Falenderimi dhe lavdia e plotë i takon Allahut i cili e nderoi këtë fe me dijetarët e saj. Me bujarinë dhe dhuntinë e dhuruar prej tij ata arritën majat e diturisë dhe njohën imtësisht më të mirin dhe më të plotin udhëzim dhe traditë të sjellë ndonjëherë prej profetëve. Ai i pajisi me zemra të pastra sikurse janë zemrat e të zgjedhurve të Tij të dashur. Ai zgjodhi për ta rrugën e më të pastërve prej adhuruesve të Tij duke i nderuar dhe privilegjuar që të meritojnë përmendjen e tyre në mbretëritë qiellore. Ata janë të afruarit, të zgjedhurit që qëndrojnë pranë të dashurve të Zotit të gjithësisë. E falenderoj Atë me një falenderim që kurrësesi nuk mund të shlyejë mirësitë, bujarinë dhe dhuratat e Tij. I lavdëruar qoftë Ai aq sa toka qëndron poshtë qiellit të tij, aq sa galaktikat lëvizin në hapësirën e krijuar prej Tij.
Dëshmoj me dije dhe me bindje se nuk ka të adhuruar të merituar veç Tij, me dëshminë e një të nënshtruari, të përunjuri para Krenarisë dhe madhështisë së Tij. Salavatet dhe selami i Zotit qofshin mbi profetët që u lanë trashëgim dijetarëve dijen dhe udhëzimin e drejtë. Ai i ndriçoi zemrat e tyre prej shkëlqimit të dritës së Tij dhe e largoi errësirën e zemrave të tyre me dritën e dhuruar prej Tij. Salavatet dhe selami i Zotit qofshin mbi besnikun dhe të sinqertin që e transmetoi fenë e Zotit të Tij të plotë, mbi familjen e tij dhe të gjithë ata që u udhëzuan me dritën e sjellë prej tij.
Mësojeni vëllezërit e mij të nderuar se dija më e vyer dhe e nderuar pas dijes dhe njohjes së Allahut të Lartësuar është dija e hadithit (traditës profetike). Kjo shërben si themel dhe bazë mbi të cilën ndërtohet feja e Zotit. Allahu i madhëruar thotë: “Atë që jua jep profeti merreni dhe atë nga e cila ju ndalon, ndalohuni!”. Pas kësaj fjale, besimtarët u shpërndanë në të gjitha viset për të kërkuar transmetuesit e haditheve dhe traditës së Profetit (alejhi selam). Qëndruan gjatë pranë tyre derisa i morën dhe përvetësuan lajmet e Profetit (alejhi selam) këta dijetarë të palodhur grumbulluan gjithçka të transmetuar nga sahabët dhe tabi’inët (nxënësit e sahabëve).
Ata shkruan me përpikmëri dhe saktësi gjithçka që lidhet me jetën e transmetuesve të hadithit (sahabë e tabi’inë); shkruan historinë e jetës dhe veprave të tyre, një tabllo të plotë të besimit dhe moralit të tyre; sistemuan hadithet dhe informacionet e sjella prej secilit të kategorizuara dhe të qartësuara plotësisht. Ata regjistruan gjithashtu gjykimet, fjalët, veprat, moralin dhe ecurinë e jetës së secilit transmetues. Ata verifikuan saktësinë e çdo transmetimi duke e dëgjuar vetë me veshët e tyre prej çdo transmetuesi, duke i mësuar përmendësh në zemrën e tyre dhe duke përdorur ligje të rrepta verifikimi të shkencës së transmetimit.
Kështu u transmetua tradita profetike përmes transmetuesish ekspertë dhe të përpiktë, të pashembullt në mësimin përmendësh dhe analizën e ashpër kritike të çdo transmetimi. Ata sollën një pamje të plotë dhe të qartë të kësaj shkence unike. Nëpërmjet kritereve të tyre rrigoroze ata ishin në gjendje të përcaktonin gradën apo nivelin e çdo transmetuesi në aspektin e aftësisë dhe profesionalizmit të tij në transmetimin e hadithit si dhe në çdo aspekt tjetër të domosdoshëm për të gjykuar drejt në pranimin ose jo të tij. Libra të shumtë u shkruan rreth emrave të transmetuesve, kun’ieve të tyre, datës dhe vendit së lindjes dhe të vdekjes.
