Një burrë erdhi tek Ebu Derda (radijAllahu anhu) dhe i tha: “Jam i martuar me një grua dhe nëna më urdhëron ta ndaj, (çfarë më thua të bëj?). Ebu Derda i tha: “Kam dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të thotë: “Prindi është dera më e mirë dhe më e lartë e Xhennetit”. [1] ”Prandaj, si të dëshirosh; ose lëre pas dore këtë derë, ose kujdesu e puno për ta arritur.” Shënon; Ibn Maxheh dhe Tirmidhiu, i cili sqaron se Sufjani (njëri nga trasmetuesit e hadithit) ndoshta ka thënë: ‘nëna ime’, por ndoshta ka thënë: babai im. Hadithi është i saktë.
Gjithashtu e shënon edhe Ibn Hibbani, por ai citon: Një burrë erdhi tek Ebu Derda (radijAllahu anhu) dhe i tha: “Babai im vazhdoi të më fliste për t’u martuar derisa u binda dhe më martoi, por tani më urdhëron për ta shkurorëzuar, çfarë të bëj? Ebu Derda tha: “Unë as të urdhëroj të kundërshtosh prindërit dhe as të urdhëroj të ndash gruan, veçse nëse dëshiron, unë të tregoj atë që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (alejhi selam), atë e kam dëgjuar duke thënë: “Prindi është dera më e mirë dhe më e lartë e Xhennetit”. Kështu, nëse dëshiron kujdesu për këtë derë, ose ndryshe lere.” Transmetuesi shton: “mendoj se ai e ndau!”. [2]
[1] El Kadi ka thënë: “Do të thotë që mënyra më e mirë për të hyrë në Xhennet dhe për të arritur gradën e lartë atje është dëgjimi i prindit dhe rrespektimi i tij”. Disa dijetarë të tjerë kanë thënë: “Xhenneti ka disa dyer dhe më e mirë për të hyrë në të është më e larta, shkaku që bën të hyshë nga ajo derë është rrespektimi i prindërve”. Prindi i njeriut është baba, nëna, si dhe gjyshërit. Kështu, nga ky hadithë përfitohet se njeriu duhet të jetë i interesuar për t’i kënaqur prindërit dhe të angazhohet për këtë gjë që të hyjë në Xhennet. Ai nuk duhet t’i refuzojë kërkesat e tyre, përderisa nuk i bëhet padrejtësi askujt.
[2] Pra, ngaqë transmetuesi nuk ka qenë plotësisht i sigurtë ka thënë: ‘mendoj’.