Sëmundjet e zemrës ndahen në dy nënlloje, dhe të dyja janë përmendur në Kuran:
- Sëmundjet e dyshimeve apo të pasigurisë.
Rreth këtij nënlloji sëmundjesh Allahu i Lartësuar thotë: “Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre. Ata do të kenë një ndëshkim të dhembshëm për shkak të mohimit të tyre.” (El-Bekare : 10)
I Lartësuari thotë gjithashtu në suren Mudethir, ajeti 31: “Ne nuk bëmë mbikëqyrës të Zjarrit askënd, përveç engjëjve, dhe numrin e tyre (të përmendur në Kuran) nuk e bëmë veçse si sprovë për ata që nuk besuan, që të binden ata që u është dhënë Libri, dhe, atyre që besuan t’u shtohet edhe më shumë besimi, (si sprovë) që ata të cilëve u është dhënë Libri dhe besimtarët të mos kenë asnjë dyshim (në vërtetësinë e tij). Ndërsa ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe jobesimtarët thonë: “Ç’do të thotë Allahu me këtë shembull?” Ja, ashtu, Allahu e lë të humbur atë që do dhe e udhëzon atë që do. Ushtritë e Zotit tënd nuk i njeh askush tjetër veç Tij. Ai (Sekari) është veçse një përkujtim për njerëzit.”
Gjithashtu Allahu i Lartësuar, kur flet për ata që ftohen për të gjykuar sipas Kuranit dhe Sunnetit të Profetit (alejhi selam) dhe ata refuzojnë, thotë: “E kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i Dërguari i Tij, një grup prej tyre nuk i përgjigjen ftesës. Por nëse (në atë gjykim) e drejta u takon atyre, ata i shkojnë atij të bindur e me respekt. A thua kanë sëmundje në zemrat e tyre, apo mos dyshojnë (në të Dërguarin)? Apo mos frikësohen se Allahu dhe i Dërguari i Tij do të gjykojnë padrejtësisht kundër tyre?! Por jo, ata, pikërisht ata janë zullumqarët.” Në këto ajete bëhet fjalë për sëmundjen e dyshimeve në besim.
- Sëmundjet e epshit.
Allahu i Lartësuar, kur këshillon gratë e Profetit (alejhi selam) që të jenë të ruajtura dhe të kujdesshme në shfaqjen apo fjalët e tyre, thotë: “…të mos joshet ai që në zemrën e tij ka sëmundje.” (Ahzab : 32) Këtu bëhet fjalë për sëmundjen e epshit dhe imoralitetit. Allahu është më i ditur për gjithçka.