Kur Pejgamberi (alejhi selam) u largua nga kjo dunja, një pjesë e sahabëve i shkruanin hadithet e tij, ndërsa një pjesë e tyre nuk e pëlqenin shkrimin e hadithit, sidomos dy Halifët e mëdhenj, Ebu Bekri dhe Umeri (radijAllahu anhum). Ky frenim në shkrimin e hadithit nuk kishte arsye tjetër veç përkujdesjes për një ruajtje sa më rigoroze në origjinalitetin e tij, të burimit kryesor të udhëzimit në Islam, pra të Kur’anit famëlartë. Pra nga frika se mos në Kur’an përzihej fjalë tjetër veç tij. Por, me plotësimin e Kur’anit kjo frikë nuk egzistonte më dhe, pas vdekjes së dy Halifëve të parë, Ebu Bekrit dhe Umerit (radijAllahu anhum), sahabët filluan intensivisht të kujdesen për të ruajtur, mësuar, studiuar dhe shkruar hadithet dhe traditën e Pejgamberit (alejhi selam).
Pasi sahabët e mëdhenj po pakësoheshin dita ditës, sahabët e vegjël filluan që të grumbullojnë, të mësojnë përmendësh dhe të shkruajnë hadithet e Pejgamberit (alejhi selam). Ata urdhëronin edhe të tjerët që të shkruanin dhe mësonin traditën e Pejgamberit (alejhi selam). Haseni i biri i Aliut (radijAllahu anhum), u drejtohej fëmijëve dhe nipërve të tij me fjalët: “O bijt e mi! Mësoni, mësoni! Ju jeni më të vegjlit sot por nesër do të jeni më të mëdhenjtë. Kush nuk mëson dot prej jush le të shkruajë! [1] Në një tjetër version ai u tha: “Kush nuk mëson dot prej jush la ta shkruajë atë dhe ta ruajë në shtëpinë e tij. [2]
Aishja, nëna e besimtarëve, i drejtohej djalit të motrës së saj, Urvetu Ibn Zubejrit, dhe i thoshte:
“O bir! Kam dëgjuar se ti shkruan hadithe të thëna prej meje, pastaj kthehesh dhe përsëri shkruan.
Ai tha: “Unë dëgjoj diçka prej teje dhe më pas e dëgjoj përsëri po prej teje në formë tjetër.
Ajo tha: A sheh ndryshime në kuptimin e atyre që dëgjon?
Ai tha: “Jo” Atëherë nuk ka problem të shkruash. [3]
Muavijetu Ibn ebi Sufjani (radijAllahu anhu), i shkruante El mugiratu Ibn Shu’bete-s dhe i thoshte: “Më shkruaj diçka që e ke dëgjuar nga Pejgamberi (alejhi selam).” [4] Enes Ibn Malik (radijAllahu anhu), i thoshte djalit të tij: “O bir! Ruajeni dijen duke e shkruar atë! Ai vazhdimisht u diktonte hadithe për të shkruar. [5] Kur nxënësit e tij u shtuan shumë ai solli një krah librash dhe ua dha atyre duke thënë: “Këto janë hadithe që i kam dëgjuar dhe i kam shkruar prej Pejgamberit (alejhi selam). [6]
Kaloi brezi i sahabeve dhe pas tyre erdhën tabi’inët. Këta, – Allahui mëshiroftë! -, i morën njohuritë dhe diturinë e tyre prej sahabeve. Ata rrinin vazhdimisht të përzier me sahabët dhe njohën çdo gjë rreth tyre. Ata transmetuan hadithe të shumta dhe të mrekullueshme prej haditheve të Pejgamberit (alejhi selam) përmes rrugës së transmetimit të sahabeve. Ata e njohën shumë mirë shkakun dhe rastet kur sahabet ndalonin nga shkruarja e hadithit si dhe shkakun dhe rastet kur ata e lejonin një gjë të tillë. Edhe tabi’inët e ndoqën rrigorozisht traditën e sahabeve. Ata, së bashku me sahabët konsiderohen si grupi i parë që mësuan dhe e ruajtën Kur’anin dhe sunnetin e Pejgamberit (alejhi selam) prandaj është normale që mendimi dhe gjykimi i sahabeve dhe tabi’inëve rreth shkruarjes të Kur’anit dhe hadithit të jenë të njëjtë apo të përafërta.
