1. Besimi dhe puna e mirë.
Nga shkaqet më të rëndësishme të kësaj gjëje, që është dhe baza apo themeli i saj, është besimi dhe puna e mirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën një punë të mirë, qoftë mashkull a femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë e do t’i shpërblejmë në mënyrën më të mirë për veprat e tyre.” (En-Nahl : 97) Pra i Lartësuari i premton gjithkujt që bashkon mes besimit dhe punës së mirë një jetë të lumtur në këtë botë dhe shpërblim të mirë në këtë botë dhe tjetrën.
Arsyeja e kësaj është e qartë, sepse besimtarët në Allahun me besim të shëndoshë, që jep frytet nëpërmjet punëve të mira, që rregullon zemrat, moralet, Dynjanë dhe Ahiretin, këta besimtarë kanë baza dhe themele me te cilat presin te gjitha shkaqet e gëzimit dhe haresë si dhe shkaqet e shqetësimit, brengave dhe pikëllimeve. I presin gëzimet duke i pranuar, duke falënderuar për to, duke i përdorur në atë që ka dobi.
Nëse i përdorin në këtë mënyrë kjo gjë u jep gëzim, lakmi në vazhdimin dhe bereqetin e tyre, shpresën në marrjen e shpërblimit të falënderuesve, dhe gjëra të tjera të mëdha që me mirësitë dhe bereqetin e tyre jane më lart se këto gëzime që janë fryte të tyre. Ndërsa dëmet, të papëlqyeshmet, vështirësitë dhe brengat i presin duke i përballuar me sa kanë mundesi, duke i pakësuar sa munden, me durimin e mirë pa të cilin s’bëjnë dot.
Me këto përballime, përvoja, durimin dhe llogaritjen e shpërblimit, ata arrijnë gjëra të mëdha para të cilave vështirësitë dobësohen shumë, vendin e tyre e zënë gjërat e gëzueshme dhe shpresat e mira, lakmia në mirësinë dhe shpërblimin e Allahut, sikurse Profeti (alejhi selam) ka thënë për këtë në hadithin e saktë: “E çuditshme është çështja e besimtarit! Çështja e tij është e gjitha e mirë. Nëse e prek një e mirë falënderon e kjo është mirë për të. E nëse e prek një e keqe duron e kjo është mirë për të. Dhe kjo gjë është vetëm për besimtarin.” (E transmeton Muslimi me nr. 2999)
2. Bamirësia ndaj njerëzve me fjalë e vepra.
Me to Allahu largon prej të devotshmit dhe gjynahqarit trishtimet dhe brengat, por besimtari nga e gjitha kjo ka pjesën më të madhe dhe dallohet se bamirësia e tij buron prej sinqeritetit e llogaritjes së shpërblimit, ndaj dhe Allahu ia lehtëson veprën e mirë sepse ai shpreson në të mirën dhe ia largon gjërat e papëlqyeshme me sinqeritetin dhe llogaritjen e shpërblimit. I Lartësuari thotë: “Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç atij që këshillon për dhënien e sadakasë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke patur për qëllim kënaqësinë e Allahut Ne do t’i japim atij një shpërblim të madh.” (En-Nisa’ : 114)
3. Marrja me një punë apo dituri të dobishme.
Kjo gjë e bën zemrën që të mos merret me gjërat që e mërzisin e ndoshta për shkak të kësaj i harron shkaqet që i sollen trishtimin dhe brengën. Në këtë mënyrë gëzohet dhe bëhet më aktiv. Ky shkak është i përbashkët si për besimtarin ashtu dhe jobesimtarin, por besimtari dallohet me besimin, sinqeritetin dhe llogaritjen e shpërblimit gjatë marrjes me këtë dituri të cilën e mëson vetë apo ia mëson të tjerëve, ose me këtë punë të mirë që e vepron. Nëse ajo është adhurim është adhurim, e nëse është punë dynjaje apo zakon e shoqëron me nijetin e mirë duke dashur të forcohet për adhurimin e Allahut. Kjo gjë ka efekt të vërtetë në zhdukjen e trishtimit dhe brengave. Sa njerëz janë sprovuar me stresin, u kane rënë sëmundje të ndryshme dhe ilaçi i suksesshëm u bë harresa e shkakut që e trazoi dhe stresoi.
4. Përqëndrimi i mendimit.
Përqëndrimi i mendimit te puna e ditës së sotme, mosdhënia rëndësi punës në të ardhmen dhe brengës në të kaluarën. Për këtë gjë Profeti (alejhi selam) kërkoi mbrojtje prej brengës dhe trishtimit. Trishtimi për gjërat e shkuara që nuk mund të arrihen apo kthehen nuk ka dobi, sikurse brenga që lind prej frikës prej të ardhmes dëmton. Ndaj njeriu duhet të jetojë ditën e tij, të bashkojë mes seriozitetit dhe përpjekjes për rregullimin e ditës dhe kohës së tashme, sepse përqëndrimi i zemrës në këtë gjë sjell përkryerjen e punëve dhe njeriu rehatohet prej trishtimeve dhe brengave.