Përdorimi i misvakut dhe i kuhlit [1] për agjëruesin.
Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcjell se i Dërguari Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Po të mos ia vështirësoja punët umetit tim, do t’i kisha urdhëruar të përdornin misvakun para çdo namazi”. [2]
Aishja (radijAllahu anha) gjithashtu tregon se i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Misvaku është pastrim për gojën dhe e kënaq Allahun e Lartmadhëruar”. [3]
Ibn Umeri (radijAllahu anha) thotë: “Misvaku përdoret në fillim të ditës dhe në fund të saj.” [4] Gjithashtu, ai ka thënë: “Nuk ka gjë nëse agjëruesi përdor misvak të njomë e të thatë”. [5]
Përcillet nga Muadhi (radijAllahu anhu) se: “I Dërguari (alejhi selam) i ka urdhëruar të përdorin misvakun”, megjithëse ai e dinte që goja e agjëruesit do të ketë grahmë, edhe pse përdor misvakun. Nuk ka mundësi t’i ketë urdhëruar që të grahmonin me dashje, sepse kjo nuk ka asnjë dobi, përkundrazi është diçka e keqe. Ndryshe është çështja e atij që është sprovuar me një gjë të tillë dhe nuk ka se çfarë të bëjë. [6]
Nga ana tjetër, tregohet nga Enes Ibn Maliku se ai vinte kuhël në sy kur ishte me agjërim. [7] Haseni (Allahu e mëshiroftë!) ishte i mendimit se nuk ka gjë që burri të vërë kuhël kur agjëron. [8] Kështu, përcillet dhe nga Zuhri (Allahu e mëshiroftë!) se ka thënë: “Nuk ka gjë që agjëruesi të përdorë kuhlin.” [9]
Dobi dhe rregulla
E para: Vlera e misvakut dhe theksimi i përdorimit të tij, aq sa i Dërguari (alejhi selam) për pak sa nuk dha urdhër për përdorimin e tij para çdo namazi.
E dyta: Mëshira e Profetit (alejhi selam) për umetin e tij dhe largimi i vështërësive ndaj tyre.
E treta: Misvaku përdoret në fillim të ditës së agjërimit dhe në fund të saj. Përdorimi i misvakut është sunnet për atë që agjëron dhe atë që nuk agjëron. Ky gjykim nuk ndryshon për të dy rastet, bazuar në tërësinë e haditheve lidhur me këtë çështje.
E katërta: Agjëruesi ka të drejtë të përdorë misvak pa ndonjë ndryshim a është i njomë apo i thatë. [10]
E pesta: Nëse ndodh që gjatë përdorimit të misvakut del gjak nga mishi i dhëmbëve, kjo nuk e prish agjërimin, por ai nuk duhet ta përcjellë gjakun. [11]
E gjashta: Agjëruesit i lejohet të përdori kuhlin, të lëshojë pika në sy e në vesh, edhe nëse ndjen shijen e tij në gurmaz, sepse syri e veshi nuk përmenden tekstualisht dhe nuk janë njësoj si ato që përmenden në tekste, pasi ata nuk janë rrugë e ushqimit dhe e pijes. [12]
E shtata: Pikat që lëshohen me pikatore në hundë, nëse zbresin e bien në stomak, e prishin agjërimin, sepse i Dërguari (alejhi selam) e ka ndaluar agjëruesin të tërheqë fort ujin me hundë kur merr avdes. Por nëse pika e hundës nuk arrin në stomak, atëherë nuk ka gjë. [13] E teta: Agjëruesit i lejohet të përdorë polverizatorin (pompën) e astmës, i cili arrin në mushkëri. Atij nuk i prishet agjërimi dhe nuk mëkaton me përdorimin e tij. [14]
E nënta: Gjilpërat kuruese nuk e prishin agjërimin, edhe nëse ndjen shijen e ilaçit në gurmaz. Kjo vlen për gjilpërat që bëhen në vena e në muskuj, ndërsa gjilpërat ushqyese, të cilat janë në vend të ushqimit, e prishin agjërimin. [15]
E dhjeta: Agjëruesi që ka nevojë për gjilpëra ushqyese ose gjëra të tjera që prishin agjërimin, e prish agjërimin, për shkak të sëmundjes dhe e agjëron më vonë kaza.
E njëmbëdhjeta: Nëse e lyen trupin me ndonjë gjë që bie erë të fortë, shijen e të cilës e ndjen në fyt, ajo nuk ta prish agjërimin, sepse aromat nuk ta prishin agjërimin, edhe nëse janë të forta. [16]
E dymbëdhjeta: Supostat dhe ovulat nuk e prishin agjërimin, prandaj agjëruesit i lejohet t’i përdorë. [17] E trembëdhjeta: Pasta që përdoret për të larë dhëmbët nuk e prish agjërimin, njësoj si misvaku, por duhet pasur kujdes mos të kalojë në gurmaz. Nëse kalon diçka në gurmaz pa dashje, s’ka gjë. Megjithatë, nëse e vonon larjen e gojës deri në mbrëmje, është më e sigurt.
