Ata që shkruajtën hadithe prej sahabëve ishin të pakët. Edhe gjatë kohës së halifëve të drejtë gjendja e shkrimit të haditheve nuk ndryshoi shumë. Edhe në këtë kohë ata vazhduan të jenë të rreptë në ndalimin e shkrimit të hadithit, pikërisht sikurse ishin edhe gjatë kohës së Profetit (alejhi selam). Kështu p.sh. Ebu Bekri, mblodhi disa hadithe të Profetit (alejhi selam) dhe i dogji ato. [1]
Ndërsa Umer ibn Hattab, fillimisht dëshiroi që t’i shkruajë hadithet dhe traditën e Profetit (alejhi selam) dhe për këtë projekt u këshillua me sahabët e tij. Shumica e tyre e mbështetën këtë mendim, por Umeri për një muaj rresht mendohej dhe falte namaz istihare-ti për këtë çështje delikate, duke qenë i pasigurt rreth saj. Pastaj një mëngjes, pasi kishte vendosur se si do të vepronte, tha: “Ju jeni në dieni të atij mendimi që unë ju pata përmendur rreth shkrimit të haditheve të Profetit (alejhi selam), dhe traditës së tij.
U mendova mirë dhe mu kujtua se në të kaluarën, mes atyre që iu dha libri para jush, përkrah librit të Allahut shruan libra të tjerë dhe iu përkushtuan tërësisht atyre duke e lënë pas dore librin e Allahut të lartësuar. E pra, unë betohem në Allahun e lartësuar se kurrë nuk kam për t’i mveshur librit të Allahut të lartësuar asnjë lloj fjale tjetër.”. Dhe kështu ai hoqi dorë nga projekti për shkrimin e haditheve të Profetit (alejhi selam), dhe të traditës së tij. [2]
Madje përmendet se ai izoloi edhe tre prej sahabëve të mëdhenj që shpeshtonin përhapjen e haditheve. Ata ishin Ibn Mes’udi, Ebu Darda dhe Ebu Dherri. [3] megjithatë, që në momentin që Profeti (alejhi selam), ndëroi jetë për të shkuar tek i dashuri më i lartë, Allahu i lartësuar, numri i sahabëve që filluan të shkruanin hadithet dhe traditën e tij po shtohej me ritëm të shpejtë.
Ata e kuptuan qartësisht dhe thellësisht urdhrin e Allahut të lartësuar kur thotë në Kur’an: “Atë që jua jep profeti mereni dhe atë nga e cila ju ndalon lëreni!”, dhe porosinë e fshehur në fjalën e Profetit (alejhi selam), kur ai thotë: “E ndriçoftë Allahu një burrë që e dëgjon prej nesh një hadith, e ruan atë (përmendësh ose me shkrim), e kupton dhe e transmeton atë tek të tjerët ashtu sikurse e dëgjoi. Ndoshta ai të cilit i përcillet hadithi është më i aftë në të kuptuarit e hadithit se sa ai që e dëgjoi atë.” [4]
Kjo ishte porosia e qartë që Profeti (alejhi selam) u dha sahabëve të tij në të cilën i nxit dhe i urdhëron që ta transmetojnë traditën e tij tek brezat e ardhshëm. Dhe pa vonesa e lëkundje, ata iu përgjigjën thirrjes së tij iu përkushtuan zbatimit të urdhrit të tij duke zbatuar fillimisht në jetën e tyre traditën e Profetit (alejhi selam) dhe pastaj duke e përhapur atë nëpër vise të largëta. Ata e çuan në vend amanetin e profetit të tyre dhe u bënë mësuesit dhe edukatorët e brezit të ri, brezit të tabi’inëve.
Ata e dinin mirë dhe e kishin kuptuar qartësisht fjalën e Profetit (alejhi selam) kur thotë: “Të mos vijë ndonjë prej jush i mbështetur në shtratin e vet, t’i vijë prej meje ndonjë urdhër me të cilin jam urdhëruar ose ndonjë ndalesë nga e cila jam ndaluar prej Zotit dhe të thotë: “Mes nesh dhe mes jush është ky Kur’an (le të gjykojë Kur’ani). (vetëm) Atë që e gjejmë në të të lejuar ta konsiderojmë të lejuar dhe (vetëm) atë që e gjejmë në të të ndaluar ta konsiderojmë të ndaluar. (nuk duhet t’i thoni këto fjalë: sepse) Mua më është dhuruar Kur’ani dhe së bashku me të, diçka tjetër (e njëjtë) si ai.” [5]
Ata kurrë nuk do t’ia lejonin vetes të ishin të tillë. Edhe pse disa prej sahabeve dalloheshin për transmetimet e shumta të haditheve të Profetit (alejhi selam), në kohën e Ebu Bekrit dhe Umerit, transmetimi i hadithit vazhdoi të ishte me ritme të ulëta dhe i kufizuar në një grup të ngushtë sahabësh. Kjo ndodhi për shkak të një strategjie të synuar nga ana e tyre. Ata donin që muslimanët të ishin të kujdesshëm në hadithet dhe traditën që transmetonin dhe përmendnin prej Profetit (alejhi selam), nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër donin që muslimanët të impenjoheshin shumë me librin e Allahut të lartësuar, më shumë se me gjithçka tjetër. Kështu vazhdoi gjendja e shkrimit dhe transmetimit të hadithit. Dikush shkruante dikush jo, derisa vijmë në kohën e Umer ibn AbdulAziz.
[1] Shih “Tedhkiratu el huf-fadh” 1/5.
[2] Shih “Kenzu el um-mal” 5/239.
[3] Shih “El ihkam” 2/193.
[4] E transmeton Ebu Daudi.
[5] E transmeton Ebu Daudi në kapitullin: “Es-Sunetu” hadithi 4594. Shih “Aunul mea’bud” 12/196; Tirmidhiu në kapitullin: “El ilmu” hadithi 2676. Shih: “Tuhfetu El Ahuedhij” 7/459. Thotë Tirmidhiu: ky është një hadith “hasenun sahih”; Ibn Maxheh në “El mukaddimetu” hadithi 13. Shih sherhun e Sujutit dhe Sindit 1/17.