Xhubejr bin Mutimi ka thënë: Erdhi një grua tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për t’i kërkuar diçka. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha që të kthehej pas një viti. Gruaja tha: O i Dërguari i Allahut! Po në qoftë se vij dhe nuk të gjej? (kishte për qëllim vdekjen e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Tha: “Në qoftë se nuk më gjen mua shko tek Ebu Bekri”. [1]
Nga Ebu Seidi transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu më ka zgjedhur mua mik të ngushtë (khalil), ashtu siç kishte zgjedhur edhe Ibrahimin. Nëse unë do të zgjidhja dikë (prej njerëzve) për mik të ngushtë (khalil), unë do të kisha zgjedhur Ebu Bekrin, mirëpo mes nesh ka vëllazëri në Islam dhe dashuri për hir të Allahut! I mbyllni të gjitha rrugëkalimet për në xhami, përveç asaj të Ebu Bekrit!” [2]
Nga Amru bin el Asi transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e zgjodhi Ebu Bekrin në krye të ushtrisë në betejën e “Vargonjve”. Ndër të tjera, Amri tregon: “Shkova tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! Kush është njeriu më i dashur tek ti?’ Ai tha: “Aishja!” E pyeta: “Po prej burrave?” Tha: “Babai i saj (pra Ebu Bekri)!”. E pyeta sërish: “Po më pas cili vjen? Tha: “Umeri!” [3]
Nga Enes bin Maliku transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngjit në malin e Uhudit, së bashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin, kur papritmas mali nisi të dridhet. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Qetësohu, o Uhud! Sepse ke mbi vete një Profet, një të sinqertë dhe dy dëshmorë!” [4]
Nga Ebu Musa transmetohet të ketë thënë: “Një ditë vendosa që të jem portier i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Papritur, dikush trokiti në derë. E pyeta: “Kush është? Tha: “Jam Ebu Bekri! Iu përgjigja: “Qëndro aty ku je!” Unë shkova dhe pyeta Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguari i Allahut, ka ardhur Ebu Bekri dhe kërkon leje për të hyrë. Ai m’u përgjigj: “Lëre të hyjë dhe përgëzoje me Xhennet!” [5]
Nga Ebu Xhuhfe transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ebu Bekri dhe Omeri janë zotërinjtë e burrave të banorëve të Xhennetit, që prej të parëve deri tek të fundit, përveç profetëve dhe të dërguarve.” [6] Nga Hudhejfe transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Merrni shembull pas meje këta të dy!” – dhe bëri shenjë nga Ebu Bekri dhe Umeri. [7]
Nga Ebu Hurejra përcillet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka pyetur: “Kush nga ju është gdhirë agjërueshëm sot?” Ebu Bekri tha: “Unë!” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pyeti: “Kush nga ju ka përcjellë sot një xhenaze?” Ebu Bekri iu përgjigj: “Unë!” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pyeti: “Kush ka ushqyer sot një të varfër? Ebu Bekri iu përgjigj: “Unë!” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kush ka vizituar një të sëmurë?” Ebu Bekri iu përgjigj: “Unë!” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Nuk bashkohen këto vepra tek dikush, veçse do të hyjë në Xhennet!” [8]
Nga Aishja transmetohet se Ebu Bekri hyri për tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Profeti i tha: “Ti je një rob që Allahu e ka shpëtuar prej zjarrit”. Që nga ajo ditë, Ebu Bekri u quajt “Atik” (I shpëtuar prej zjarrit). [9]
Nga Enesi (Radiallahu anhu!) përcillet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Më i mëshirshmi i muslimanëve në këtë umet (popull) është Ebu Bekri, më i rrepti në zbatimin e ligjeve të Allahut është Umeri, njeriu më i turpshëm është Uthmani, lexuesi më i mirë i librit të Allahut është Ubej bin Kabi, njeriu që ka më tepër njohuri rreth ndarjes së pasurisë së trashëguar është Zejd bin Thabiti, më i dituri rreth hallallit dhe haramit është Muadh bin Xhebeli. Çdo popull ka besnikun e tij dhe besniku i këtij umeti është Ebu Ubejdeh bin Xherrah.” [10]
Umer bin Khatabi ka thënë: “Sikur të peshohej besimi i Ebu Bekrit me besimin e njerëzve do të peshonte më tepër besimi i Ebu Bekrit.” [11] Abdullah bin Selemeh ka thënë: “Kam dëgjuar Aliun (Radiallahu anhu!) të ketë thënë: “Njeriu më i mirë pas Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është Ebu Bekri dhe njeriu më i mirë pas Ebu Bekrit është Umeri.” [12]
Nga Ibn Umeri transmetohet se ka thënë: “Në kohën kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte gjallë thoshim: “Njeriu më i mirë i këtij umeti pas Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është Ebu Bekri, pas tij Umeri dhe pas tij Uthmani.” [13]
Nga Ebu Bekrate transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) një ditë pyeti: “A ka parë ndonjëri nga ju ëndërr?” Iu përgjigja: “Po!” Unë kam parë ëndërr sikur një peshore zbriti nga qielli. Në njërën anë të peshores ishe ti, o i Dërguari i Allahut, ndërsa në anën tjetër Ebu Bekri. Ajo anë në të cilën ndodheshe ti, rëndoi më tepër. Më pas e pashë Ebu Bekrin në njërën anë të peshores dhe Umerin në anën tjetër dhe më tepër rëndoi ana ku ndodhej Ebu Bekri.” [14]
[1] Transmeton Buhariu, nr. 3 659 dhe Muslimi 4/1 856.
[2] Transmeton Buhariu, nr. 3 656.
[3] Transmeton Buhariu, nr. 3 662 dhe Muslimi, nr. 2.384
[4] Transmeton Buhariu, nr. 3 675
[5] Transmeton Buhariu, nr. 3 674 dhe Muslimi, nr. 2 403
[6] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh 1/487 dhe nr. 609, Ibn Maxheh.
[7] Transmeton Ahmedi 5/382, Ibn Maxheh, nr. 97, Tirmidhiu, nr. 3 662 dhe hadithi është saktësuar nga Albani
[8] Transmeton Muslimi, nr. 1 028
[9] Transmeton Tirmidhiu, me nr. 3 679. Hadithi është saktësuar nga Albani.
[10] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh 1/544 dhe nr. 716, Tirmidhiu, nr. 3 790. Hadithi është saktësuar nga Albani
[11] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh 1/512 dhe nr. 653, Bejhakiu.
[12] Transmeton Buhariu nr. 3 671
[13] Transmeton Buhariu nr. 3 655
Transmeton Ebu Daudi, nr. 4 634, Tirmidhiu, nr. 2 287 dhe hadithi është saktësuar nga Albani.