E katërmbëdhjeta: Ilaçi që përdoret me anë të gargarasë në gojë, nuk ta prish agjërimin, përderisa nuk e përcjell. Agjëruesi duhet ta shtyjë më mirë përdorimin e tij për në darkë. Këtu bën përjashtim rasti kur është i nevojshëm përdorimi i tij gjatë ditës. [18]
E pesëmbëdhjeta: Nuk ka gjë nëse përdor spërkatës për të larguar erën e keqe nga goja, nëse lënda e tij nuk arrin në gurmaz. [19]
E gjashtëmbëdhjeta: Nëse e kapërdin pështymën, nuk ka gjë. Për këtë nuk ka kundërshtime mes dijetarëve. Ndërsa gëlbazën nuk lejohet që ta kapërdish, sepse njeriu mund ta shmangë atë. [20]
E shtatëmbëdhjeta: Klizma nuk e prish agjërimin. [21]
[1] Kuhli ithmid është një element metalik i kristaltë, i ngurtë, i brishtë, i shkrifët, me ngjyr të kuqërremtë, gjendet në vendet e Hixhazit. Lloji më i mirë i kuhlit sillej nga Asbahani. Kuhli vihet në sy. Dobia është se ai i thanë lotët, e pastron syrin, mbron shëndetin e tij dhe e forcon shikimin. Por nëqoftë se vënia e kuhlit për burrat ngjall ndonjë dyshim, atëherë duhet të mënjanohet.
[2] Buhariu (847) dhe Muslimi (252).
[3] Shënon Ahmedi (6\62), Nesai (1\10), Darimiu (684) dhe Ebu Jaëla (4916). Ibn Huzejme (135) dhe Ibn Hibani (1067) e vlerësojnë të saktë.
[4] Buhari shprehet prerazi që është thënie e Ibn Umerit, por nuk e sjell me sened (2\681), kurse Ibn Ebi Shejbe e sjell me sened të pashkëputur, siç përmend El Hafidh në Fet’h (4\154). Shih Taglik el Talik (3\151). Gjykimi i saktë është se kjo është një thënie e Ibn Umerit, ndërsa ata që e kanë sjellë si thënie të Profetit (alejhi selam) kanë gabuar, siç përmendet në Hulasatu el Bdril el munir (1149).
[5] Shënon Ibn Ebi Shejbe (2\296).
[6] Shënon Taberani në El Kebir (20\70) numër (133) dhe në Musned Shamijin (2250). Hafidhi në Talhis e vlerëson isnadin se është i mirë (2\202), porse Hejthemi e përcakton të dobët për shkak të Bekr Ibn Hunejs, duke shtuar se Ibn Mein e ka vlerësur korrekt (3\165).
[7] Shënon Ebu Daudi (2378) dhe Ibn Ebi Shejbe (2\304). Ky është qëndrim i Enesit. Tirmidhiu në sunenin e tij thotë se nuk ka ndonjë transmetim të saktë nga Profeti (alejhi selam) në këtë çështje (3\105).
[8] E Shënon Ibn Ebi Shejbe (2\304).
[9] Shënon Ibn Ebi Shejbe (2\304).
[10] Buhariu (Allahu e mëshiroftë!) ka emërtuar një nënkapitull me temën: “Përdorimi i misvakut të njomë e të thatë nga agjëruesi (2\682). Hafidh në Fet’h thotë: Buhariu me këtë emërtim të kapitullit nënkupton kundërpërgjigje ndaj atyre që e bëjnë të urryer për agjëruesin përdorimin e misvakut të njomë, si Malikitë dhe Sha’biu. Më pas ka përmendur thënien e Ibn Sirinit se si ai e krahason misvakun e njomë me ujin që shpërlan gojën. Shih: Fet’h (4\158) dhe Temhid (19\58).
[11] Shih: Fetava El Lexhne (10\265) dhe fetvanë numër (3785).
[12] Shih Mexhmui Fetava të Ibn Bazit (15\260-261). Këtë mendim ka zgjedhur edhe shejhu el islam Ibn Tejmije, siç ka përmendur dijetari i nderuar Ibn Uthejmin në Fikhu el ibadat, i cili gjithashtu e përkrah këtë mendim (191-192).
[13] Shih: Fetva Ibn Baz (15\260) dhe Fetava Ibn Uthejmin (1\520).
[14] Shih Fetva Ibn Baz (15\265) dhe Fetava Ibn Uthejmin (1\500). (Edhe hapa e zemrës që vendoset nën gjuhë dhe që nuk arrin fyt nuk e prish agjërimin.)
[15] Shih: Mexhmui Fetava dhe resail të Ibn Uthejminit (19\213-215).
[16] Mexhmuë Fetava ue resail Ibn Uthejmin (19\225-228).
[17] Fetava Ibn Uthejmin (1\205).
[18] Shih Mexhmui Fetava ue Resail Ibn Uthejmin (19\290).
[19] Munteka min fetava El Feuzan (3\130).
[20] Fetava Lexhnetu daimetu (9584) dhe Fetava Ibn Baz (3\251). (Gjithsesi, edhe nëse agjëruesi e kapërdin gëlbazën nuk i prishet agjërimi.)
[21] Tuhfetu el ihvan i Ibn Baz (82).