Allahu i Lartësuar i ka thënë Profetit të Tij (alejhi selam): “Mos ndiq atë për të cilën nuk ke dije. Për dëgjimin, shikimin dhe zemrën, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (El-Isra’ : 36)
Po kështu i ka thënë Nuhut (alejhi selam) kur i kërkoi shpëtimin e djalit të tij: “Mos më kërko atë për të cilën nuk ke dije. Unë të këshilloj në mënyrë që të mos bëhesh prej injorantëve.” (Hud : 46)
I Lartësuari i ka qortuar ithtarët e Librit duke thënë: “Ja ju jeni ata që polemizuat edhe për atë qe e dinit. E përse polemizoni për atë që s’keni kurrfarë dije? Allahu e di të vërtetën e ju nuk e dini.” (Ali Imran : 66)
Në ajetin e parë Allahu edukon Profetin e Tij (alejhi selam) me një moral madhështor, i cili është lënia e asaj për të cilën nuk ka dituri dhe mospolemizimi për të. Në ajetin e dytë e ndalon Nuhun (alejhi selam) nga kërkesa për atë që nuk kishte dije, ndërsa në të tretin Allahu kundërshton pasuesit e Librit të mëparshëm që polemizojnë për atë gjë që s’kanë dituri, si dhe e llogariti këtë si pjesë të injorancave të tyre.
Ndaj obligimi për atë që nuk e njeh diçka është të heshtë e të mos futet në debat. Kjo jo vetëm që nuk e ul muslimanin a muslimanen, por përkundrazi ia shton vlerën. Dijetarët e hershëm e të mëvonshëm e kanë përmendur rrezikun e kësaj dukurie, pra të folurit pa dije. (Orientime në rrugën e marrjes së dijes, Dr. AbdulAziz Sed’han, f.205)
Sigurohu përpara se të flasësh, nëse je i sigurt për një çështje fetare atëherë mund të flasësh, e sidomos kur është çështje e njohur e lidhur me teuhidin e Zotit apo akides islame. Përndryshe mos jep gjykime për ato çështje që nuk i njeh duke supozuar a hamendësuar. Ka shumë thënie prej selefëve (muslimanëve të hershëm) dhe dijetarëve që tregojnë për ruajtjen prej nxitimit të dhënies së fetvave.
Prej tyre:
- Përcillet prej Ibn Umerit (radijAllahu anhum) me zinxhir të saktë: Dituria është tre gjëra: libër që flet, sunnet i hershëm dhe fjala: “Nuk e di”.
- Imam Maliku: “I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka qenë prijësi i muslimanëve dhe zotëria i krijesave, ndodh që pyetej për dicka dhe nuk përgjigjej derisa t’i vinte shpallja prej qielli.”
- Sha’biu: “Thënia: “Nuk e di” është gjysma e dijes.”
- Sufjan Ibn Ujejne: Kur burri është dijetar, atëherë është sprovë nëse e do të folurit më tepër se heshtjen.
- Mer’vedhiu, një nga nxënësit e Imam Ahmedit, një herë i thotë: “Dijetarin, e mendojnë se di gjithçka. Imami i tha: Ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Ai që u jep fetva njerëzve për gjithçka që e pyesin është i çmendur.”
Marrë nga “Orientime gjatë rrugës së kërkimit të dijes.”, Dr. AbdulAziz Sed’han, f.207-208.
Allahu i Lartësuar e ka bashkuar ndalimin e të folurit pa dije me ndalimin prej shirkut (idhujtarisë) në një ajet: “Thuaj: Zoti im ka ndaluar veprat e turpshme, qofshin të hapta a të fshehta, gjunahun, shtypjen e tjetrit pa të drejtë, t’i shoqëroni ortak në adhurim për të cilin nuk ka zbritur asnjë argument dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” (El-Araf : 33)
Njihi çështjet e teuhidit dhe besimit islam pa të cilat nuk mund të qëndrojë besimi i besimtarit/besimtares. Njihi në perfeksion me detaje çështjet me të cilat hasesh çdo ditë, qofshin adhurime, si: abdesi, namazi, apo që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me njerëzit, si: shitblerja e përditshme, etj. Për çështjet që nuk i di ktheju librave të besueshëm, dëgjo dijetarët, hoxhallarët dhe nxënësit e besueshëm të dijes.