Shkaqet të cilat ndikuan që 4 halifet e drejtë dhe sahabët të ndalojnë dhe ta quajn të pa pëlqyeshme shkrimin e hadithit ishin të njëjtat shkaqe që ndikuan edhe tek tabi’inët për të dhënë të njëjtin gjykim. Të gjithë sahabë dhe tabi’inë mbajnë një qëndrim të njëjtë apo të ngjashëm. Nëse shkaqet që e bëjnë të pa pëlqyeshme dhe të ndaluar shkrimin e hadithit janë të pranishme, ata gjykojnë se kjo vepër është e pa pëlqyeshme dhe ndalojnë nga ajo. Por me të fituar sigurinë dhe ruajtjen nga këto shkaqe, ata unanimisht japin gjykimin se shkrimi i haditheve është i lejueshëm. Madje shumica e tyre nxisin për shkrimin dhe ruajtjen e hadithit. [7]
Prej tabi’inëve të mëdhenj, të cilët nuk lejonin që hadithi të shkruhej mund të përmendnim: Ubejdete Ibn Amr Es-Selmanij El Muradij që ndërroi jetë në 72 hixhrij, Ibrahim Ibn Jezid Et-Tejmij në 92 hixhrij, Ibrahim En-Nehaij në 96 hixhrij. Ky i fundit ndalonte që hadithet të shkruheshin nëpër fletë dhe të përgjasonin me mushafin (Kur’anin). Ai gjithmonë thoshte: “Kurrë nuk kam shkruar gjë”. Madje ai e ndaloi Hamad Ibn Sulejmanin nga shkrimi (tarafit) të haditheve. Ka qenë gjithashtu Amr Esh-shea’bij në 103 hixhrij që vazhdimisht përsëriste atë shprehjen e tij: “Kurrë nuk kam shkruar të zezën mbi të bardhë, dhe kurrë nuk ka ndodhur që të dëgjoj njëherë ndonjë hadith nga dikush dhe të kem kërkuar që të ma përsërisë atë. Kjo ndalesë nga shkrimi i haditheve u bë edhe më e fortë kur filluan të shfaqen dhe të shkruhen këndvështrimet dhe mendimet e tyre për çështje të ndryshme.
Në këto kohë sipas tyre po bëhej më e rrezikshme shkruarja e hadithit, sepse mes haditheve mund të futeshin edhe mendimet dhe këndvështrimet e tabi’inëve dhe të krijohej një ngatërresë e madhe për ata që do të vinin më pas. Sikurse ndodhi me Seid Ibn Musejjib-in kur tek ai erdhi një burrë dhe e pyeti për diçka. Seidi e sqaroi atë dhe ai filloi të shkruante mendimin dhe sqarimet e Seidit. Pastaj e pyeti për mendimin e tij dhe e shkroi. Dikush nga të pranishmit, miq të Seidit i drejtohet Seidit dhe i thotë: “O Ebu Muhamed! A po shkruan tani edhe mendimet dhe këndvështrimet e tua (së bashku me hadithet)? Atëherë Seidi i tha atij burrit: “Ma jep atë që shkrove!” Kur ai ia dha, Seidi e grisi atë. Këtë nuk e bëri veçse nga frika se mos hadithi ngatërrohej me fjalët dhe mendimet e tij, të cilat mund të jenë të gabuara. Kur Xhabir Ibn Zejd-it i thanë: Njerëzit shkruajnë edhe opinionet dhe gjykimet e tua. Ai tha: ”A shkruajnë diçka nga e cila unë mund të tërhiqem dhe ta ndryshoj?!
