Për sa i përket pranimit të Islamit nga Umeri ekzistojnë disa transmetime [1]:
Tregohet se Umeri një ditë kishte dalë me shpatën e zhveshur për ta vrarë Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Gjatë rrugës takon Nuajm Ibn Abdullah el Adevijun, i cili e pyet: “Për ku je nisur, o Umer?” Ai i përgjigjet: “Po shkoj të vras Muhamedin.”
Nuajmi i thotë: “Si do të mbrohesh nga familjet Benu Hashim dhe Benu Zuhra, nëse e vret Muhamedin?” Umeri iu përgjigj: “E ç’të duhet ty, apo mos vallë edhe ti e ke pranuar fenë e re dhe ke braktisur atë të vjetrën, në të cilën ke lindur?” Nuajmi i tha: “O Umer! A dëshiron të të them diçka që ti ende nuk e di? Motra jote dhe bashkëshorti i saj e kanë ndërruar fenë. Ata kanë pranuar fenë e Muhamedit. Para se të merresh me Muhamedin, merru më mirë me të afërmit e tu!”
Umeri u trondit shumë nga çfarë dëgjoi dhe u nis menjëherë për në shtëpinë e tyre. Në shtëpinë e së motrës ndodhej Habab Ibn Ereti, i cili mbante në dorë një fletë ku ishte shkruar fillimi i sures “Ta-ha”. Këtë sure, ai po ia mësonte motrës dhe të shoqit të saj. Hababi shkonte shpesh tek ata për t’u mësuar Kur’an. Hababi kur dëgjoi zërin e Umerit, u fsheh në një skutë të shtëpisë, ndërsa Fatimeja, motra e Umerit, fshehu fletën e Kur’anit.
Kur Umeri hyri,i pyeti: “Çfarë ishin ato fjalë që po lexonit?” Ata iu përgjigjën: “Ne të dy po bisedonim me njëri-tjetrin”. Ai tha: “A mos vallë, ju të dy e keni ndërruar fenë e baballarëve tuaj për një fe tjetër?”
Burri i motrës së tij tha: “O Umer! Po sikur e vërteta të jetë në anën e asaj feje tjetër, e jo në atë tënden?” Umeri iu vërsul dhe e goditi fuqishëm. Motra e tij ndërhyri dhe e shkëputi nga burri i saj, kurse Umeri e qëlloi fort me shuplakë. Ajo e hidhëruar, i drejtohet: “O Umer! Unë besoj se feja tjetër është e drejtë dhe e jotja e gabuar. Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër, me të drejtë, përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij!”
Umeri vuri re se asaj po i rridhte gjaku nga fytyra, i erdhi keq dhe u pendua për atë që bëri.
Pastaj u qetësua, u ul dhe tha: “Ma jepni atë fletën që po e lexonit!” Motra i tha: “Ti je i papastër, e këtë nuk lejohet ta marrin në dorë njerëzit e papastër. Shko, pastrohu e pastaj merre!”
Kur ai e bëri këtë, e mori fletën dhe lexoi:
بسم الله الرحمن الرحيم
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit!” – Tha: “Sa emra të bukur e të mrekullueshëm!” Dhe vazhdoi të lexojë:
طه مَا أَنزَلْنَا عَلَيْكَ الْقُرْآنَ لِتَشْقَىٰ إِلَّا تَذْكِرَةً لِّمَن يَخْشَىٰ تَنزِيلًا مِّمَّنْ خَلَقَ الْأَرْضَ وَالسَّمَاوَاتِ الْعُلَى
“Ta-ha. Ne nuk ta kemi zbritur këtë Kuran që të të mundojmë ty. Ta shpallëm vetëm si këshillë (përkujtim) për atë që i frikësohet Zotit të vet. Ajo është shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë…”
Lexoi deri tek ajeti:
إِنَّنِي أَنَا اللَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدْنِي وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي
“Vërtetë, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, pra, vetëm Mua më adhuro dhe fale namazin që të më kujtosh Mua!” (Taha: 14)
Umeri ndaloi së lexuari dhe tha: “Sa ligjërim i mrekullueshëm! Nuk ka fjalë më të bukura se këto! Më dërgoni tek Muhamedi!” Kur Hababi dëgjoi fjalët e Umerit, doli nga vendi ku ishte fshehur dhe i tha: “Përgëzohu o Umer! Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut që të lutet me fjalët: “O Allahu im! Ndihmoje Islamin dhe lartësoje atë me Umer Ibn Khatabin ose me Ebu Xhehl Ibn Hishamin!” Unë gjithmonë kam pasur ndjesinë se ai që do udhëzohej do të ishe pikërisht ti, o Umer!” [2]
Umeri u nis për në shtëpinë e Erkamit, ku gjendej Muhamedi, por këtë herë jo për ta vrarë atë, por që të pranonte nga ai fenë dhe udhëzimin. Trokiti në derë. Dikush nga shtëpia vështroi jashtë dhe kur dalloi Umerin me shpatë në brez, u kthye brenda dhe e njoftoi Muhamedin për këtë. Të pranishmit në shtëpi u shqetësuan. Hamza pyeti: “Ç’keni?” Ata i thanë:“Umeri!”
