Prej Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) përcillet se një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) duke thënë: “O i Dërguar i Allahut! Ne udhëtojmë me anije dhe mbartim me vete pak ujë të pijshëm, nëse e përdorim për abdes na merr etja. A të marrim abdes me ujin e detit?” I Dërguari i Allahut (alejhi selam) i tha: “Uji i tij është i pastër dhe e ngordhura që gjendet në të është hallall.” (Hadith i saktë.)
Disa dobi nga ky hadith:
- Uji i detit është i pastër, lejohet marrja e abdesit dhe gusulit me të dhe pastrimi prej papastërtive, dhe kjo gjë nuk kushtëzohet në raste domosdoshmërie, por lejohet në të gjitha rastet.
- Ndryshimi i ujit për faktin se ka ndenjur për një kohë të gjatë në një vend, ose prej kripës, nuk e bën atë të papërdorshëm për pastrim, përderisa ai është ujë.
- Kafsha e detit, nëse ngordh vetë pa therrje, lejohet të haet.
- Lejohet të nxirret nga uji i detit uji i pijshëm me anë të filtrimit.
- Hezitimi i sahabëve (radijAllahu anhum) për ujin e detit, meqënëse është i kripur, ka erë dhe nuk pihet, kështu që menduan se meqënëse nuk pihet nuk lejohet pastrimi me të.
- Sahabi pyeti për ujin e detit e i Dërguari i Allahut (alejhi selam) u përgjigj për ujin e detit dhe të ngordhurën në të. Kjo tregon se ai që jep fetva (muftiu) mund të shtojë në përgjigje përtej përmbajtjes së pyetjes nëse e shikon të nevojshme.