Umeri (radijAllahu anhu) ishte njeri tepër ambicioz. Ai ngriti një administratë shtetërore të mirëfilltë dhe nisi të organizonte shtetin me një vullnet të pathyeshëm, gjë që e ndihmoi shumë në përballjen e vështirësive dhe sfidave, sidomos me zgjerimin e hovshëm të kufijve dhe përfshirjen nën qeverisjen e tij të shumë krahinave dhe qyteteve.
Disa nga punët më të rëndësishme që Umeri ndërmori janë:
– Formoi për herë të parë regjistrat e shtetit, si p.sh: regjistrin e ushtrisë, regjistrin e pasurisë, regjistrin e personave dhe familjeve në nevojë, etj. Konsolidoi institucionin e Thesarit të shtetit, caktoi gjykatësit, shkruesit (noterët), zhvilloi shërbimin postar, etj.
– Ai dërgonte dijetarë në vise të ndryshme, me qëllim që t’u mësonin njerëzve Islamin dhe ishte i pari që vuri në përdorim kalendarin Islam, pikënisje të të cilit caktoi hixhretin (emigrimin) e Profetit (salAllahu alejhi we selem), me arsyetimin se emigrimi i tij ishte fillimi i ngritjes së shtetit Islam.
– Umeri e pa të arsyeshme që viset e reja të cilat u përfshinë nën sundimin Islam t’i linte në pronësi të banorëve të atyre vendeve dhe jo t’ua shpërndante luftëtarëve, me kusht që pronarët e tokave të paguanin taksën përkatëse.
– Realizoi ndarjen e e këtyre viseve të çliruara në krahina dhe caktoi në krye të çdo krahine një mëkëmbës të vetin, i cili paguhej me rrogë nga arka e buxhetit të shtetit. Umeri i kushtonte rëndësi të madhe përzgjedhjes së guvernatorëve, të cilët duhet të plotësonin dy kritere: të ishin njerëz me integritet e të devotshëm dhe të kishin aftësi në drejtimin e punëve.
– Ai urdhëroi themelimin e një sërë qytetesh të reja, të tilla si, qytetet Kufa dhe Basra në Irak, qyteti i Fistatës në Egjipt si dhe shumë qytete të tjera që do të shërbenin si qendra të shtetit Islam në ato vende.