Nga kjo që paraqitëm mund të themi shkurtimisht se shkaku i ndalimit të shkrimit të haditheve ka qenë i iniciuar nga frika se mos ngatërroheshin me opinionet dhe mendimet e tyre. Kjo i ngjan shkakut të mos shkrimit të hadithit në brezin e parë, brezin e sahabeve, të cilët nuk shkruanin hadithe nga frika se mos ngatërroheshin me Kur’anin. Megjithatë gjejmë disa nga tabi’inët e nderuar që i jepnin rëndësi shkrimit. Kishte prej tyre që i jepnin një rëndësi shumë të madhe shkrimit të hadithit. Këtu mund të përmendim Se’id Ibn Basir i cili shkruante nga Ibn Abassi hadithe. Kur i mbaronte fleta ku shkruante ai vazhdonte të shkruante në sandalen e tij. Jo vetëm kaq por ai tregon se njëherë ishte duke ecur së bashku me Ibn Umerin dhe Ibn Abassin ndërkohë që ata flisnin hadithe. Unë shkruaja mbi kafshën time dhe kur ndaheshim e hidhja në fletë.
Më vonë kur nxënësit e dijes dinin të dallonin shkakun e ndalesës së shkruarjes së hadithit dhe e kuptuan mirë se ndalesa konsistonte në mos përzierjen e haditheve me opinionet, gjykimin dhe mendimet e njerëzve, atëherë tabi’inët e lejuan shkrimin për nxënësit e tyre. Madje filluan që ti nxisin për ta ruajtur dijen duke e shkruar atë. Kështu p.sh Se’id Ibn Musej’ib ia lejoi Abdurrahman Ibn Harmelet që të shkruante dijen kur ai u ankua se nuk ishte i mirë në mësimin përmendësh. Gjithashtu është dëgjuar Amir Esh-Sha’bij që të thotë shpesh: nëse dëgjoni prej meje diçka shkruajeni atë qoftë edhe në mur. Gjithashtu ai thoshte shpesh: Shkrimi është ruajtja e dijes”, edhe pse më parë thoshte: “kurrë nuk kam shkruar të zezën mbi të bardhë…”
Po kështu edhe Katadetu Ibn Deamete Es-Sedusij (Allahu e mëshiroftë!), 118 hixhrij, nuk hezitonte aspak në lejimin e shkrimit të hadithit kur u pyet dhe iu kërkua fetwa për këtë çështje. Ai tha: “Çfarë të pengon që të shkruash ndërkohë që njohësi në imtësi i të fshehtave të ka njoftuar se edhe ai shkruan? Allahu i lartësuar thotë: “Ai tha: “Si është gjendja e popujve të mëparshëm?”(Musai) Tha: “Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron”. (TaHa : 52) Këtë mendim ky dijetar e ka dhënë pasi më parë ndalonte nga shkrimi i hadithit, madje shpesh u matej që t’i gjuante këdo që e bënte.
Kështu u transmetua ndër ta praktika e shkrimit të hadithit derisa filloi një lëvizje e gjerë për zhvillimin dhe përhapjen e dijeve dhe njohurive të islamit e cila kërkonte një shpeshtim dhe dendësim të shkrimit dhe leximit të hadithit në punimin e dijetarëve. Kështu vazhdoi çështja derisa filluan të shfaqen fitnet dhe problemet politike. Gjatë kësaj kohe filluan të shfaqen edhe trilluesit e haditheve dhe mashtruesit që shpifin kundër Pejgamberit (alejhi selam) për të devijuar njerëzit. Kjo bëri që më të dalluarit e tabi’inëve dhe imamët e tjerë pas tyre të shpenzojnë një mund të madh për mbrojtjen e traditës së Pejgamberit (alejhi selam). Ata i dyfishuan përpjekjet për pastrimin dhe shkruajtjen e hadithit të Pejgamberit (alejhi selam) të pastër ashtu sikurse ia shpalli i madhërishmi Pejgamberit të tij. Ata duke e shkruar, e ruajtën hadithin e Pejgamberit (alejhi selam) nga humbja, dhe me rregullat rigoroze të kontrollit dhe gjykimit për hadithet, i ruajtën hadithet nga shtesat dhe pakësimet, nga shpifjet dhe trillimet.
