Prejardhja e nderuar
Muhamedi (alejhi selam) është më i nderuari i krijesave të Allahut, është më i miri dhe më i fundit i të Dërguarve të Tij. Eshtë bir i Abdullahut; Abdullahu-bir i Abdul Mutalibit; Abdul Mutalibi-bir i Hashimit; Hashimi-bir i Abdul Menafit; Abdul Menafi-bir i Kusajit; Kusaji-bir i Kilabit; Kilabi-bir i Murres; Murrja-bir i Ka’abit; Ka’abi-bir i Lu’ejit; Lu’eji-bir i Galibit; Galibi-bir i Fihrit; Fihri-bir i Malikut; Maliku-bir i Nadrit; Nadri-bir i Kinanit; Kinani-bir i Huzejmit; Huzejmi-bir i Mudrikut; Mudriku-bir i Iljasit; Iljasi-bir i Mudarit; Mudari-bir i Nizarit; Nizari-bir i Mea’dit; Mea’di-bir i Adnanit.
Sipas mendimit të të gjithë historianëve, Adnani është një nga pasardhësit e Ismailit, biri i Ibrahimit, por nuk dihen me saktësi numri i brezave dhe as emrat e personave që kanë qenë midis tij dhe Ismailit.
Ndërsa nëna e Muhamedit (alejhi selam) është Aminia, bija e Uehbiut; Uehbiu-bir i Abdul Menafit; Abdul Menafi-bir i Zuhrës; Zuhra-bir i Kilabit. Kilabi qe gjyshi i pestë i Profetit (alejhi selam) nga e ëma. Pra, babai i tij dhe nëna e tij dilnin prej një origjine dhe bashkoheshin te Kilabi. Emri i saktë i Kilabit është Hakim. Thuhet edhe Urue. Por, meqë e kishte bërë zakon që shkonte shpeshherë për gjah me qentë e gjahut, u njoh me emrin “Kilab”. [1]
Fisi i Profetit (alejhi selam)
Fisi i Profetit (alejhi selam) qenë Kurejshët, të njohur për nderin, vetitë e larta, prejardhjen e lavdishme dhe pozitën e shenjtë që ata kishin ndër të gjithë arabët. Kurejsh është ofiqi i Fihrit, birit të Malikut ose i Nadrit, birit të Kinanit. Të gjithë burrat e atij fisi kanë qenë fisnikë dhe të nderuar në kohën e tyre. Por më i dalluari ndër ta qe Kusaji (emrin e vërtetë e kishte Zejd). Ai qe i pari nga Kurejshët që mori përsipër të kujdesej për Qaben. Pra, ai kishte çelësin e Qabes, e hapte për atë që donte dhe kur të donte.
Ai e vendosi fisin Kurejsh në luginën e Mekkës, në brendësi të këtij vendi. Më parë ata banonin në rrethinat e Mekkës, të shpërndarë midis fiseve të tjera. Kusaji organizoi dy shërbimet për haxhinjtë: “sikaje” dhe “rifade”. “Sikaje” ishte një pije që përgatitej prej lëngut të hurmave arabe, mjaltit ose rrushit të thatë dhe që u jepej haxhinjve në calikë, ndërsa “rifade” ishte ushqim për haxhinjtë. Kusaji ndërtoi një shtëpi në veri të Qabes, e cila u njoh me emrin “Darun Nedue” (Shtëpia e Këshillimit). Ajo ishte shtëpia e këshillimit për Kurejshët dhe qendër e lëvizjeve të tyre sociale. Prandaj, çdo martesë apo çdo çështje tjetër kryhej në atë shtëpi. Kusaji kishte në dorë flamurin dhe udhëheqjen. Çdo flamur lufte nisej vetëm me urdhrin e tij. Ai ishte fisnik, i urtë, i mençur dhe i shkonte fjala te njerëzit e tij.
Familja e Profetit (alejhi selam)
Familja e Muhamedit (alejhi selam) njihej me emrin “Hashimije”. Ajo pati marrë këtë emër prej gjyshit të tij të dytë, që quhej Hashim. Pasardhësit e tij quheshin hashimij dhe kështu u quajtën derisa erdhi Islami. Hashimi kishte trashëguar disa ofiqe nga Kusaji: U shërbente haxhinjve dhe përgatiste bukën e ushqimin për ta. Hashimi qe njeriu më i lartë i kohës së tij. Ai e thërrmonte bukën në lëng mishi dhe e bënte përshesh. Në gjuhën arabe ky lloj ushqimi quhet “therid”. Hashimi ua jepte tharidin haxhinjve që vinin në Mekke. Nga kjo ai mori emrin Hashim (Thërrmues), kurse emrin e vërtetë e pati Amr. Hashimi bëri traditë për arabët “dy udhëtimet”: udhëtimi i parë bëhej gjatë dimrit për në Jemen, kurse udhëtimi i dytë bëhej gjatë verës për në Sham (Siri, Jordani, Palestinë). Hashimi qe më i nderuari i Bat’hasë (Mekkës).
