– Themelimi i flotës detare
Valiu (guvernatori) i Shamit, Muavije Ibn Ebu Sufjani, kërkoi leje nga Uthmani (radijAllahu anhu), për të formuar një flotë detare, e cila do të shërbente për zmbrapsjen e sulmeve të flotës bizantine në brigjet e Shamit dhe të Egjiptit. Pasi mori miratimin e halifes, Muavija ngriti një flotë detare të fortë, me anë të së cilës arriti të marrë në zotërim ishujt e Qipros dhe Rodosit.
Pas kësaj, në vitin 34 hixhri, flota muslimane u përball me flotën bizantine, e cila ishte më e madhe në numër. Kjo betejë u zhvillua në afërsi të Aleksandrisë dhe përfundoi me fitoren e muslimanëve. [1] Themelimi i kësaj flote detare bëri që muslimanët të jenë forcë dominuese, tashmë edhe në det. Profeti (salAllahu alejhi we selem!) ka thënë: “Ushtria e parë nga umeti im që do të luftojë në det e meriton Xhennetin!” [2]
– Shtrirja e sundimit islam në kohën e Uthmanit
Zgjerimi i tokave islame në kohën e halifes Uthman bin Afanit (RadijAllahu anhu) u realizua në dy drejtime:
- Muslimanët arritën të shtrinin sundimin e tyre në jug të Egjiptit, në Sudan, si dhe në vendet e Afrikës Perëndimore Libi, Algjeri, Marok, Mauritani, etj. Në brigjet e Tunizisë, ushtria muslimane hasi qëndresë nga forcat bizantine, të cilat gjithsesi, nuk rezistuan gjatë. [3]
- Ndërsa në lindje, përparimi i përvetësimit të tokave të reja arriti deri në brigjet e detit Kaspik. Me vdekjen e mbretit persian Jezdexherd, i cili mbeti i vrarë në betejë, pranë vendlindjes së tij Marvu (Irani i sotëm, në kufi me Afganistanin), perandoria perse kapitulloi tërësisht.
[1] Marrë nga libri Tarihul islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq. 420 të Imam Dhehebiut.
[2] Transmeton Buhariu me nr 2766.
[3] Marrё nga libri Tarihul islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq. 318, tё Imam Dhehebiut.