Allahu i Lartësuar thotë: “Në të zbresin melekët dhe shpirti, me lejen e Zotit të tyre, për çdo çështje. Ajo është paqe, derisa të shfaqet agimi.”
Prej Zir Ibn Hubejshit përcillet se ka thënë: “Unë kam dëgjuar Ubej Ibn Ka’bin të thotë se Abdullah Ibn Mes’udi ka thënë: ‘Kush fal namaz nate përgjatë gjithë vitit e arrin natën e Kadrit.’ Ubeji pas kësaj fjale të Ibn Mes’udit ka thënë: ‘Pasha Allahun përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, ajo (nata e Kadrit) gjendet në Ramazan. Pasha Allahun, unё e di se cila natë është ajo. Ajo është nata në të cilën na urdhëroi i Dërguari i Allahut të ngriheshim e të faleshim. Ajo është nata që i paraprin agimit të 27 të Ramazanit. Prej shenjave të saj është lindja e diellit në mëngjes i bardhë e pa rreze.” [1]
Në një transmetim të Ibn Hibanit thuhet: “Prej shenjave tё natёs sё Kadrit është lindja e diellit në mëngjes, i bardhë e pa rreze, si një tas.” [2] Nga Ibn Mes’udi transmetohet se i Dёrguari i Allahut ka thënë: “Nata e Kadrit është në gjysmёn e shtatëshes së fundit të Ramazanit. Dielli në mëngjesin e saj lind i qartё e pa rreze.” Ibn Mes’udi më pas ka thënë: “Unë e vështrova lindjen e Diellit dhe ishte ashtu sikurse e kishte përshkruar i Dërguari i Allahut.” [3] Prej Ebu Hurejres përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë për natën e Kadrit: “Ajo është nata e njëzeteshtatë ose e njëzetenëntë. Melekët atë natë janë në tokë me një numër më të madh se numri i guralecëve.” [4]
Ubadeh Ibn Samiti përcjell se i Dёrguari i Allahut ka thënë: “Disa shenja të natës së Kadrit janë: ajo është natë e kthjellët dhe e ndritshme, si njё natё me hёnё, e qetё, as e ftohtë e as e nxehtë dhe nuk mund të ketë goditje meteorësh derisa të agojë. Shenjë tjetër është edhe dielli që lind në mëngjes i qartë e pa rreze, si hëna katërmbëdhjetëshe. Atë ditë, shejtanit nuk i lejohet të dalë bashkë me të.” [5]
Xhabiri përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë doja të tregoja për natën e Kadrit, por pastaj e harrova. Gjithsesi, ajo është në 10 netëshin e fundit. Ajo është natë e kthjellët, e ndritshme, as e nxehtë e as e ftohtë. Ajo duket si natë me njё hёnё qё me ndriçimin e saj ia zbeh ndriçimin yjeve. Shejtani i asaj nate nuk del, derisa të çelë agimi.” [6]
Ibn Abassi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë në lidhje me natën e Kadrit se: “Ajo është natë e kthjellët, as e nxehtë e as e ftohtë. Dielli në mëngjesin e saj lind i kuq e i dobët.” [7]
Dobitё dhe dispozitat
E para: I lejohet dijetarit të mos tregojë ndonjë gjë që di, nëse mendon se njё veprim i tillё ёshtё i dobishёm, sikurse fshehu Ibn Mes’udi diturinë që kishte mbi natën e Kadrit, me qëllim që njerëzit të mos neglizhonin e të mos rrinin pa falur namaz nate gjatё 10 netëve.
E dyta: Dijetari u sqaron njerëzve atë që duhet ta dinë, sikurse sqaroi Ubej Ibn Ka’bi natën e Kadrit.
E treta: Lejohet që dijetarët të përpiqen dhe të kenë mendime të ndryshme, për sa u përket dobive dhe dëmeve. Kjo nuk është e ndaluar, nëse vjen si rrjedhojë e një përpjekje të saktë dhe kur qëllimi është arritja e të vërtetës.
E katërta: Nata e Kadrit gjendet në 10 netët e fundit. Shpresohet që ajo të jetë në një prej netëve teke dhe nata më e shpresuar është nata e 27, sikurse betohet për një gjë të tillë Ubej Ibn Ka’bi.
E pesta: Këto tekste tregojnë se nata e Kadrit ka disa shenja, të cilat janë:
- Numri i madh i melekëve, me në krye Xhibrilin (alejhi selam), që zbresin këtë natë, për të marrë pjesë me njerëzit që falen nëpër xhamitë e tyre. Numri i tyre është aq i madh, saqë ia kalon numrit të guralecëve të tokës. Kjo shenjë nuk u shfaqet njerëzve.
- Shpëtimi shtohet në natën e Kadrit, në sajë të bindjes dhe nështrimit të njerëzve ndaj Allahut.
- Dielli në mëngjesin e asaj nate lind i bardhё, pa rreze. Shkaku i kësaj, sipas disa dijetarëve, është ngritja në qiell e melekëve, drita dhe krahët e të cilëve mbulojnë dhe pengojnë rrezet e diellit, [8] pasi atë natë numri i melekëve që zbresin në tokë është shumë i madh.
- Nata e Kadrit është e kthjellët, e qetë, as e ftohtë e as e nxehtë, por kjo është një çështje relative, e cila ndryshon në bazë të vendeve të ndryshme, ku të ftohtët dhe të nxehtët janë të ndryshme. Megjithatë, ajo natë nuk është as e ftohtë e as e nxehtë, në lidhje me netët që i paraprijnë dhe ato që e pasojnë.
- Shejtani nuk del me lindjen e diellit në mëngjesin e natës së Kadrit, kjo sepse dielli lind midis dy brirëve të Shejtanit, përveç mëngjesit të natës së Kadrit.
- Shumica e shenjave që janë përmendur u bëhen të qarta njerëzve vetëm pasi nata e Kadrit ka kaluar. Dobia e kësaj është që, ai i cili e arrin këtë natë, të falënderojë Allahun për suksesin dhe angazhimin me adhurim që i mundëson Ai gjatë asaj nate. Nga ana tjetër, të pikëllohet neglizhenti ndaj natës së Kadrit, i cili tani duhet të vendosë që të angazhohet plotësisht në vitin që vjen për ta arritur atë.
- Këto shenja janë sistematike për çdo natë Kadri që vjen dhe nuk janë të veçanta për periudhën profetike.
- Muslimani duhet të përpiqet që ta gjejë këtë natë, për shkak të vlerave të mëdha që ajo ka.
[1] Muslimi 762.
[2] Ibn Hiban 3690.
[3] Ahmedi (1/406), saktësoi Ahmed Shakir 3857.
[4] Ahmedi (2/519), saktësoi Ibn Khuzejme 2194, Albani e ka konsideruar hadith të mirë (Hasen) shih Sahihah 2205.
[5] Ahmedi (5/324), Hejthemi ka thënë se personat në zinxhirin e transmetimit janë të besueshëm, Zewaid (3/175).
[6] Ibn Khuzejme 2190, Ibn Hiban 3688, saktësoi Albani.
[7] Ibn Khuzejme 2192, saktesoi Albani.
[8] Ikmal el mualim 4/148, sherh en nevevij ala Muslim 8/65, el mufhim 2/391, ed dibaxh 3/259, fajdul kadir 5/396.