtë dynja nuk ka dijetar të ngjashëm me ty!”.
Grada e tij e lartë dhe opinionet e dijetarëve për të.
Dijetarët janë unanimë në gradën e lartë të Imam Muslimit. Ai është imam i nivelit të lartë, specialist, ekspert i kësaj fushe (hadithit) madje është nga protagonistët e kësaj fushe. Ai është i tejmbushur me diturinë e hadithit. Argumenti më i madh për këtë cilësi të pa diskutueshme është pikërisht sahihu i tij. [1]
El-Hakimu ka thënë: “E kam dëgjuar Ebu Abdurahman El-Sulemij që të thotë: Unë e kam parë një shejh me fytyrë të pamshme dhe të veshur me rroba të bukura dhe të hijshme. Ai mbante një pelerinë të bukur ndërsa bishtat e amames i binin mes shpatullave. Thanë: ky është Muslimi. Atëherë mbërritën të dërguarit e Sulltanit me një urdhër dhe thanë: “Ka urdhëruar emiri i besimtarëve (udhëheqësi) që Muslim Ibn Haxhaxhi të jetë imami i besimtarëve, prandaj le të prijë në namaz në xhaminë e madhe. Dhe vërtet ai u fal me njerëzit. [2]
Ai ka thënë gjithashu: “Kam lexuar me shkrimin e Ebi Amr shkruesit i cili tregon: “Në vitin 251 h ne shkruanim hadithin që na diktonte Is’hak Ibn Mensur. Ndërsa Muslim Ibn Haxhaxh qante me një zë të zgjatur e unë shkruaja atë që diktohej, Is’hak Ibn Mensur drejtonte shikimin nga Muslimi dhe thoshte: “Kurrë nuk do të na mungojë mirësia, për sa kohë Zoti i lartësuar do të të lerë në dynja për dobinë e muslimanëve. [3]
Abdurrahman Ibn Ebi Hatim ka thënë: “Muslimi ka qenë “thikatun minel hufadh” i besueshëm dhe prej hafizave. Prej tij shkruan hadithe dijetarë të El-Rajj-it. Është pyetur Buhariu për të dhe ka thënë: “Ai është saduk/i vërtetë, i besueshëm, i çiltër.” [4]
Ebu Kurajsh El-Hafidh ka thënë: “Kam dëgjuar Muhamed Ibn Beshar që të thotë: “Hafizët e dynjasë janë 4 persona: “Ebu Zur’ate nga El-Rajji, Muslimi nga Nejsaburi, Abdullah El-Darimij nga Samarkandi dhe Muhamed Ibn Ismail nga Buhara.” [5]
Ahmed Ibn Selemeh ka thënë: “I kam vërejtur Ebu Zur’ate dhe Ebu Hatim që i jepnin përparësi dhe parapëlqenin më shumë Muslimin në njohurinë e hadithit të saktë, mbi dijetarët e tjerë të kohës së tyre. Ai ka thënë gjithashtu: “E kam dëgjuar El-Husejn Ibn Mensurin të thotë: “E kam dëgjuar Is’hak Ibn Rahavejhin të përmendë Muslimin dhe pastaj tha diçka në persisht që do të thotë: “ Çfarë burri i madh është ky njeri!”
Ebu Amr Ibn Hamdan ka thënë: “ E kam pyetur el Hafidh Ibn Akdete për Buhariun dhe Muslimin, cili prej të dyve është më i ditur? Ai më tha: Muhamedi (Buhariu) ka qenë dijetar por edhe Muslimi ka qenë dijetar.” [6]
Shejhu i tij Muhamed Ibn AbdulVehab El-Fera ka thënë për të: “Muslimi ka qenë prej dijetarëve dhe një hambar diturie. Veçse mirë kam ditur e dëgjuar për të. Ai ishte tregëtar rrobash dhe babai i tij ishte nga dijetarët”. [7] Ebu Bekr El-Xharudij ka thënë; “Na ka treguar Muslim Ibn Haxhaxh i cili ishte nga hambarët e dijes.
Selemetu Ibn Kasim ka thënë: “Ai ka qenë thikatun/i besueshëm, dhe i një grade e rëndësie të lartë prej imamëve të njohurisë së hadithit. [8] Ibn Ahram ka thënë: “Tre janë burrat e hadithit që ka nxjerrë qyteti ynë: Muhamed Ibn Jahja, Ibrahim Ibn Ebi Talib dhe Muslimi. [9]
[1] Tehdhibul Kemal 27/503
[2] Sijaru ea’lam el nubela 12/526
[3] Tehdhib el tehdhib vëll 10/127; Sijer ea’lam el nubela 12/563
[4] Sijaru ea’lam el nubela 12/564; Tehdhib el tehdhib vëll 10/129
[5] Historia e Bagdadit vëll 2/16; Tedhhibul hufadh vëll 2/589;
Sijaru ea’lam el nubela 12/564; Tehdhib el tehdhib vëll 10/128
[6] Historia e Bagdadit
[7] Tehdhib el tehdhib vëll 10/127
[8] Tehdhib el tehdhib vëll 10/128
[9] Tehdhib el tehdhib vëll 10/128