Thuhet se kur Hashimi kaloi në Jethrib, [2] që ndodhet në rrugën për në Sham, u martua me Selmën, bijën e Amrit, nga fisi Beni Adij e ky bir i Nexharit. Qëndroi tek ajo ca kohë, pastaj shkoi në Sham. Selma pati mbetur shtatzanë në Medine (Jethrib). Hashimi vdiq në Gaza, që ishte tokë e Palestinës. Selma lindi djalë në Medine. Ja vuri emrin Shejbe [3] për arsye të thinjave që kishte në kokë. Djali u rrit te dajat në Medine. Xhaxhallarët e tij në Mekke nuk dinin asgjë për të, derisa ai u bë shtatë ose tetë vjeç. Kur xhaxhai i tij, Muttalibi e mësoi këtë, shkoi dhe e solli në Mekke. Kur e panë njerëzit, menduan se djali ishte rob i tij dhe e quajtën “Abdul Muttalibi” (rob i Muttalibit). Kështu, ai u bë i njohur me këtë emër.
Abdul Muttalibi qe më i pashmi i njerëzve dhe më autoritari. Në kohën e vet është nderuar si askush tjetër. Ai qe më i nderuari i Kurejshëve. Ai qe pronar i karvanit të Mekkës. Qe fisnik dhe i respektuar. Qe edhe shumë bujar, dhe për bujarinë që kishte, quhej “dhënës i madh”. Nga sofra e tij hanin të varfrit; edhe kafshët e egra dhe shpendët. Prandaj, Abdul Muttalibi quhej ushqyes i njerëzve në fushë dhe ushqyes i kafshëve dhe i shpendëve në majat e maleve. Ai pati nderin të rihapte pusin e Zemzemit, pasi e pati mbyllur atë fisi Xhurhum shumë kohë më parë, atëherë kur u dëbuan nga Mekka. Ndërkohë që flinte, Abdul Muttalibi pa një ëndërr. Dikush e urdhëroi që të hapte pusin e Zemzemit, madje iu përshkrua edhe vendi ku gjendej pusi.
Po në kohën e Abdul Muttalibit ka ndodhur edhe “Ngjarja e Elefantit”. Abraha El Ashrami (sundues i Jemenit) erdhi nga Jemeni me 16,000 ushtarë nga Habesheja (Abisinia) për të shembur Qaben. Ai kishte marrë me vete edhe disa elefantë. Arriti në “Uadi Mahasir”, që gjendet midis Muzdelifesë dhe Minasë. Në kohën që u përgatit për sulm kundër Mekkës, Allahu dërgoi mbi ta zogj tufë-tufë që gjuanin me gurë dhe baltë të gurëzuar. Allahu e bëri ushtrinë e Abrahasë si gjeth të përtypur. Kjo ka ndodhur rreth një muaj para se të lindte Profeti (alejhi selam).
Babai i Profetit (alejhi selam) është Abdullahu. Ai ishte më i miri i djemve të Abdul Muttalibit, më i ndershmi, dhe më i dashuri për të. Ai është djali, për të cilin Abdul Mutalibi u zotua se do ta bënte kurban. Kur Abdul Muttalibi hapi pusin e Zemzemit dhe u dukën shenjat e pusit të vjetër, Kurejshët u grindën me të dhe kërkuan që të bëheshin pjesëtarë në ujin e pusit. Atëherë, ai premtoi që, sikur Allahu t’i jepte dhjetë djem e kur ata të mbërrinin moshën që ta mbronin, ai do të bënte kurban njërin prej tyre. Allahu i Lartësuar ia dha djemtë. Kështu, Abdul Muttalibi hodhi short midis djemve të vet se cili do të bëhej kurban. Shorti i ra Abdullahut.
Abdul Muttalibi shkoi te Qabja për të bërë kurban Abdullahun, por Kurejshët e ndaluan, sidomos vëllezërit dhe dajat e tij. Atëherë, Abdul Muttalibi dha në vend të tij njëqind deve. Profeti Ismail (alejhi selam) u zëvendësua me një dash. Abdullahu u zëvendësua me njëqind deve, që u flijuan për të. Atëherë, Profeti Muhamed (alejhi selam) është biri i dy njerëzve, që do flijoheshin, Ismailit (alejhi selam) dhe Abdullahut. Njëherësh, ai është biri i dy të shpaguarve, Ismailit (alejhi selam), i cili u shpagua me një dash dhe Abdullahut, i cili u shpagua me njëqind deve.
Abdul Muttalibi dha pëlqimin që djali i vet, Abdullahu të martohej me vajzën Amine. Ajo qe bija e Uehbiut dhe më e mira e vajzave të fisit Kurejsh si për nga nderi, ashtu edhe për nga pozita. Babai i saj, Uehbiu, ishte kryetar i fisit Beni Zuhre dhe më i miri i tyre, si nga prejardhja, ashtu edhe nga pozita. Kështu u bë fejesa dhe martesa. Abdullahu bëri bashkimin martesor me Aminen në Mekke. Ajo mbeti shtatzanë dhe nga kjo shtatzani lindi i Dërguari i Allahut.
Pas njëfarë kohe, Abdul Muttalibi e dërgoi Abdullahun në Medine (thuhet edhe në Sham) që të merrej me tregti. Por, kur po kthehej nga Shami, vdiq në Medine. U varros në shtëpinë e Nabiga Dhabjaniut. Sipas një kumtimi më të saktë, Abdullahu ka vdekur para se të lindte Profeti (alejhi selam).
[1] Fjala “Kilab” vjen nga fjala kelb, që do të thotë qen. Arabët e kishin zakon që, kur dikush merrej shumë me diçka, e emërtonin me të.
[2] Më vonë u quajt Medine.
[3] Shejbe – thinja.