Aq thellë depërtuan dhe aq imtësisht studiuan saqë për çdo transmetues ishin në gjëndje të tregonin: sa hadithe ka transmetuar, prej kujt i ka transmetuar, përmes rrugës së transmetimit të kujt i ka sjellë këto transmetime, kujt ia ka dhënë më pas hadithet, kush ka gabuar në transmetime duke shtuar apo pakësuar ndonjë gërmë a fjalë, kush e ka bërë këtë gabim me qëllim dhe kush pa qëllim, kujt i falet gabimi dhe deri në çfarë mase mund të tolerohet. Ata pas një kontrolli të imët shkruan edhe libra ku përmenden ata që akuzohen si mashtrues dhe trillues hadithesh të gënjeshtërta.
Sqaruan se transmetimet e kujt mund të pranohen dhe të kujt jo dhe kush janë kriteret e pranimit dhe të rrefuzimit. Madje sqaruan dhe qartësuan emrat e atyre të cilët kanë transmetuar hadithe që nuk i ka transmetuar askush veç tyre, apo që kanë shtuar nëpër hadithe fjalë që nuk i ka përmendur askush tjetër veç tyre. Ata i studiuan të tilla hadithe dhe i sollën qartësisht nëpër libra duke përmendur se sa transmetues i kanë transmetuar dhe kush janë ndryshimet tek secili.
Cilat janë mangësitë e secilit transmetues që ndikojnë në pranimin e transmetimit të tij dhe cilat jo. Ata i klasifikuan dhe grumbulluan hadithet nëpër kapituj dhe i shpërndanë nëpër tema të ndryshme. Sollën kritere të qarta për të gjykuar se cili prej këtyre haditheve gjykohet si sahih (i saktë) dhe cili është i dyshimtë rreth të cilit ka kundërshtime. Në cilat transmetime dhe senede marin pjesë transmetues daif (të dobët). Ata studiuan hollësisht dhe me kujdes duke i klasifikuar transmetuesit e hadithit në dy grupe kryesore:
1. Mukthirin – që kanë transmetuar shumë hadithe
2. Mukil-lin – që kanë transmetuar pak hadithe
Ata kuptuan saktësisht dhe qartësisht hadithet e transmetuara nga imamët e transmetimit të hadithit në të gjitha viset islame. Shkruan libra të tërë për të sqaruar shtresat e transmetuesve kronologjikisht duke renditur të parët dhe pasuesit e tyre, mësuesit dhe nxënësit e tyre, të mëdhenjtë nga të vegjlit. Dijes së tyre nuk i shpëtoi edhe një aspekt shumë i rëndësishëm i temave të kësaj njohurie madhështore: shkaqet dhe arsyet e kundërshtimit dhe ndryshimeve në transmetimet e sjella prej transmetuesve, shtesave dhe pakësimeve të sjella nga ata. Ata përcaktuan qartë gradën e secilit në transmetimin e traditës profetike dhe të gjurmëve të shkuara. Të gjitha këto studime u bënë me përgjegjësi dhe përkushtim të pa parë sepse kjo e ruan origjinalitetin dhe paprekshmërinë e kësaj feje.
Këta dijetarë të cilët i studiuan dhe shkruan këto njohuri të rëndësishme edhe mes tyre janë të gradave të ndryshme. Pa dyshim, më të dalluarit mes tyre janë ata të cilët u ngritën shumë lart me dijen, saktësinë, korrektësinë dhe aftësinë e tyre të mrekullueshme të mësimit përmendësh. Me të tilla kritere të mrekullueshme të dhuruara nga i lartësuari, ata merituan të jenë gjykues mbi dijetarët e tjerë. Janë ata që gjykojnë rreth dijetarëve dhe nivelit të tyre. Ai që ata e konsiderojnë adlun (të drejtë) e të pranueshëm, ai është i tillë. Ai të cilin ata e konsiderojnë mexhruh (të njollosur), ai i tillë konsiderohet. Janë ata që gjykojnë se cilit prej transmetuesve i pranohet transmetimi dhe cilit jo, kush është i besueshëm dhe kush jo.
