Kapitulli i Pastërtisë – Tema 30
(Nr. 55) Na ka treguar Muhammed Ibn Kethiri, këtij i ka treguar Sufjani, nga Mensuri dhe Husajni, këta nga Ebi Vaili, ky nga Hudhejfe: “I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) kur ngritej natën e pastronte gojën me misvak”. (Hadith i saktë – Albani)
(Nr. 56) Na ka treguar Musa Ibn Ismaili, këtij i ka treguar Hammadi, këtë e ka lajmëruar Behze Ibn Hakimi, nga Zurare Ibn Evfa, ky nga Sa’d Ibn Hishami, e ky nga Aishja: “Pejgamberit (salAllahu alejhi we selem) i vendosej uji për abdest dhe misvaku (në një vend), e kur ngritej natën, kryente nevojë, pastaj i pastronte dhëmbët me misvak”. (Hadith i saktë – Albani)
(Nr. 57) Na ka treguar Muhammed Ibn Kethiri, këtij i ka treguar Hemmami, nga Ali Ibn Zejdi, ky nga Ummi Muhammedi, kjo nga Aishja: “Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) sa herë që pushonte, natën ose ditën. Kur zgjohej para se të marrë abdest, do t’i pastronte dhëmbët me misvak”. (Hadith i mirë, por pa shtesën ‘ose ditën’ – Albani)
(Nr. 58) Na ka treguar Muhammed Ibn Isa, këtij i ka treguar Hushejmi, këtë e ka lajmëruar Husajni, nga Habib Ibn Ebi Thabiti, ky nga Muhammed Ibn Ali Ibn Abdullah Ibn Abbasi, ky nga babai i vet, e ai nga gjyshi i vet, Abdullah Ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Një natë kam fjetur te Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem), kur u zgjua nga gjumi, shkoi te uji, mori misvakun dhe i pastroi dhëmbët, pastaj lexoi këtë ajet: ”Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt” (Ali Imran : 190), derisa afërsisht e përfundoi këtë sure, ose e mbaroi atë, pastaj mori abdest dhe shkoi në vendin ku falej, i fali dy rekate, pastaj u kthye te shtrati i vet dhe fjeti sa ka dashur Allahu, pastaj u zgjua dhe veproi si më parë dhe u kthye prapë te shtrati i tij, fjeti pastaj u zgjua dhe bëri si më parë, pastaj u kthye te shtrati dhe fjeti pastaj u zgjua dhe veproi si më parë. Sa herë që ngritej pastronte dhëmbët me misvak dhe i falte dy rekate, pastaj një (rekat) e bëri tek”. (Hadith i saktë – Albani)
Ebu Davudi ka thënë: Këtë hadith e ka transmetuar edhe Ibn Fudejli, nga Husajni, i cili ka thënë: ”Pastronte dhëmbët me misvak, merrte abdest dhe thoshte: “Në krijimin e qiejve e të tokës derisa e mbaroi suren”.
(Sunen Ebu Davud)