Për sa u përket sëmundjeve trupore, Allahu i Lartësuar i përmend ato kur thotë në suren Nur (ajeti 61): “Nuk ka shtrëngim për të verbërin, as për të gjymtin, as për të sëmurin.”
Allahu i Lartësuar e ka përmendur sëmundjen trupore në Kur’an në tri kontekste: kur flet për haxhin, kur flet për agjërimin dhe pastaj për abdesin. Në përzgjedhjen e këtyre tri rasteve, na shfaqet një e fshehtë shumë e bukur, që tregon qartë madhështinë e Kur’anit dhe faktin që kush kërkon të mjaftohet me Kur’anin, duke e kuptuar dhe medituar në të, ai do t’i mjaftojë kundrejt gjithçkaje tjetër.
Objektivat e mjekësisë së trupit janë tre: ruajtja e shëndetit, ruajtja dhe mbrojtja nga gjërat e dëmshme, dhe largimi nga trupi i çdo lënde të dëmshme që gjendet në të.
Allahu i Lartësuar i përmend këto tre objektiva në tri rastet e mëposhtme:
- Në ajetin e agjërimit, Ai thotë: “Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini.” (Bekare : 184)
Allahu i Lartësuar na njofton se e ka lejuar mosagjërimin për të sëmurin, për shkak të sëmundjes, si dhe për udhëtarin për ta ruajtur shëndetin dhe forcën e tij. Dihet që agjërimi e dobëson fuqinë trupore, por në rastin e udhëtimit, ku kemi të bëjmë me lëvizje të shumta dhe harxhim energjish që nuk zëvendësohen, ky dobësim bëhet edhe më i dukshëm. Kështu Allahu i Mëshirshëm kujdeset që të ruajë fuqinë dhe shëndetin e udhëtarit duke e lejuar që të mos agjërojë.
- Në ajetin e haxhit, i Lartësuari thotë: “Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend! Cilido prej jush që është i sëmurë ose që ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën), le ta zëvendësojë me agjërim, sadaka ose kurban. Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për ata që nuk banojnë në Mekke. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër.” (El-Bekare : 196)
Për atë që është i sëmurë apo ka probleme në kokë nga parazitët, me kruajtjen apo ka sëmundje të lëkurës së kokës, Allahu i Lartësuar e bëri të lejuar që ta rruajë kokën para çlirimit nga ihram-i, por duke e kompensuar këtë thyerje të rregullave të ihram-it me agjërim, sadaka apo kurban. Ruajtja e flokëve u lejua për të bërë të mundur largimin nga lëkura të djersës e të substancave të tjera që grumbullohen në të, të cilat sjellin kruajtje të kokës, parazitë, zbokth etj.
Nëse nuk do të rruhej koka, djersa në lëkurë do të bllokonte poret e saj. Ky rast i nxjerrjes jashtë trupit të substancave të dëmshme është ilustrim për çdo rast tjetër të ngjashëm. Mesazhi i ajetit është shumë i qartë: çdo lëndë e dëmshme, bllokimi i së cilës sjell shqetësime në trup, duhet të nxirret jashtë ose, të paktën, të mundësohet nxjerrja e saj.
Janë dhjetë gjëra të cilat, kur janë me tepri apo kur trupi nuk i asgjëson, ato shkaktojnë dëmtime në trup: gjaku kur është i acaruar, sperma kur është me tepri, urina, jashtëqitja, gazrat, e vjella, e teshtitura, gjumi, uria dhe etja. Secila nga këto të dhjeta, nëse nuk trajtohet apo nëse nuk përmbushet (në rastin e gjumit), mund të shkaktojë një lloj sëmundjeje.
Kur Allahu i Lartësuar lejoi rruajtjen e kokës për të hequr substancat e këqija nga ajo, Ai i mësoi njerëzit që të ndjekin të njëjtën metodë për largimin e substancave të dëmshme të prodhuara nga sëmundje të tjera.
- Për sa i përket mbrojtjes nga gjërat e dëmshme dhe marrjes së masave parandaluese, Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur! Prisni të kthjelloheni, të dini se ç’flisni! As kur jeni xhunubë, përveçse nëse jeni duke udhëtuar, derisa të laheni! Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë, ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni bërë marrëdhënie me gra, dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum. Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.” (Nisa : 43)
Allahu i Lartësuar ia ka lejuar të sëmurit që të përdorë dheun, dhe jo ujin, për pastrimin ritual para namazit; kjo bëhet me qëllim që të parandalohet ndonjë keqësim i mëtejshëm i shëndetit. Kështu, Allahu i Lartësuar – falënderimi i qoftë Atij! – parashtron tri themelet e mjekësisë, të cilat ne i përmendëm më lart. Ne, gjithashtu, do të përmendim edhe Traditën e Profetit (alejhi selam) në këtë fushë, për të provuar që mjekësia profetike është më e mira dhe më përfshirësja se çdo metodë tjetër.