Dëshmia e tyre është vendimtarja për të gjykuar rreth saktësisë apo pasaktësisë së fjalëve, veprave, urdhrave, ndalesave, këshillave dhe lutjeve të transmetuara prej Profetit (alejhi selam) thotë Allahu i lartësuar: “Dhe kështu (duke ju udhëzuar në fenë Islame) Ne ju bëmë juve një pupull të drejtë (të zgjedhur dhe të ekuilibruar në çdo gjykim) për të qenë dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve. Edhe i dërguari ka për të qenë dëshmitar ndaj jush.” Thuhet se këta janë dijetarët e hadithit të cilët gjykojnë drejt në çdo fjalë e vepër që është transmetuar prej Profetit (alejhi selam), shokëve të tij dhe nxënësve të tyre. Ata gjykojnë me drejtësi në këto burime të mrekullueshme dhe për këtë drejtësi të tyre do të dëshmojë Profetit (alejhi selam).
Saktësia e dëshmisë së tyre rreth fjalëve, veprave, gjendjes dhe moralit të Profetit (alejhi selam), do të dëshmohet dhe konfirmohet nga profeti i Allahut të Lartësuar. Thotë Profetit (alejhi selam) : “Kush trillon kundër meje me qëllim, le të përgatisë vendin e vet në zjarr. Thotë gjithashtu: “Allahu e ndriçoftë fytyrën e një personi i cili dëgjon prej meje një hadith dhe e transmeton atë tek të tjerët…”. Është thënë se çdo kush që preokupohet me njohurinë e hadithit ka një ndriçim në fytyrën e tij, për shkak të duasë së Profetit (alejhi selam).
Mësojeni vëllezërit e mij se gjëja më e mirë pas studimit të hadithit të Profetit (alejhi selam) dhe shërbimit ndaj tij, është kthimi dhe vrapimi për tek Allahu i Lartësuar. Ai thotë në Kur’an: “Nxitoni për te Allahu! Unë, jam për ju një qortues i qartë i dërguar prej Tij”. Por të kthyerit tek Allahu, është një gjë që kërkon furnizim të mirë. Dhe furnizimi më i mirë është devotshmëria. Thotë i lartësuari: “Dhe furnizohuni (për rrugën e gjatë). Pa dyshim, furnizimi më i mirë është devotshmëria (kryerja e urdhrave dhe largimi nga ndalesat për t’u ruajtur nga ndëshkimi i Zotit). Mua m’u frikësoni, o mendimtarë (të ditur)!
Prandaj o vëllezërit e mij, jini të devotshëm ndaj Allahut dhe bindjuni Atij. Ju këshilloj që të përkujtoni sa më shumë atë që asgjëson çdo kënaqësi, vdekjen. Përgatituni për të me çdo mundësi që keni sepse tronditja e ditës së gjykimit është diçka shumë e madhe (e tmershme). Vazhdimisht afrohuni tek Allahu I Lartësuar me punë të mira dhe namaz nate, me lexim Kur’ani e përkujtim të Allahut. Nëse e bëni këtë, shpresohet që Allahu I lartësuar t’ju lartësojë në një vend të mirë, të lavdishëm. Përgatituni për ditën e largimit nga kjo botë.
Për atë ditë, Allahu i lartësuar thotë: “Atë ditë nuk sjell dobi as pasuria as fëmijët, por vetëm ai që u paraqit tek Allahu me zemër të shëndoshë”. Dëgjojeni këtë fjalë të Allahut të lartësuar në heshtje, duke medituar dhe me frikërrespekt: “O ju njerëz, kini kujdes ndaj Zotit tuaj dhe kini frikë (gjëndjen e) ditës kur prindi nuk mund t’i bëjë dobi fëmijës së vet, e as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi asgjë prindit të vet. Premtimi i Allahut (për shpërblim ose ndëshkim) është i sigurt, pra të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ndaj Allahut, djalli mashtrues.
S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave), nuk e di kush veç Tij se çka do të ndodhë (çka do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, veç Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është i gjthëdijshmi, më i njohuri (në hollësi të çdo çështjeje). Lutja jonë përfundimtare është: “Elhamdulilahi rabbil alemin”
E shkroi Halil ibn Me’mun Shiha.
Bejrut, më 23 Xhumadi el Ahir, 1414 Hixhrij.