1– Transmetohet se Zejd Ibn Erkami ka thënë: “Profeti (alejhi selam) mbajti një fjalim tek një burim uji mes Mekkës dhe Medinës, i cili quhej Heman. Ai, pasi falënderoi Allahun (Xheleshanuhu) dhe e lavdëroi Atë, nisi t’i këshillonte njerëzit, me këto fjalë: “O njerëz! Unë jam njeri dhe pritet që të më vijë i dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes) dhe unë do t’i përgjigjem atij, prandaj po ju lë juve dy porosi: e para, përmbajuni librit të Allahut! Në të gjendet udhëzimi dhe drita. Kurrë mos hiqni dorë prej tij!”
Vazhdoi të këshillonte për rëndësinë e zbatimit të porosive që gjenden në librin e Allahut, e pastaj tha: “Ju porosis, gjithashtu, të silleni mirë e t’i nderoni anëtarët e familjes time (Ehli Bejtin)! Ju porosis të keni frikë Allahun e të përkujdeseni për anëtarët e familjes time! (e përsëriti tri herë)…” [1]
2– Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush më do mua, duhet ta dojë edhe Aliun!” [2]
3– Nga Aliu (radijAllahu anhu) transmetohet: “Profeti (alejhi selam) më dërgoi si mëkëmbësin e tij në Jemen, në kohën kur kam qenë shumë i ri në moshë. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, ti po më dërgon tek një popull i madh, ndërkohë që unë jam i ri në moshë dhe nuk kam shumë përvojë që të gjykoj mes tyre.
Profeti (alejhi selam) i ngriti duart dhe nisi të lutej: “O Allah! Udhëzoje zemrën e tij! Dhuroi elokuencë dhe oratori në të shprehur!” Pastaj u kthye nga unë dhe veç të tjerash më porositi: “O Ali! Mos gjyko në favor të njërës palë, pa e dëgjuar edhe palën tjetër!” Pasi Profeti u lut për mua dhe më këshilloi, Allahu ma bëri të lehtë gjykimin mes njerëzve.” [3]
4– Transmetohet se Sehl Ibn Sa’di ka thënë: “Aliu hyri në shtëpinë e tij dhe pas disa çastesh doli nga shtëpia, për të shkuar në xhami dhe u shtri aty. Pas pak erdhi Profeti (alejhi selam) dhe e pyeti Fatimen: “Ku është burri yt? Ajo i tha se kishte shkuar në xhami. Profeti (alejhi selam) doli dhe e vuri re që i kishte rënë rroba e tij nga shpina dhe dheu i ishte ngjitur në shpinë. Nisi t’ia fshinte dheun, duke i thënë me butësi: “Ngrihu, o Ebu Turab!” (e përsëriti dy herë).” [4]
5– Nga Hubshij Ibn Xhunadeh transmetohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Aliu është i imi dhe unë jam i tij.” [5]
6– Nga Ziri transmetohet se Aliu (radijAllahu anhu) ka thënë: “Profeti (alejhi selam) më ka njoftuar se mua më do ai që është besimtar dhe më urren ai që është munafik (hipokrit).” [6]
7– Umeri (radijAllahu anhu) ka thënë: “Profeti (alejhi selam) ndërroi jetë duke qenë i kënaqur me Aliun.” [7]
8– Mus’abi tregon se babai i tij, Sa’di ka thënë: “Profeti (alejhi selam) u nis së bashku me sahabët për në luftën e Tebukut dhe e la Aliun si mëkëmbës të tij në Medinë. Aliut nuk i pëlqeu që ai nuk po e merrte në atë betejë, ndaj i tha: “O i Dërguar i Allahut! Vallë do të më lësh këtu, me pleqtë dhe fëmijët? Profeti i tha: “O Ali! Vallë nuk dëshiron të jesh tek unë në atë pozitë siç ishte Haruni tek Musai?! Me dallimin e vetëm se pas meje nuk ka profet tjetër.” [8]
9– Nga Sehl Ibn Sa’di transmetohet se Profeti (alejhi selam), në ditën e Hajberit tha: “Nesër do t’ia jap flamurin dikujt që e do Allahun dhe Profetin, po ashtu edhe Allahu dhe Profeti e duan atë.” Njerëzit atë natë e gdhinë duke pritur se kush do ta kishte këtë nder. Në mëngjes, Profeti (alejhi selam) tha: “Ku është Aliu?” Ata iu përgjigjën: “Ai është në çadrën e tij, pasi vuan nga sytë, o i Dërguar i Allahut.”
