Sahabët ndahen në dy grupe kryesore: mukthirin [1] dhe mukil-lin [2]. Prej mukthirinëve mund të përmendim:
- Ebu Hurejra, i cili ka transmetuar 5374 hadithe. (Prej tij kanë transmetuar më shumë se 800 burra. Dhe ai konsiderohet transmetuesi më i madh prej sahabeve.)
- Abdullah ibn Umer i cili ka transmetuar 2830 hadithe.
- Enes ibn Malik i cili ka transmetuar 2286 hadithe.
- Ibn Abbas i cili ka transmetuar 1660 hadithe.
- Xhabir ibn Abdilah i cili ka transmetuar 1540 hadithe.
- Aishe, ummul mu’minin, e cila ka transmetuar 2210 hadithe.
Këta sahabë transmetuan shumë hadithe nga Profeti (alejhi selam) për shkaqe të ndryshme. Për dikë prej tyre si shkak për shpeshtimin e transmetimeve prej Profetit (alejhi selam) ishte koha e gjatë e shoqërimit të tij me të sikurse është rasti i Abdullah ibn Mes’udit. Për ndonjë tjetër, shkak ishte të qenurit të tij në mënyrë të vazhdueshme në shërbim të Profetit (alejhi selam) sikurse është rasti i Enes ibn Malik. Ndërsa për disa të tjerë shkak ishte prania e vazhdueshme në gjendjet e tij intime, sikurse është rasti i Aishes.
Disa prej tyre këtë gradë e arritën me interesimin e madh dhe të pakrahasueshëm që shpenzuan për hir të transmetimit të hadithit të Profetit (alejhi selam), sikurse është rasti i Abdullah ibn Umerit, Abdullah ibn Abbasit dhe Ebu Hurejres. Këta të tre edhe pse dy të parët ishin në moshë të vogël dhe i treti e pranoi islamin shumë vonë, megjithatë ata kanë transmetuar më shumë hadithe se të tjerët që ishin më të mëdhenj në moshë dhe më të vjetër në islam. [3]
Prej mukil-linëve mund të përmendim:
- Ez-Zubejr ibn Avam (radijAllahu anhu). Transmetohet nga Abdullah ibn Ez-Zubejr që i ka thënë të atit: “Unë nuk të kam dëgjuar që të transmetosh prej Profetit (alejhi selam), sikurse transmeton filani dhe filani”. Ai i tha: “E pra, unë nuk i jam ndarë për asnjë moment atij, por e kam dëgjuar që të thotë: “Çdo kush që gënjen kundër meje me qëllim le të përgatisë vendin e vet në zjarr.” E transmeton Buhariu.
- Zejd ibn Arkam (radijAllahu anhu). Kur atij i thuhej na trego diçka nga Profeti (alejhi selam) thoshte: “U moshuam dhe kemi harruar. Të flasësh dhe të tregosh hadithe nga Profeti (alejhi selam) është diçka e madhe.”
- Ebu Seid El Hudrij (radijAllahu anhu). Es-Saib ibn Jezid thotë: “E kam shoqëruar Sad ibn Malikun (Ebu Seid el Hudrij) nga Medina në Mekke dhe nuk e dëgjova që të tregojë qoftë edhe një hadith të vetëm nga Profeti (alejhi selam)”
- Imran ibn Husejn (radijAllahu anhu). Prej tyre mund të përmendim edhe Uthmanin, Talhan, Sad ibn Ebi Uekasin, Abdurahman ibn Aufin, Ebu Ubejdete ibn Xherrah, Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Nufejl, Ubej ibn Keab, Sad ibn Ubadete, Ubadetu ibn Samit, Usejd ibn Hudair, Muadh ibn Xhebeli, etj veç tyre. Kështu pra shumë nga sahabët e Profetit (alejhi selam) u larguan nga kjo botë para dhe pas Profetit (alejhi selam) dhe nuk transmetuan asgjë. Dhe në fakt nuk ishte e nevojshme, sepse sahabët e Profetit (alejhi selam) ishin të shumtë. Pati prej sahabëve që nuk transmetuan asgjë prej Profeti (alejhi selam) edhe pse ishin më të vjetrit dhe më të rregulltit në shoqërimin e tij se disa të tjerë që transmetuan prej tij. [4]
[1] Që transmetojnë shumë hadithe.
[2] Që transmetojnë pak hadithe.
[3] Shih: “Es-Sunetu ue mekanetuha fi teshri’il Islami” fq 73.
[4] Shih: “Kauaid et-tahdith” fq 72, 73.