Kjo do të thotë ta njësosh Allahut (subhane we te’Ala) me ato emra dhe atributete që i përkasin Atij. Ky përmban dy gjëra: pohimi, që do të thotë të pohosh për Allahun (subhane we te’Ala) të gjithë emrat dhe cilësitë që Ai ia përshkuan Vetes në Kuran ose në Sunetin e Pejgamberit të Tij; mohimi i përngjasimit të tyre, domethënë të mohosh se dikush tjetër përveç Allahut ka emra dhe atribute të ngjashme me Të. “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” (Shura : 11)
Ky ajet tregon se Atij nuk i përngjan asnjë nga krijesat në çfarëdolloj cilësie. Në aspektin gjuhësor këto cilësi mund të shprehen me terma të njëjtë me ato të krijesave, por që në thelb dhe në përmbajtje ato ndryshojnë absolutisht. Kush nuk i pohon Allahut (subhane we te’Ala) atë që Ai ia ka pohuar Vetes, është mohues i cilësive të Tij, dhe ky mohim është njëlloj si ai i Faraonit. Nga ana tjetër, t’i pohosh këto cilësi duke i përngjasuar ato me cilësitë e krijesave do të thotë të bëhesh njëlloj me idhujtarët, të cilët adhuruan zota tjerë bashkë me Allahun. Vetëm ai që i pohon ato pa i përngjasuar me cilësitë e krijesave është monoteist i vërtetë.
Në këtë lloj teuhidi kanë humbur rrugën e drejtë mjaft njerëz nga bashkësia islame, të cilët u ndanë pastaj në grupe të shumta. Ka nga ata që i kanë mohuar krejtësisht atributet e Zotit duke pretenduar se kështu po e lartësojnë Atë. Në fakt ata kanë dalë nga Udha, sepse dëlirësues i vërtetë i Allahut (subhane we te’Ala) është ai që mohon se Ai ka cilësi të mangëta dhe nuk e pranon që fjala e Tij është e paqartë dhe devijuese. Nëse dikush thotë se Allahu (subhane we te’Ala) nuk ka dëgjim, shikim, dije dhe fuqi nuk e ka lartësuar Allahun, përkundrazi, e ka përshkruar me mangësi, ndërkohë dhe fjalën e Tij e ka konsideruar si të paqartë dhe devijuese.
Shumë herë Allahu (subhane we te’Ala) e përshkruan Veten si: Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi, i Gjithëfuqishmi, i Urti, Gjithëgjykuesi, Mëkatfalësi, Mëshirëbërësi. Nëse ti pranon që këto cilësi ndodhen në Kuran dhe mendon se ato nuk përshkruajnë Allahun , nuk ke bërë gjë tjetër por ke mëtuar se fjalët e Allahut (subhane we te’Ala) qenkan të pakuptimta dhe të paqarta. Grupe të tëra i kanë përngjasuar atributet e Zotit me ato të krijesave, duke pretenduar se kështu po vërtetojnë përshkrimin që Ai i ka bërë Vetes.
Këta kanë humbur, sepse nuk e kanë vlerësuar Allahun (subhane we te’Ala) ashtu siç e meriton Ai, duke e përshkruar Atë me të meta dhe duke e krahasuar të Përkryerin absolut me të mangëtit. Kur krahason të përkryerin me të mangëtin ia ke ulur vlerën të përkryerit, siç thuhet: A s’e sheh, vallë, si shpatën përçmojnë, kur me një shkop atë e krahasojnë? Si mund të përngjasosh të përsosurin me të mangëtin?! Kjo është një përdhosje e të drejtës së Allahut (subhane we te’Ala). Këta njerëz ashtu si edhe mohuesit bëjnë një krim të madh, sepse që të dyja kategoritë nuk e vlerësojnë Allahun (subhane we te’Ala) ashtu siç e meriton Ai të vlerësohet.