Në dy Sahih-ët është hadithi prej Enes Ibn Malikut, që ka thënë: – Te Pejgamberi (alejhi selam) erdhi një delegacion prej Urnetes dhe Uklit. Kur hynë në Medinë, ata u sëmurën (nga klima e saj), prandaj shkuan te Pejgamberi (alejhi selam) për t’u ankuar. Pejgamberi (alejhi selam) u tha: “Shkoni te devetë e sadakasë dhe pini prej qumështit dhe urinës së tyre!” Dhe ata ashtu vepruan, por, pasi u shëruan, ata iu vërsulën bariut, e vranë dhe i vodhën devetë. Me këtë veprim, ata i hapën luftë Allahut dhe Profetit të Tij. Atëherë, Pejgamberi (alejhi selam) dërgoi skuadra në ndjekje të tyre. Ata i kapën, ua prenë duart dhe këmbët, ua nxorën sytë dhe i lanë në diellin përvëlues të shkretëtirës derisa vdiqën.” [1]
Dëshmia që tregon se ata u sëmurën me edemë është hadithi që sjell Muslimi në Sahih-un e tij, në të cilin sqarohet se ata, duke përshkruar sëmundjen e tyre, thanë: “Kur hymë në Medinë, na u fry barku dhe filluam të ndiejmë plogështi, dobësi dhe lodhje të përgjithshme në gjymtyrët tona…”, e deri në fund të hadithit. Edema është një sëmundje fizike, që ndodh kur një substancë e ftohtë ndërfutet në organet e jashtme të trupit dhe në organe të tjera, përveç atyre tretëse, duke shkaktuar ënjtje ose fryrje të tyre. Ka tri lloje bullungash apo fryrjesh që shfaqen në trup: ato të indeve (mishtore), të cilat janë edhe më të rrezikshmet, ato në zgavrat e trupit dhe ato që shfaqen në një organ (tamburet).
Për kurimin e kësaj sëmundjeje ndihmojnë bimët që kryesisht përdoren për largimin e ekuilibruar të lëngjeve të tepërta të trupit nëpërmjet urinës apo rrugëve të tjera. Gjithashtu, Pejgamberi (alejhi selam) i urdhëroi ata që të pinin urinë dhe qumësht deveje, sepse edhe këto lëngje i përmbajnë të tilla veti kuruese, sidomos kur deveja është në kohën e mbarsjes. Cilësia e qumështit të devesë siguron një urinim të shpeshtë, është i lehtë dhe rregullon funksionimin e zorrëve. Ky ilaç është shumë më efikas, sidomos kur devetë kullotin dhe hanë kryesisht kamomil, trumzë të butë, bar deveje, [2] pelin dhe luledele, bimë të cilat janë shëruese për sëmundjet e edemës.
Kjo lloj sëmundjeje kryesisht shkaktohet nga ndonjë problem në mëlçi, në mënyrë të veçantë, ose në organe të tjera. Ky çrregullim bën që trupi të mos çlirohet nga lëngjet e tepërta të tij. Qumështi i deveve që janë në kohën e mbarsjes është një çlirues i mirë dhe shumë i dobishëm për këtë sëmundje.
Raziu ka thënë: “Qumështi i deveve shëron dhembjet në mëlçi dhe çrregullimet e lëngjeve themelore (të trupit).” Ndërsa Ismaili ka thënë: “Qumështi i devesë (në kohën e mbarsjes) është ndër llojet më të lehta, më të ujshme dhe me më pak yndyrë të qumështit. Ai ndihmon në largimin e mbetjeve nga trupi, lehtësimin prej jashtëqitjes dhe hapjen e rrugëve të bllokuara.
Për këtë tregon edhe shija pakëz e kripur e tij, që vjen nga nxehtësia e natyrshme e organizmit të kafshës. Ai është shumë i mirë për çlirimin e mëlçisë së bllokuar, për të hapur poret dhe venat e saj, si edhe për të zbutur fortësinë e ushqimit të freskët. Ky qumësht është shumë i dobishëm për edemën, kur përdoret i ngrohtë, ashtu siç del nga gjiri i devesë, dhe nëse pihet së bashku me urinën e saj të ngrohtë, sikurse del nga kafsha. Kjo ia shton edhe më shumë shijen e kripur dhe është më i efektshëm për të nxjerrë mbeturinat nga trupi. Nëse kjo përzierje nuk ia pastron stomakun, atëherë i sëmuri duhet të marrë laksativë më të fortë.”
