Mësoje, Allahu më mësoftë mua dhe juve se gjurmët dhe tradita e Pejgamberit (alejhi selam) në kohën e sahabeve dhe tabi’inëve të mëdhenj nuk ishin të shkruara dhe të përmbledhura nëpër libra dhe as të renditura si i kemi sot.
Kjo për dy arsye:
- Sepse fillimisht ata ishin ndaluar që ta kryenin një gjë të tillë sikurse transmetohet në sahihun e Muslimit nga frika se mos ngatërroheshin me Kur’anin, sikurse e përmendëm këtë më parë;
- Sepse ata ishin shumë të aftë në mësimin përmendësh dhe shumë të zhdërvjellët në llogjikën e tyre. Kjo për shkak se shumica e tyre nuk dinin shkrim e lexim dhe e vetmja mbështetje ishte mësimi dhe përsëritja përmendësh i Kur’anit dhe haditheve.
Pastaj nga fundi i kohës së tabi’inëve filloi shkrimi i trashëgimisë së Pejgamberit (alejhi selam) dhe gjurmëve nga sahabët. Kjo trashëgimi filloi të ndahej dhe të renditej sipas temave dhe kapitujve të ndryshëm. Kjo u bë një domosdoshmëri kur në këtë umet filluan të shfaqen grupet e humbura të khavarixhëve [1], ravafidëve [2] dhe mohuesve të kaderit [3].
I pari që filloi grumbullimin e haditheve dhe ethereve në Mekke ishte Ibn Xhurajxhi (150 h) dhe Ibn Is’hak (151 h). Ndërsa në Medine këtë punë e kryesoi Seid Ibn ebi Arubete (156 h), Er-rabiu Ibn Sabih (160 h) dhe Imam Maliku (179 h). Ndërsa në Basra ishte Hamad Ibn Selemete (167 h). Në Kufe ishte Sufjan Eth-Theurij (161 h). Në Sham ishte Ebu Amr El Euzaij (157h). Në Vasit ishte Hushejmi (154 h). Në Eraj ishte Xherir Ibn AbdulHamid (188 h). Në Hurasan ishte Abdullah Ibn Mubarek (181 h). Në Jemen ishte Mea’mer (154 h). Në Egjipt ishte Abdullah Ibn Vehb (197 h). Po kështu vepruan edhe Shubetu Ibn Haxhaxh (160 h), El-Lejth Ibn Sa’d (175 h) dhe Sufjan Ibn Ujejnete (198 h) [4].
Por duhet kuptuar se kjo që përmendëm bën fjalë për grumbullimin e haditheve të renditura nëpër tema dhe kapituj të ndryshëm. Pra këta mblidhnin hadithet e Pejgamberit (alejhi selam) të përziera edhe me fjalët e sahabeve dhe fetvatë e tabi’inëve të mëdhenj dhe i renditën ato nën tema e kapituj të ndryshëm. Një praktikë e tillë del qartë në librin “El Muet-ta” të imam Malikut (Allahu e mëshiroftë!). Në të janë përmendur 3000 çështje dhe 600 hadithe.
Në përfundim të shekullit të dytë dhe fillim të shekullit të tretë ishte lulëzimi i shkrimit dhe mbledhjes së hadithit të Pejgamberit (alejhi selam). Kjo ishte koha e “etbau et-tabi’in (pasuesve të tabi’inëve) dhe nxënësve të tyre. Kjo ishte epoka kur u shkruan dhe u grumbulluan tradita e Pejgamberit (alejhi selam) në libra dhe punime që do të mbeten përherë. Në këtë perjudhë shkrimi dhe grumbullimi i haditheve filloi me metodikën dhe formën e “Musned-eve”. [5] Këto vepra ishin të posaçme vetëm për hadithet e Pejgamberit (alejhi selam) pa u përzier me fjalët e sahabeve dhe fetuatë e tabi’inëve të mëdhenj.
I pari që shkroi një “musned” të tillë ishte Ebu Daud Sulejman Ibn Xharud et-Tajalisij (204 h). Pastaj në gjurmët e tij ecën edhe bashkëkohës të tij prej nxënësve të tabi’inëve dhe tabi’it-tabi’inëve, kështu mund të përmendim Abdurrezak Ibn Numam Es-San’anij (211 h), Esed Ibn Musa el Emevij (212 h), Ubejdullah Ibn Musa El Abassij (213 h), Museded el Basrij (228 h), Nuajm Ibn Hamad el Huzaij El Misrij (228 h). Pas tyre dhe në gjurmët e tyre ecën edhe imamët e mëdhenj si Ahmed Ibn Hanbel (241 h), Is’hak Ibn Rahavejhi (238 h), Uthman Ibn ebi Shejbete (239 h).
Në këto vepra këta dijetarë përzienin hadithe të sakta dhe të pasakta duke i sjellë përmes rrugësh të shumta transmetimi nëpërmjet të cilave dijetarët analistë të hadithit të ishin në gjendje të gjykonin saktësisht rreth tyre. Nëpërmjet esanidëve [6] dhe rugëve të ndryshme të transmetimit dijetarët ishin në gjendje që të dallonin hadithet e sakta nga ato daife (të dobëta), hadithet e forta nga ato të sëmura.
