Ibn Kajjim thotë: “Ata mendojnë se kur i vdekuri ka pozitë të lartë, afërsi shpirtërore dhe privilegj tek Allahu, atij i vijnë rregullisht mbarësitë nga Ai (Allahu) dhe shpirti i tij mbushet plot me mirësi. Kështu sipas besimit të tyre të kotë, kur vizituesi i varrit e lidh shpirtin me të vdekurin dhe e afron atë (shpirtin) me të, mirësitë zbrazen nga shpirti i të vdekurit të vizituar mbi shpirtin e vizitorit nëpërmjet kësaj lidhjeje shpirtërore! Kalimi i të mirave nëpërmjet lidhjes shpirtërore, sipas krahasimit të tyre, ndodh njësoj siç përthyhen rrezet në pasqyrë apo ujë të kulluar dhe shfaqen në trupin përballë.
Për të kryer një vizitë të përsosur, shpjegojnë ata, vizitori duhet t’i drejtohet me shpirtë e me zemër të vdekurit, duhet t’i kushtohet atij tërësisht, të synojë vetëm atë e të mos lidhet e të mos mendojë me zemër për dikë tjetër veç tij. Sa më shumë t’i kushtohet të vdekurit, aq më pranë do të jetë për të përfituar prej tij. Këtë lloj vizite (tek varret që është shirk) e ka përmendur Ibn Sina, Farabiu dhe të tjerë veç tyre. Atë e kanë deklaruar edhe adhuruesit e yjeve.
Sipas tyre kur shpirti i njeriut lidhet me shpirtrat e epërm, mbi shpirtin e këtij njeriu zbrazet (përçohet) drita që vjen nga shpirtrat e epërm. Me këtë arsyetim u adhuruan planetet, u ngritën tempuj për to, u formuluan lutje për to, u vendosen idhujt që paraqesin format e planeteve. Pikërisht ky përfytyrim i çoi adhuruesit e varreve në sajimin e kremteve, varjen e perdeve rreth varreve, ndriçimin e varreve me fener, ndertimin e faltoreve mbi varre.
Kjo është dhe ajo që Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) pati si qëllim ta asgjësonte, ta zhdukte krejtësisht dhe të bllokonte rrugët që çojnë në të, por mushrikët i zunë rrugën dhe dolën në kundërshtim me qëllimin e tij, e kështu Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) qe në një anë, kurse ata ishin në anën tjetër. Kjo që kanë përmendur këta mushrikë mbi vizitën e varreve është pikërisht ndërmjetësimi me të cilin mendonin se do tu bënin dobi zotat e tyre; mendonin se zotat e tyre ndërmjetësonin për ta tek Allahu i Lartësuar.
Këta mushrikë thonë se kur shpirti i njeriut lidhet me shpirtin e një tjetri me pozitë e afërsi tek Allahu, kur i drejtohet plotësisht dhe i kushtohet me gjithë zemër këtij shpirti, krijohet një lidhje ndërmjet shpirtrave të tyre. Nëpërmjet kësaj lidhjeje një pjesë e të mirave që i vijnë nga Allahu shpirtit me pozitë zbrazen mbi shpirtin tjetër (që ka bërë lidhjen).
Kështu, sipas tyre, shpirti i epërm të jetë në funksionin e ndërmjetësit për kalimin e mirësive dhe dritës shpirtërore nga Allahu për te shpirti me një gradë më të ulët. Kjo ka ngjashmëri me atë që i shërben një njeriu me pozitë e afërsi te sulltani dhe që lidhet fort me të. Njeriut me pozitë i vijnë të mira nga sulltani. Edhe shërbëtori i këtij njeriu me pozitë do të arrij prej këtyre të mirave në varësi të lidhjes që ka me të (njeriun me pozitë).
Ky në fakt është sekreti i adhurimit të idhujve. Allahu i dërgoi të dërguarit dhe i zbriti librat pikërisht për rrëzimin e këtij shirku dhe për t’i quajtur si kafirë ithtarët e tij. Allahu i mallkon ata dhe si pasojë e këtij shirku i çon ata në Zjarrin e Xhehenemit. Kur’ani nga fillimi në fund është i mbushur me ajete që kundërshtojnë ithtarët e këtij shirku dhe që hedhin poshtë drejtimin e tyre”
Shkëputur nga libri Igathetul-lehfan (1/219) i dijetarit të madh Ibn Kajjim el Xheuzije.