Profeti (alejhi selam) urdhëroi t’a sillnin dhe e luti Allahun që ta shëronte, më pas fryu në sytë e tij dhe i fërkoi me gishtat e tij të bekuar. Aliut iu shëruan sytë, sikur të mos kishte vuajtur kurrë më parë. Më vonë Profeti i tha: “Ec i qetë, derisa të arrish tek ata dhe ftoi në Islam. Tregoju atyre të drejtat e Allahut mbi ta dhe nëse Allahu udhëzon përmes teje, qoftë edhe një njeri të vetëm, kjo është më e mirë për ty, se sa të të jepej një tufë me deve të kuqe (pasuri e madhe).” [9]
10– Nga Dahak Ibn Muzahimi transmetohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “O Ebu Turab! A dëshiron të të tregoj për dy njerëzit më të këqinj të të gjitha kohërave?” Ai i tha: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut!” Ai vazhdoi: “I pari është Uhejmiri nga populli Themud, i cili theri devenë që Allahu e solli si mrekulli për atë popull, ndërsa i dyti është ai, i cili do të të godasë ty këtu (bëri me shenjë ballin e Aliut), aq sa do të të gjakoset mjekra.” [10]
11– Nga Sefineh Ibn Ebi AbduRrahmani transmetohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Pas meje do të jetë khilafeh (qeverisje e drejtë), e cila do të zgjasë tridhjetë vjet, më pas do të jetë mbretëri.” Sefineh ka thënë: “Qeverisja e Ebu Bekrit zgjati dy vjet, e Umerit dhjetë vjet, e Uthmanit dymbëdhjetë vjet dhe më pas e Aliut gjashtë vjet.” [11]
12– Nga Ebu Seidi transmetohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Do të vritet Amari nga pala zullumqare. Ai i fton ata për në Xhennet, ndërsa ata e ftojnë për në zjarr.” [12] Amari u lut: “Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga fitnet (trazirat)!” Amari ishte pjesëtar i ushtrisë së Aliut (radijAllahu anhu). [13]
[1] Transmeton Muslimi.
[2] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3 713, etj. Albani e konsideron të saktë.
Ibn Haxheri ka thënë për këtë hadith se është me rrugë aq të shumta transmetimi, sa Ibn Ukdeh i ka i mbledhur në një libër të vetëm, ku disa nga këto rrugë transmetimi janë sahih, ndërsa disa të tjera janë hasen.
[3] Transmeton Ahmedi nga Fedailu es-sahabeh, nr. 984, nr. 1 212 me zinxhir të saktë. Transmeton Nesaiu në Veçoritë e Aliut, me zinxhir hasen.
[4] Transmeton Buhariu, nr. 3 703 dhe Muslimi 4/1874.
[5] Transmeton Buhariu. Fet-hul Barij 7/89, Tirmidhiu nr. 3 719, Albani e konsideron hasen.
[6] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3 736, Albani e konsideron sahih.
[7] Transmeton Buhariu, Fet-hul Barij 7/89.
[8] Transmeton Buhariu, nr. 4 416 dhe Muslimi 4/1 870.
[9] Muslimi, nr. 3 406.
[10] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 953, Nesai në Veçoritë e Aliut, fq. 39, Begaui, nr. 301. Albani e konsideron hasen.
[11] Transmeton Ahmedi 5/220, Ebu Daudi, nr. 4 647, Tirmidhiu, nr. 2 226 dhe e konsideroi hadith hasen. Ndërsa Albani e vlerësoi hadithin të saktë.
Hafidh el Hakemij në Mearixhul Kabul 3/1380 ka thënë: “Sefineh veproi siç ishte zakoni i arabëve, duke i rrumbullakosur shifrat, sepse, në fakt, llogaritë e viteve të katër halifeve, nuk i plotësonin 30 vitet e përmendura në hadith, përveçse nëse i shtojmë dhe gjashtë muajt e qeverisjes të Hasan Ibn Aliut. Hasani u bë shkak i pajtimit mes dy palëve në konflikt, duke hequr dorë nga pushteti për t’ia dorëzuar atë Muavijes. Ky veprim i tij i bashkoi njerëzit nën udhëheqjen e Muavijes, ndaj dhe u quajt viti i bashkimit.
[12] Transmeton Buhariu, nr. 447
[13] Fet-hul Barij 7/95