Ai u përgjigj: “E çfarë nëse është Umeri?! Hapjani derën! Nëse ka ardhur me qëllim të mirë, mirë se të vijë, e nëse ka ardhur me qëllim të keq, atëherë do ta vrasim me shpatën e tij!” Kur Umeri hyri në shtëpi, i Dërguari i Allahut i tha: “O Umer! A nuk dëshiron që Allahu të të udhëzojë në rrugën e drejtë?!” Umeri tha: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër, me të drejtë, përveç Allahut dhe dëshmoj se ti, o Muhamed, je i Dërguari i Tij!” [3]
Umer Ibn Khatabi e pranoi Islamin në muajin Dhulhixhe të vitit të gjashtë të profetësisë, vetëm tri ditë pas Islamit të Hamzës, kur ishte njëzetë e shtatë vjeç.
Muxhahidi përcjell nga Ibn Abassi se ai ka thënë: “E kam pyetur Umer Ibn Khatabin në lidhje me ofiqin e tij El-Faruk?” Ai tha: “Hamza pranoi Islamin tri ditë para meje…”
Në vijim më tregoi se si e kishte pranuar Islamin, e në fund më tha: “Kur pranova Islamin thashë: “O i Dërguari i Allahut! A nuk jemi ne në të drejtën?!” Ai m’u përgjigj: “Po, pasha Allahun, jemi në të drejtën!” Umeri i tha: “E përse fshihemi atëherë?! Betohem për Allahun, i Cili të dërgoi me të vërtetën! Do të dalim dhe do të falemi në Qabe!” Dhe ashtu vepruam. Hamza ecte para Profetit, ndërsa unë pas tij, derisa hymë në sheshin e Qabes. Kur idhujtarët mekas na panë, zgurdulluan sytë dhe i kaploi pikëllimi si kurrë ndonjëherë më parë.
I Dërguari i Allahut, pas kësaj më quajti El-Faruk (ai që e ndan të vërtetën nga e kota). [4]
Ibni Mesudi, (radijAllahu anhu) ka thënë: “Ndiheshim më të sigurtë, e më të mbrojtur kur Umeri pranoi Islamin. Kurrë nuk kemi mundur të falemi të qetë në Qabe, deri kur Umeri e pranoi Islamin.” [5]
Umeri ishte një nga figurat më të shquara të shoqërisë islame. Atë gjithmonë e shihje përkrah Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), madje ai ishte një ndër konsulentët kryesorë për të, pas Ebu Bekrit.
Umeri mori pjesë në të gjitha betejat që u zhvilluan mes muslimanëve dhe idhujtarëve, por kontributi i tij nuk ishte i kufizuar vetëm në forcën e tij, përkundrazi kontributi i tij i pakursyer ishte edhe ai në aspektin financiar në ndihmë të Islamit dhe muslimanëve.
[1] Tranmseton Ebu Nuajmi në el Hiljeh 1/40, Ibn Haxheri në el Isabeh 4/280, Ibn Asakiri në Tarihu Dimeshk 20/44, etj.
[2] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh 1/344
[3] Transmeton Ibn Xheuzi në Menakibu Umer fq 15, Ibn Sa’di në et-Tabakat 3/267, Darakutni në Sunen 1/123, Hakimi në el Mustedrak 4/59.
[4] Transmeton Ebu Nuajmi në el Hiljeh 1/40, Ibn Haxheri në el Isabeh 4/280, Ibn Asakiri në Tarihu Dimeshk 20/44, Ahmedi në Fedailu es-sahabeh 1/344, etj.
[5] Transmeton Buhariu, nr. 3 684