Gjatë kohës së Profetit (alejhi selam), sahabët nuk kishin burime të tjera dispozitash dhe ligjesh veç Kur’anit famëlart të cilit i dhanë një rëndësi të jashtëzakonshme, gjë që bëri që ai të ruhej përmendësh në zemrat dhe mendjet e tyre, i shkruar nëpër copa prej robe, gjethe palme, pllaka guri, etj. Shumë natyrshëm të gjithë ishin të preokupuar me mësimin, kuptimin dhe praktikimin e mësimeve të tij, të zellshëm në grumbullimin dhe mësimin saktësisht të tij. Ai merte pjesën më të madhe të kohës së tyre.
Pikërisht në të tilla kushte kur Kur’ani shpallej pjesë-pjesë, në varësi të ndodhive dhe të nevojave, Profetit (alejhi selam), i ndaloi sahabët që të shkruanin hadithet e tij. Këtë ndalim e bëri për t’iu ruajtur ndonjë përzierjeje që mund të ndodhte mes Kur’anit dhe haditheve apo sqarimeve të tjera veç tij. Ai tha: “Mos shkruani gjë prej meje! Ai që ka shkruar prej meje gjë tjetër veç Kur’anit, le ta fshijë atë!” [1] Megjithë ndalimin e tij nga shkrimi i hadithit, është transmetuar se disa prej sahabëve të tij kishin fletushka ku shkruanin ato që dëgjonin prej Profetit (alejhi selam).
Kështu p.sh, mund të përmendim sahifen e Abdullah ibn Amr ibn El Asit. Transmetohet prej Ebu Hurejrës se ka thënë: “Askush nuk ka qenë më i ditur se unë rreth hadithit të Profetit (alejhi selam) se unë, përveç Abdullah ibn Amrit. Ai shkruante ndërsa unë nuk shkruaja”. Shkrimi i haditheve nga Amri tërhoqi vëmendjen e disave prej sahabëve, sidomos gjatë kohës kur Profeti (alejhi selam) kishte ndaluar nga shkrimi i haditheve, prandaj ata thanë: “Ti shkruan gjithçka që dëgjon prej Profetit (alejhi selam) ndërkohë që ai mund të flasë në momente zemërimi dhe mund të thotë diçka që nuk është dispozitë e përgjithëshme për ne.
Atëherë ibn Amri shkoi tek Profeti (alejhi selam) dhe ai i tha: “Shkruaj gjithçka! Betohem në Atë në dorë të të cilit është shpirti im, se nga goja ime nuk del veçse e vërteta.” [2] Ky lejim i Profetit (alejhi selam) që ibn Amri të shkruante hadithet prej tij gjatë kohës së ndalimit ishte një lejim i veçantë vetëm për të, sepse ai ishte lexues librash dhe dinte të shkruante sirjanisht dhe arabisht ndërkohë që sahabët e tjerë ishin analfabetë dhe prej tyre nuk dinin shkrim e lexim veçse një numër i vogël. Edhe ata që dinin nuk dinin mirë.
Kështu, duke qenë se Profeti (alejhi selam) kishte siguri për aftësitë e ibn Amrit dhe për faktin që ai nuk i ngatërronte Kur’anin dhe hadithin, e lejoi atë që të shkruajë hadithe duke qenë kjo një lejë e veçantë vetëm për të, sikurse veçoi një grup sahabësh me veçanti të tjera në varësi të rrethanave dhe cilësive të secilit. Por pasi u shpall shumica e Kur’anit dhe atë e mësuan shumë prej sahabëve dhe në këtë mënyrë u krijua një siguri e madhe që e ruante atë nga përzieria e tij me hadithet e Profetit (alejhi selam), ai tha: “Ruajeni dijen duke shkruajtur!”. [3] Transmetohet nga Rafi’ ibn Hudejxh që ka thënë: “Unë i thashë: o i dërguari i Allahut! Ne dëgjojmë shumë gjëra. A ti shkruajmë ato? Ai tha: “Shkruani, s’ka gjë!”
[1] E transmeton Muslimi.
[2] Shih “Xhamiu bejani el ilm” 1/76.
[3] E transmeton El Hakimu.