Autori i librit El Kanun (Ibn Sina) thotë: “Mos i dëgjoni ata që thonë se qumështi nuk ndihmon për të kuruar edemën. Dije mirë se qumështi i deveve është shumë i dobishëm, për vetë cilësitë e tij të veçanta që largojnë mbetjet. Me të vërtetë që ky qumësht është tejet i dobishëm. Nëse njeriu e përdor atë si zëvendësues të ushqimit dhe pijes, ka për t’u shëruar me të. Kjo është vërtetuar shpeshherë te njerëz që kanë vizituar vendet arabe, të cilët kur e kanë përdorur këtë qumësht prej hallit, janë shëruar nga sëmundjet e tyre. Ndërsa urina më e dobishme është ajo e deveve që mbajnë zakonisht beduinët, të ashtuquajtura nexhib.”
Nga ngjarja e treguar më lart nxirren mjaft mësime, si:
- Mjekimi dhe përdorimi i ilaçeve për të arritur shërimin është i lejueshëm.
- Urina e kafshëve të cilave u hahet mishi konsiderohet e pastër, sepse mjekimi me papastërti është i ndaluar. Duke qenë se Pejgamberi (alejhi selam) nuk i urdhëroi ata që të pastronin gojën, kjo tregon se urina e tyre është e pastër. Nga ana tjetër, dihet shumë mirë që, kur diçka është e domosdoshme të sqarohet, nuk lejohet vonimi i sqarimit.
- Lejohet ekzekutimi i kriminelit në të njëjtën mënyrë me të cilën ai ka vrarë viktimën e tij. Në ngjarjen e rrëfyer, ata e vranë bariun pasi ia kishin nxjerrë sytë. Kjo është shpjeguar imtësisht në Sahih-un e Muslimit.
- Nëse në vrasjen e një personi marrin pjesë një grup njerëzish, ata meritojnë të gjithë vdekjen, edhe sikur të jenë shumë në numër.
- Nëse një kriminel ka kryer dy krime: një për të cilin meriton një dënim më të ulët se vdekja, dhe një krim që meriton vdekjen, mbi të zbatohen të dyja dënimet. Në ngjarjen tonë, kriminelët u dënuan së pari duke iu prerë duart, sepse ata kishin luftuar Allahun dhe Profetin duke vjedhur devetë e sadakasë dhe duke përdhosur sigurinë që Pejgamberi (alejhi selam) u kishte dhënë. Pas prerjes së duarve dhe këmbëve, ata merituan vdekjen, sepse kishin vrarë bariun.
- Agresori, nëse vjedh dhe vret, meriton që t’i pritet dora dhe këmba, dhe pastaj të vritet.
- Nëse krimet e kryera janë disa, edhe ndëshkimi për ta ashpërsohet. Kështu, ata tradhtuan Islamin pasi e kishin pranuar, vranë një të pafajshëm, i nxorën sytë atij, kryen vjedhje dhe shfaqën haptazi armiqësinë ndaj Allahut dhe Profetit të Tij.
- Edhe nëse ai që kryen vrasjen është një i vetëm, të gjithë bashkëpunëtorët në krim marrin të njëjtin gjykim sikurse ai, sepse edhe Pejgamberi (alejhi selam) nuk i pyeti se cili prej tyre e kish bërë vrasjen.
- Vrasja me tradhti meriton dënim kapital: vrasje pa kthim. Këtë dënim nuk e shfuqizon falja dhe as kompensimi. Ky është qëndrimi i dijetarëve të Medinës dhe njëri nga mendimet në medh’hebin e Imam Ahmedit, të cilin e ka përzgjedhur dhe e ka dhënë si fetva edhe Shejhu ynë (Ibn Tejmije).
[1] Buhariu, në kapitullin Mjekësia; Muslimi, me numër 1671; Ebu Daudi, me numër 4364; Nesaiu 7, 93-94; Tirmidhiu, me numër 72; Ibn Maxhe, me numër 2578. Teksti që ka sjellë autori nuk gjendet te Muslimi.
[2] Emri shkencor i saj është: Cymbopogon schoenanthus.