Por kjo nuk është e thjeshtë dhe e mundur për çdo nxënës hadithi. Vetëm nëse është imam i kësaj njohurije ai mund të dallojë të saktat nga të dobtat. Më pas dolën imamë të mëdhenj të cilët zgjodhën që të shkruajnë dhe të grumbullojnë vetëm hadithet e sakta pa i përzierë me të dobtët. Pikërisht në këtë kohë u shkruan të ashtuquajturat “kutub essitte” – 6 librat. Kjo ishte koha e pasuesve të pasuesve të tabi’inëve (etbau etbait-tabi’in).
I pari që ia filloi kësaj pune ishte kurora e mahadithinëve të kohës së tij Ebu Abdullah Muhamed Ibn Ismail El Buharij (256 h) dhe pas tij ishte bashkëkohësi dhe nxënësi i tij, Imam Muslim Ibn Haxhaxh el Kushejrij (261 h). U takoi këtyre të dyve mirësia e hapjes së kësaj rruge për lehtësimin e gjetjes së hadithit të saktë pa u lodhur dhe pa u munduar për çdo kërkues hadithi. Më pas në gjurmët e tyre vazhduan shumë imamë si Ebu Daud Sulejman Ibn Esh’ath Es-Saxhestanij (275 h), Ebu Isa Muhamed Ibn Isa Ibn Sevrate Termidhij (279 h), Ahmed Ibn Shuajb En-Nesaij El Hurasanij (303 h), Ebu Abdullah Muhamed Ibn Zejd Ibn Huzejmete (311 h), Muhamed Ibn Hibban El Bustij (354 h), Et-Tahavij (321 h).
Më pas dijetarët u morën veçse me “istidrakate“(shtojca) të këtyre librave të saktë. Këtu mund të përmendim “Mustedrak-un” e Ebu Abdullah El Hakim En-Nejsaburij (405 h). Nga imamët më të njohur të kësaj kohe mund të përmendim Imam Sulejman Ibn Ahmed Et-Taberanij (360 h), Alij Ibn Umer Ed-Darakutnij (385 h), Muhamed Is’hak Ibn Huzejmete (311 h), Muhamed Ibn Hibban El Bustij (354 h), et-Tahauij (321 h).
Pastaj pas tyre erdhën dijetarë të cilët kryesisht u morën me bashkimin dhe përmbledhjen e librave të saktë. Kështu Ebu Abdullah el Humejdij (448h) bashkoi dy sahihët duke i sjellë në formën e “Musnedeve”. Gjithashtu mund të përmendim Ebu Sedat Mubarek Ibn Ethir (606 h) i cili bashkoi 6 librat duke i renditur sipas kapitujve. Po kështu Nuredin el Hajthemij (807 h) e më pas imam Sujutij (911 h).
Kështu kaloi shkrimi dhe grumbullimi i hadithit të Porfetit (alejhi selam) nëpër faza të vështira e të gjata. Ajo kaloi nëpër faza të rregullta derisa erdhi në formën që e shohim sot. Këto hadithe kaluan nëpër duar të sigurta dhe u ruajtën nëpër zemra të mbushura me dashuri për Allahun, me vëllazëri dhe mëshirë për njëri-tjetrin. I gjithë ky mund u shpenzua veç për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij.
U mjafton atyre si nderim dhe famë fakti që ishin punëtorë me hadithin e Pejgamberit (alejhi selam) dhe ajo që Pejgamberi (alejhi selam) tha për ta: “Shekulli më i mirë ishte shekulli në të cilin u dërgova unë, pastaj ata që erdhën pas tyre, pastaj ata që erdhën pas tyre.”. Kështu pra hadithi i Pejgamberit (alejhi selam) që para se të shkruhej, në vazhdimësi dhe deri sa u plotësua, kaloi në këto kohë të shkëlqyera për të cilat Pejgamberi (alejhi selam) dëshmoi se janë shekujt më të mirë. Allahu i shpërbleftë ata dijetarë me më të mirin shpërblim.
[1] khauarixhë
[2] ravafid
[3] kaderije
[4] Shih “Menhexh dheuin-nedhar” fq. 18.
[5] Musnedi është libër hadithesh ku autori I rendit hadithet të grumbulluara sipas sahabiut që e transmeton. Pra atje sillen të gjitha hadithet e Ebu Bekrit, të Umerit e kështu me rradhë.
[6] El isnadi vjen me dy kuptime:
- Të atribuarit e një informacioni atij që e ka thënë, duke u bazuar në sened (në zinxhirin e transmetuesve).
- Zinxhiri i transmetueve që kanë sjellë tekstin e hadithit njëri pas tjetrit. Me këtë kuptim ai është sinonim i sened-it.
El sened:
- Në aspektin gjuhësor: sened, dmth vend mbështetje. Kështu quhet çdo gjë mbi të cilën mbështetet diçka tjetër. Ai quhet sened (vend mbështetje, vend ku mbahesh dhe qëndron) sepse hafizi i hadithit bazohet në të për të dhënë gjykimin për saktësinë e hadithit apo dobësinë e tij.
- Në terminologjinë e sheriatit: Zinxhiri i transmetueve që kanë sjellë tekstin e hadithit njëri pas tjetrit.