Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut janë për robin dhe të dërguarin e Tij Muhamedin, familjen dhe shokët e tij. Allahu i Lartësuar e dërgoi zotërinë tonë Muhamedin (salAllahu alejhi we selem), me fenë e vërtetë, për ta bërë atë dominuese mbi të gjitha fetë dhe për këtë e pajisi me Kur’anin si dhe i dha urtësinë (Sunnetin).
I dërguari i Allahut na caktoi rrugët e udhëzimit dhe dritës, kështu që kush i përmbahet kësaj rruge do të jetë i udhëzuar, ndërsa ai që mënjanohet dhe devijon prej saj ka për të humbur. Prej këtyre gjërave është edhe të mësuarit e dhikrit dhe etikës së tij, madje dijetarët islamë janë përpjekur në maksimum për t’i sqaruar ato dhe nxitur në punimin e tyre.
Megjithatë edhe përkundër kësaj, disa njerëzve iu duk bukur kundërshtimi i sunnetit të Profetit (salAllahu alejhi ue selem), madje të tillët menduan se janë duke vepruar drejt. Kështu ata rrëshqitën dhe devijuan nga rruga e drejtë dhe e gjitha kjo sepse sajuan rrugë dhe besime të ndryshme, prej tyre edhe imitimi që i bënë pasuesve të feve të tjera.
Mënyra se si ata bëjnë dhikër është se mblidhen nëpër teqe, zavije (faltore) apo shtëpi, bëjnë një rreth dhe më pas fillojnë të këndojnë poezi (këngë sufish) me zëra melodioz e duke i shoqëruar me def, qyp apo me qemane; sigurisht që çdo tarikat ka vegla të posaçme që i përmend gjatë hadras (tubimit) apo dhikrit, më pas këndojnë e dredhin zërat me shprehjen Hu (përemri i vetës së tretë, numri njëjës, Ai) sikur të ishin gra apo në kabare, apo të çmendur dhe më pas pretendojnë se ata po shprehin emrin e Allahut. I lartësuar është Allahu nga një veprim i tillë!
Pasi këngët të kenë pushtuar zemrat dhe vendin, fillojnë dhe kërcejnë duke u rrotulluar, dredhur e spërdredhur, sikur të ishin vërtet të pirë ose të xhindosur e më pas pretendojnë se ky është dhikër. Ata gënjejnë, sepse dijetarët dhe fukahatë (gjykatësit) islamë, të cilët janë kujdestarët e fesë dhe Sheriatit (legjislacionit) i kanë sqaruar dhe demaskuar këto bidate (risi) të shpifura, si dhe kanë bërë me dije devijimin e tyre nga rruga e Islamit.
Ndaj dhe duke u nisur nga ky fakt, jam përpjekur të sjell, për ata të cilët kërkojnë të vërtetën e qartë, disa nga fetvatë e dijetarëve të katër medhhebeve, duke e lutur Allahun ta bëjë këtë përpjekje të dobishme dhe t’u hapë zemrat atyre të cilët janë mashtruar me këto bidate, si dhe t’i kthejë sërish në sunnetin e të dërguarit Muhamed (salAllahu alejhi we selem).