Të gjithë janë të një mendimi se, i pari që e filloi në mënyrë të rregullt shkrimin dhe ruajtjen e hadithit në libra e fletore ishte halifja i drejtë Umer Ibn AbdulAziz (radijAllahu anhu), 101 hixhrij. Ai urdhëroi shkruesit më të mirë që të fillonin të mblidhnin dhe shkruanin hadithin e Pejgamberit (alejhi selam). Ai iu drejtua me mesazh banorëve të të gjitha vendeve ku ai sundonte duke u thënë: “Hetoni me kujdes për hadithin e Pejgamberit (alejhi selam) dhe grumbullojeni atë.” [8] Kur filloi këtë ndërmarrje të rëndësishme ai u mbështet në mendimin dhe këshillën e tabi’inëve të mëdhenj si shembulli i Ibn Shihabit i cili thoshte: “Sikur të mos na vinin ato hadithe të trilluara të cilat nuk i njohim si hadithe të Pejgamberit (alejhi selam), nuk do t’i hynim shkrimit dhe grumbullimit të hadithit. Nëse nuk do të ishin këto trillime kurrë nuk do të shkruaja hadithe dhe kurrë nuk do të lejoja shkrimin e tyre .” [9] Ishin pikërisht këto shkaqet që ndikuan dhe i nxitën dijetarët që të shkruajnë dhe kontrollojnë rreptësisht hadithin e Pejgamberit (alejhi selam).
Halifja i drejtë Umer Ibn AbdulAziz urdhëroi që të shkruhej dhe të grumbullohej hadithi i Pejgamberit (alejhi selam) që të mos humbiste dhe harrohej. Ai i thoshte të ngarkuarit të tij me punë Ebu Bekër Ibn Muhamed Ibn Amr Ibn Hazm, 117 hixhrij, në Medine duke i thënë: “Më grumbullo dhe më shkruaj çdo hadith të Pejgamberit (alejhi selam), të sigurt tek ty. Unë friksohem se mos kjo dije humbet dhe dijetarët e bartësit e saj pakësohen. Mos prano veçse hadithet e Pejgamberit (alejhi selam) të sigurta që të përhapet dija. Le të zhvillohen mësime gjerësisht që çdokush që nuk di, të arrijë të mësojë. Dija nuk zhduket veçse nëse mbahet e fshehtë”. [10]
Gjithashtu ai i urdhëroi ata që të shkruajnë njohuritë dhe dijen e Amrate Bintu Abdurrahman, 98 hixhrij, dhe të El Kasim Ibn Muhamed, 108 hixhrij, të cilët ishin nga nxënësit e Aishes, nënës së besimtarëve (radijAllahu anhu). Por vdekja e arriti halifen e drejtë para se të dërgonte këtë mesazh tek ai. [11] Megjithatë Ebu Bekër Ibn Hazm nuk mundi të shkruajë të gjitha hadithet e Pejgamberit (alejhi selam) që diheshin në Medine. Këtë punë e kreu të plotë Imam Muhamed Ibn Muslim Ibn Shihab Ez-Zuhrij, 124 hixhrij. Ai e konfirmon një gjë të tillë kur thotë: “Askush nuk e ka shkruar dhe renditur këtë dije para meje”. [12] Pra ishte ai i pari që filloi e grumbulloi dhe e shkroi këtë njohuri sikurse thonë historijanët dhe dijetarët. [13]
Kështu ishte fundi i shekullit të parë dhe fillimi i shekullit të dytë hixhrij. Në këtë kohë përfundoi koha e ndalimit të shkrimit të dijes dhe u shkrua tradita e Pejgamberit (alejhi selam) nëpër fletore e libra. Nxënësit e hadithit tashmë kishin nëpër duart e tyre hadithin e Pejgamberit (alejhi selam) të shkruar.
[1] Shih “El kifajetu fi ilmi er-riuajeti” 229
[2] Shih “TaKjidu el ilm” 91
[3]Shih “El kifajetu fi ilmi er-riuajeti” 205
[4]“Mea’rifetu ulûmi el ĥadith” 100
[5]“Ta’riħ Baĝdad” 8/59
[6]“TaKjidu el ilm” 95
[7] “Es-sunetu Kable et-teduin”
[8] Fet’hul bari 1/204
[9] Takjidul ilm fq 108
[10] Fet’hul bari 1/204
[11] Kauaidut-tahdith 72
[12] Teuxhihun-nedhar fq. 6
[13] Es-sunetu kable ted’uin 333