Emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Allahut, tregojnë për Madhështinë e Tij, prandaj ato janë të shumta. Përderisa emrat e Allahut dhe cilësitë e Tij u tregojnë robërve madhështinë e Krijuesit dhe përsosmërinë e Tij, nuk ka dyshim se ato janë rruga më e mirë dhe më e saktë që ndjekin robërit për madhërimin dhe lutjen e Tij. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar në Kur’an që t’i lutemi Atij me anë të emrave të Tij të bukur dhe kjo është lutja më madhështore me të cilën robi i drejtohet Allahut: “Dhe të Allahut janë të gjithë emrat më të bukur, kështu që luteni Atë me to…” (El A’raf : 180)
Një nga rregullat e lutjes është që robi të lutet me anë të emrave të bukur të Allahut. Madje nuk plotësohet besimi në emrat e bukur të Allahut, derisa robi ta lusë Allahun me ta. Lutja ndahet në dy lloje: “lutja e kërkimit” (dua’ul mes’eletu) dhe “lutja e adhurimit dhe lavdërimit” (duaul ibadeti ue thena). “Lutja e kërkimit” është kur robi kërkon arritjen e asaj që i bën dobi dhe largimin e shmangien e asaj që i bën dëm. Për sa i përket emrave të bukur të Allahut, “lutja e kërkimit” bëhet duke e lutur Allahun për një kërkesë apo nevojë që kemi dhe duke përmendur emrin e Tij që i përshtatet asaj nevoje.
Gjithashtu duke iu drejtuar Allahut me anë të emrave të Tij të bukur në lutje, si për shembull: “O Allah, më fal mua dhe më mëshiro, se vërtet Ti je Mëkatfalës, Mëshirëbërës.” “Lutja e adhurimit” është kur robi e adhuron Allahun dhe e lavdëron Atë me anë të emrave të Tij të bukur. Pra, ta adhurosh dhe ta lavdërosh Allahun me çdo emër të Tijin, sipas domethënies së atij emri, p.sh. të pendohesh vazhdimisht sepse Ai është Et-Teuab – Pranues i pendimit, dhe të bësh dhikër vazhdimisht sepse Ai është Es-Semi – Gjithëdëgjues.
Kështu na janë transmetuar lutjet në Kur’an dhe Sunnet: “Zoti ynë, mos i bëj zemrat tona të shmangen nga e vërteta pasi Ti na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë nga mëshira Jote. Vërtet Ti je Dhuruesi më i Madh (El Uehab).” (Ali Imran : 8) Profeti (alejhi selam) i mësoi Aishes që të thoshte në Natën e Kadrit: “O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen e gabimeve e të gjynaheve, prandaj më fal mua.” (Transmeton Tirmidhiu dhe të tjerë. Hadithi është i saktë.) Ibn Kajjim el Xheuzije ka thënë: “Me të vërtetë njeriu që bën adhurimin më të përkryer ndaj Allahut, është ai i cili e adhuron Allahun me të gjithë emrat e Tij, të cilët i dinë njerëzit.